“Evropa kurrë nuk ka ekzistuar. Evropa e vërtetë do të krijohet në të ardhmen” – këtë e tha në vitin 1950 francezi Jean Monnet, një prej etërve të Bashkimit Evropian, atëherë Komisionar për Planifikimin i Francës. Ai nuk ishte përkrahës i idealeve abstrakte, të cilat do ta bashkojnë Kontinentin e Vjetër, por shpresonte tek ekonomia si motori i integrimit. Bashkëmendimtar i Monnet u bë Ministri francez i Punëve të Jashtme Robert Schuman. Më 9 maj 1950 ai paraqiti një deklaratë për krijimin e Bashkësisë Evropiane për Qymyr dhe Çelik (themeluar në vitin 1951). Bashkë me të që në vitin 1952 hyri në fuqi gjithashtu “një treg i përbashkët” i këtyre produkteve. Kështu pas integrimit ekonomik filloi ai politik dhe shpirtëror i Evropës së re, të themeluar mbi vlerat e përgjithshme. Që nga viti 1986 9 maji shënohet zyrtarisht si Dita e Evropës.
Më 14 dhjetor 1996 Parlamenti bullgar votoi vendim të Republikës së Bullgarisë për të paraqitur kërkesë zyrtare për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Filloi një proces i gjatë bisedimesh. Më 25 prill 2005 në një ceremoni solemne në Luksemburg Bullgaria dhe Rumania nënshkruan marrëveshje për aderim në Bashkimin Evropian që nga data 1 janar 2007.
Aderimi i Bullgarisë në BE pritej me entuziazëm të madh në vend. Milionë njerëz e shikuan live në televizor ceremoninë më 25 prill 2005. Himni i Evropës, simfonia e 9 e Bethovenit, u interpretua në bullgarisht nga kori “Misteri i Zërave Bullgarë”. Për bullgarët Bashkimi Evropian ishte para se gjithash bashkim social, i cili na jepte siguri dhe prosperitet në drejtimet më të rëndësishme – ekonomia, punësimi, standardi i jetesës, të drejtat e njeriut, ndihma sociale, mundësitë për arsim. Me kalimin e viteve entuziazmi ndryshoi në një drejtim më realist, madje u dukën shenjtat e para të euroskepticizmit. Një pjesë e bullgarëve kuptuan se anëtarësia e Bullgarisë në BE nuk është panace dhe se BE-ja është jo vetëm një bashkësi sociale, por një hapësirë liberale, ku suksesi personal është me rëndësi të parë. Në përgjithësi përkrahja e bullgarëve ndaj anëtarësisë sonë në BE mbetet e lartë – 55 për qind. Ajo është me 6 për qind më e lartë sesa gjatë vitit 2016, tregon Eurobarometri. Pritjet e bashkatdhetarëve tanë gjithashtu mbeten të larta. Fushat kryesore me prioritet, ku bullgarët kërkojnë më shumë veprime nga ana e BE-së, janë luftimi i terrorizmit (61 për qind), i varfërisë dhe përjashtimit social (40 për qind), i migracionit të pakontrolluar (38 për qind). Pas tyre është problemi i papunësisë (33 për qind), i radikalizmit fetar (26 për qind) dhe i kriminalitetit të organizuar (24 për qind). Pa dyshim përkrahja më e lartë për BE-në në fund të vitit 2017 është lidhur me Presidencën Bullgare të Këshillit të BE-së, por edhe me politikën evropiane për përballimin e rrezikut nga terrorizmi dhe migracioni i pakontrolluar.
2018-ta është viti i Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së. Atmosfera më 9 maj – Dita e Evropës, sivjet do të jetë në të vërtetë shumë festive. Në mbrëmje, në orën 21.30, do të paraqitet mapping-u 3D i godinës së Këshillit të Ministrave. “Kjo është një mënyrë jo standarde e shënimit të Ditës së Evropës” – komentoi Teodor Stojçev, i cili udhëheq Zyrën Informative të Parlamentit Evropian në Sofje. Në qendër të vëmendjes do të jetë Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore. Parashikohet gjithashtu zhvillimi i Natës së Letërsisë në Sofje. Aktiviteti organizohet bashkë me institutet kulturore të vendeve-anëtare të BE-së dhe ka qëllim popullarizimin e kulturës evropiane. Nata Evropiane e Letërsisë do të mbahet në akoma 11 qytete bullgare, përfshi këtu qytetet më të mëdha pas Sofjes – Plovdivi, Varna, Ruse, kryeqyteti i vjetër Veliko Tërnovo etj.
Të shtunën dhe të dielën (më 12 dhe 13 maj) festa do të vazhdojë. Atëherë Parku Jugor i Kryeqytetit do të jetë mikpritës i festës “Famillathlon”, me stendë të Komisionit Evropian. Ajo është pjesë e lëvizjes franceze “Famillathlon” dhe në Bullgari do të organizohet për të dhjetin vit me radhë nga asociacioni “Prindërit”. Ngjarja i është kushtuar familjes, sportit dhe mënyrës shëndetësore të jetesës dhe përfshin shumë aktivitete për fëmijët dhe prindërit. Një prej tyre do të jetë loja “Evropa e Vogël”, ku çdo një anëtar i familjes mund të mësojë fakte interesante për vendet-anëtare të Bashkimit Evropian.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: europarl.bg
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës "Abonohu për Natyrën" dhe ndjek historinë e gjashtë arinjve të shpëtuar, Huba, Vihër, Goran,..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në historinë bullgare, ky koncept lidhet më shpesh me periudhën e Rilindjes (shek. XVIII-XIX) dhe me..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumica janë në mbështetjen e tij. Ai erdhi pak..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..