Ditë e Ushtrisë Bullgare, Ditë e Shën Gjergjit Trofeprurësi – festë e krishtere dhe folklorike, dita e gjashtë e majit shton edhe një solemnitet tjetër për adhuruesit e muzikës operistike nga gjithë bota. Në këtë datë 80 vjet më parë lindi këngëtarja e madhe operistike bullgare Gena Dimitrova. Ajo është ndër emblemat muzikore të Bullgarisë, njihet si një nga këngëtaret më të mira të operave të Verdit, e cila la kujtime të bukura te studentët, admiruesit dhe ndjekësit e saj. Veprimtaritë e kushtuara këtij përvjetori të shënuar tashmë filluan – më 30 prill Opera e Sofjes prezantoi operën “Makbet” nga Verdi me këngëtarët e njohur bullgarë Aleksandrina Pendaçanska dhe Kirill Manollov; piktori Pllamen Rusev, nipi i primas së operës, i kushtoi asaj ekspozitën e tij “Puplat e Dragoit”. Dhe ne, nga Radio Bullgaria, do t'ju kujtojmë momente domethënëse nga biografia e saj.
Ajo lindi në fshatin Beglezh në afërsi të qytetit Pleven (Bullgari Qendrore Veriore). Karrierën operistike e nisi në Bullgari. Roli i saj i parë ishte i Abigailës në operën “Nabuko” të Verdit në skenën e Operës së Sofjes në vitin 1967. Në një incizim nga viti 1978 që ruhet në “Fondin e Artë” të Radios Kombëtare Bullgare, Gena Dimitrova tregon:
“Nuk e mbaj mend herën e parë kur dëgjova muzikën operistike, por tani mund të them, se më ndikuan të gjitha veprat që preka në vitet 50 të shekullit XX, sepse atëherë u formova si e re e cila fillonte të ëndërronte për ndonjë profesion. Ata më bënë të mendoj për zërin që kisha, i cili u zbulua nga mësuesit e mi të shkollës së mesme, dhe të nisem në rrugën e artit operistik. Nuk mund të them se gjithçka e kam arritur me lehtësi. Hyrja ime në Konservator (tani Akademi Kombëtare Muzikore “Panço Vlladigerov”) ishte një fillim nga zeroja. Nuk isha e përgatitur, por kisha të dëgjuarin shumë të mirë dhe muzikalitet të lindur, i cili ende më ndihmon në gjërat e vështira që duhet të kapërcej çdo ditë. Më pranuan në klasën përgatitore për shkak të të dhënave të jashtëzakonshme të zërit. Isha në klasën e Prof.Brëmbarov i cili kujdesej shumë për mua por edhe unë e dëgjova çfarë më këshillonte. Unë isha një zë i vështirë, studiova si mezosoprano për dy vjet, pastaj kalova te partitë e sopranos. Studiova vokaliza për një kohë të gjatë - rreth pesë vjetësh, pastaj fillova të punoj mbi vepra të veçanta. Kur hyra në opera, studiova partitë individuale me profesorin.”
Përderisa studionte Gena Dimitrova punonte në mensën e Konservatorit për të mbajtur veten. Disa nga shokët e saj të klasës talleshin me “vajzën e fshatit” për këtë. Mirëpo pedagogia muzikore Liljana Zhablenska shqiptoi një frazë që mbetet në histori: “Sot po talleni me të që lan pjatat, por një ditë ju do të lani pjatat e saj!”. Çmimi i parë i Konkursit Ndërkombëtar për Këngëtarë të Rinj të Operës në Sofje në vitin 1970, i dha mundësi asaj të specializojë për dy vjet në Studion e Këngëtarëve të Rinj të Operës në La Skala (La Scala opera school in Milan). Gjatë stazhit, këngëtarja e re mori pjesë në konkurse dhe shfaqje operash në Itali. Në vitin 1972 ajo rikrijoi rolin e Amelias në operën “Ballo me Maska” të Verdit në La Scala, së bashku me Placido Domingo dhe Pietro Capucci. Paraqitja e saj e parë në Operën Shtetërore të Vjenës (Wiener Staatsoper) ishte në 1978. Para kësaj ajo tashmë kishte shfaqje në skenat e mëdha të operës në Evropë, Argjentinë dhe Brazil.
Në dhjetor të vitit 1983 Gena Dimitrova debutoi si Turandot në operën me të njëjtin titull të Puçinit në shfaqjen e regjisorit Franco Zeffirelli në skenën e La Skalës në Milano. Në mjedisin e ndritshëm të yjeve muzikore - dirigjentit Lorin Maazel dhe solistëve Placido Domingo, Katya Richarelli dhe Nicola Martinucci, ndriçoi edhe ylli i bullgares. Ajo tashmë ishte e vërejtur nga elita muzikore, por Turandot ishte që Gena të bëhej një nga yjet më të mira të operës të të gjitha kohërave. Katër vjet më vonë në vitin 1987 Gena Dimitrova debutoi në rolin e princeshës kineze Turandot në Metropolitan në Nju Jork prapë në bashkëpunim me regjisorin Franco Zeffirelli. Pas kësaj në vazhdim të 10 vjetëve emri i bullgares ishte në programin e çdo stine muzikore të Metropolitanit.
Gena Diitrova organizonte klasa të mjeshtërve në Athinë, Romë, Budapest, Sofje e gjetkë. Ajo punonte me këngëtarë të rinj, organizonte koncerte, në disa prej tyre merrte pjesë edhe si interpretuese. Në kujtim të kujdesit të saj për të ardhmen e artit operistik në qytetin Pleven mbahet Konkursi Ndërkombëtar “Gena Dimitrova”, i cili sivjet pret edicionin e tij të katërt.
Simbolikisht, pllaka përkujtimore të vendosura para shtëpisë së saj në Vjenë dhe shtëpisë së saj të lindjes në fshatin Beglezh shënojnë rrugën e këngëtares së paharrueshme - një rrugë e mbushur me vështirësi, por edhe me njohjen më të madhe për një artist - dashurinë dhe kujtimin për atë që është bërë në këtë tokë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv, operasz.bg dhe BGNES
Më 9 nëntor, një nga sallat e Ansamblit Folklorik “Trakia” në qytetin e Plovdivit (Bullgaria Jugore) do të mbledhë talentë të rinj për master klasën tradicionale “Me këngët e Kiçka Savovës”. Ngjarja organizohet nga fondacioni “Kiçka Savova”, kryetare e të..
Violinistja Iskrena Jordanova prej tridhjetë vitesh jeton në Lisbonë. Gjithçka që ajo bën si muzikante është e lidhur me muzikën barok. Një pjesë të madhe të kohës ia kushton zbulimit të dorëshkrimeve të lashta, të cilave u jep jetë me ansamblin e saj..
Dashamirët e muzikës japoneze mund të shijojnë një koncert me daulle tradicionale japoneze tajko në ekzekutim të grupit Wadaiko-Sai - Japoni. Koncerti mbahet në kuadrin e Ditëve të Kulturës Japoneze në vendin tonë. Daullet Tajko kanë një histori..
Këngëtari i ri Todor Gaxhallov prezantoi këngën e tij të re prej autori "Dera e kyçur". Autori u frymëzua nga lufta e secilit person me pengesat dhe..
Me këngën e tyre të re “Më zgjo në maj” Mary Boys Band e përmbushin premtimin e tyre për të përjetuar verën fund e krye. Besnik ndaj vetes, në prag të..