Më 6 shtator mbushen 131 vjet nga Bashkimi i Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore, autonomi në kufijtë e Perandorisë Osmane. Historia e Bashkimit na kthen në vitin e largët 1878, kur trojet bullgare u çliruan pas një lufte të rëndë midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane. Sipas Traktatit të Paqes, të nënshkruar më 3 mars, në Bullgarinë e lirë përfshihen trojet e Eksarkisë Bullgare, e cila u njoh si e pavarur nga Porta e Lartë.
Mirëpo, në fakt kjo marrëveshje ishte formale, Perandoria Ruse tashmë kishte rënë dakord që fati i Bullgarisë të zgjidhet me pjesëmarrjen e Fuqive të tjera të Mëdha. Kjo ndodhi gjatë korrikut të vitit 1878 në Kongresin e Berlinit, në të cilin nuk mori pjesë asnjë bullgar. Trojet bullgare u ndanë në disa pjesë. Bullgaria e Veriut dhe Krahina e Sofjes u përfshinë në Principatën e Bullgarisë. Rumelia Lindore me qendër Plovdiv u bë autonomi në Perandorinë Osmane. Maqedonia, Trakia e Edrenesë dhe Rodopet iu kthyen sulltanit. Bullgarët jashtë këtyre vendimeve, filluan luftë, e cila në Rumelinë Lindore zhvillohej para se gjithash me mjete paqësore. Në mitingje dhe demonstrime të mëdha u dëgjuan shumë fjalime drejtuar shteteve evropiane. U arritën disa rezultate: u vendos që gjeneral-guvernatori i Rumelisë Lindore, i emëruar nga sulltani, të jetë bullgar. Në autonomi nuk ishte lejuar prania e ushtarëve osmanë. Ajo dispononte korpus për mbrojtje, si dhe polici dhe xhandarmeri, nën komandën e oficerëve bullgarë. Këto ishin premisa të rëndësishme për suksesin e luftës 7 vjet më vonë.
Gjatë gushtit të vitit 1885 Zaharij Stojanov dhe Komiteti Sekret miratuan një plan për Bashkimin. Për pjesëmarrje ishin tërhequr oficerë nga Korpusi për Mbrojtjen. Për këtë u informua edhe udhëheqësi i Bullgarisë së lirë Princi Aleksandër i Parë, nga i cili varej vendimi politik për Bashkimin. Ai dha pëlqimin e vet:
Mirëpo Bullgaria e Bashkuar ende nuk ishte njohur në plan ndërkombëtar dhe kishte rrezik për intervencën ushtarake osmane. Rusia demonstroi besnikëri ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit, por në fakt qeveria e saj nuk kishte besim personal ndaj Princit Aleksandër, i cili kishte orientim ndaj Perëndimit. Në një etapë më të vonshme Peterburgu e përkrahu Bullgarinë sa i përket njohjes së Bashkimit. Mirëpo, në fillim shqetësim shkaktoi tërheqja e oficerëve rusë me përvojë që ishin dërguar me shërbim në Bullgari. Ushtria dukej e dobët, nën udhëheqjen e kapitenëve dhe togerëve të rinj. Më e pakënaqur ishte Austro-Hungaria, e cila e konsideronte Maqedoninë pjesë të ardhshme të perimetrit të saj dhe prandaj nuk Bullgaria e fuqishme nuk ishte në interesat e saj.
Disa prej shkaqeve për Bashkimin janë ekonomike, sepse Bullgaria Veriore dhe ajo Jugore ishin ndarë në mënyrë artificiale. Rumelia Lindore kishte mbetur në kufijtë doganorë të Perandorisë Osmane. Mirëpo, kjo ngjarje është para se gjithash fryt vullnetit të madh të popullit bullgar. Shumica e kombit tonë jetonte me ëndrrën për pavarësinë e Bullgarisë, ku shtetasit bullgarë do të gëzonin demokracinë dhe të drejtat njerëzore. Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë, kulturës dhe administrimit të shtetit në dy pjesët e Bullgarisë e kishte vazhdimin e vet të logjikshëm në bashkimin e tyre. Prandaj Bashkimi mbetet data më e ndritshme në historinë tonë më të re, me vullnetin e madh për unitet kombëtar dhe fitore. Kjo është një seri ngjarjesh, ku të gjithë udhëhiqeshin nga interesat e kombit dhe vepronin me vendosmëri dhe mençuri të madhe. Kështu, me shumë entuziazëm të gjithë bullgarët arritën suksese të jashtëzakonshme në historinë e Shtetit të Tretë Bullgar.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: arkiv