Në përfytyrimet popullore Metamorfoza e Shpëtimtarit (6 gushti) është një festë, e cila shënon kufirin midis verës dhe vjeshtës. Ndryshimet në kushtet klimatike, të cilat janë kaq të rëndësishme për njerëzit, i përkasin kryesisht përpunimit të tokës dhe rritjes së kafshëve. Rreth kësaj date dita fillon të pakësohet, gjarpërinjtë dhe zvarranikët fshihen në strofkë, kurse dallëndyshet fluturojnë në jug. Prandaj thuhet se në Ditën e Metamorfozës së Shpëtimtarit dita kthehet me kurriz nga vera dhe me fytyrë nga dimri. Në folklorin tonë ka disa besime të lidhura me kuptimin e festës së krishterë.
Le të rikujtojmë se Metamorfoza e Shpëtimtarit shënohet gjatë Kreshmëve të Shën Mërisë, në vigjilje të Fjetjes së Hyjlindëses Mëri (15 gushtit) – një festë e madhe kishtare. Sipas ungjillit Jisu Krishti ka çuar tre nxënës të tij në malin Tavor në Galile. Atje ai ka filluar të lutet, dhe duke u luajtur “... fytyra e tij filloi të ndriçonte si dielli, kurse rrobat e tij u bënë të bardha si drita.”
Në Ditën e Metamorfozës së Shpëtimtarit është ndaluar puna, sidomos ajo shtëpiake – nuk duhet të lahemi dhe të lahen rrobat. Deri në këtë ditë nuk duhet të hahet gjithashtu rrush dhe manaferra. Në kulturën tonë tradicionale i jepet një nder i madh rrushit, jo vetëm frutës, por hardhisë në tërësi. Ajo mund të shihet në qëndisje, në gdhendjet në dru të ikonostaseve, kurse vera (bashkë me bukën) konsiderohet si gjëja më e pastër. “Me bukën dhe verën nuk mund të bëhet magji” – thotë populli ynë.
Sipas legjendave manaferra është vepër e djallit, pavarësisht se ajo është e pranishme në tryezën tonë që prej shekujsh. Edhe deri më sot e kësaj dite përgatisim reçel dhe shurup prej manaferrash. Të mos flasim se në mjekësinë popullore përdoren jo vetëm frutat – të freskëta, ose të thara, por edhe gjethet. Manaferra e egër mjekon të ftohurin, sëmundjet e gojës, të sistemit të frymëmarrjes dhe të atij të tretës, ndihmon, po të keni varice, diabet etj. Sipas legjendës së rrëfyer nga etnografi ynë i madh Dimitër Marinov, djalli e ka krijuar manaferrën “që t’i kundërvihet rrushit, i cili është vepër e Zotit. Djalli ka bërë kështu qe manaferrat të piqen më herët nga rrushi. Në këtë mënyrë, duke i ngrënë manaferrat më herët nga rrushi njerëzit gjenden nën ndikimin e Djallit”. Ja përse askush “nuk duhet të hajë manaferra, para se të ketë ngrënë rrush” (nga “Besimet popullore dhe zakonet popullore fetare”).
Pas bekimit të frutave hiqet ndalimi për manaferrat. Të ashtuquajturat “kapanci” (një grup etnografik bullgarësh, të cilët banojnë në rajonin e Razgradit), këtë ditë nuk hanë rrush të kuq dhe shalqi. Ata besojnë se në këtë mënyrë do ta ruajnë fytyrën e tyre nga nishanet e pakëndshme.
Dimitër Marinov njofton edhe për një zakon vendas, i cili u përket muhamedanëve bullgarë në fshatin Petkovo, afër Smoljanit. Në Ditën e Metamorfozës së Shpëtimtarit tërë bashkësia grumbullohet afër varrezave për të hedhur një valle. “Këtë ditë çdonjëri vret si kurban një koshere bletësh, e merr mjaltin dhe e sjell te prifti, bashkë me një “kolak” (një bukë rituale) dhe pasi buka bekohet, ajo hahet, pasi copa futet së pari në mjaltë” – shkruan gjithashtu etnografi.
Natyra ndryshon më 6 gusht dhe kjo është një mundësi për të ndryshuar edhe njerëzit, ose të paktën të provojnë. Ka një besim, sipas të cilit në qiell duket një Portë Hyjnore, e cila hapet. Atëherë vetë Zoti del, që t’i plotësojë dëshirat e të krishterëve të ndershëm. Sipas besimeve vetëm ata mund ta shohin Portën Hyjnore dhe t’i drejtojnë lutje Zotit. Ky besim i përket kryesisht Pagëzimit të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht (6 janarit). Në shumë rajone njerëzit nuk kanë fjetur tërë natën, ata e kanë vëzhguar qiellin, duke besuar se do ta shohin Portën Hyjnore.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: БГНЕС, pravoslavieto.com dhearkiv
Kopshti i Borisit në zemër të Sofjes do të bëhet sërish skena e festivalit tradicional të Pernikut "Surva". Tingulli i Survës na pastron dhe na ringjall! Për të tretin vit radhazi, banorët e Sofjes dhe të ftuarit e kryeqytetit do të mund të..
Duke u zhvendosur në Besarabi më shumë se dy shekuj më parë, bullgarët morën me vete një pjesë të ritualeve tona të pasura. Në atdheun e tyre të ri, disa zakone u modifikuan nën ndikimin e traditave vendase, të tjera u zhdukën, ndërsa disa të tjera u..
Dita e parë e janarit është e mbushur me shumë emocione, pritje dhe gëzime të shoqëruara me shpresën për një vit të bekuar në të cilin çdo pjesëtar i familjes do të jetë i shëndetshëm dhe do të arrijë ëndrrat e tij. Në kalendarin bullgar të festave, 1..