Kështjella mesjetare Kokaljanski Urviç ngrihet në bregun e djathtë tatëpjetë të lumit Iskër në malin Llozenska. Pikërisht aty lumi bën një kthesë piktoreske përreth një bjeshkë të lartë , në të cilën akoma duken rrënojat e mureve të lashta gurore. Kështjella bashkë me Kishën “Shën Profet Ilija” dhe manastiret Urviçki dhe Kokaljanski përbëjnë një kompleks manastiresh, i cili është pjesë e Malit të Shenjtë përreth Sofjes. Ky vend është i shenjtë dhe prandaj tepër i respektuar nga të krishterët gjatë Mesjetës.
Supozohet, se kështjella u ndërtua që në kohën e khanit Krum, i cili përfshiu qytetin e atëhershëm Sredec në kufijtë e Bullgarisë. Më shpesh për të përmendet në periudhën e shekujve XII-XIV në kohën e Shtetit të Dytë Bullgar në lidhje me luftërat e vazhdueshme kundër pushtuesve turq. Manastiri pranë kështjellës Kokaljanski Urviç përmendet nga Pajisij Hilendarski në “Historinë Sllavo-bullgare”.
Shumë legjenda tregon popullsia vendore për kështjellën dhe manastirin “Shën Profet Ilija”. Tregohet, se pikërisht aty në këtë rajon, të cilin vështirë e shkelte këmba njerëzore, mbreti Ivan Shishman fshihte thesaret dhe bibliotekën. Sipas të dhënave historike, në vitin 1371 aty u zhvillua një betejë të rëndë me pushtuesit turq, në të cilën vdiqën shumë ushtarë.
Studimet e para në rajon i bëri arkeologu profesor Dimitër Ovçarov. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar u zbuluan fragmente nga afresket e kishës “Shën Profet Ilija”. Ato i janë të përafërta afresket e Kishës në lagjen Bojana afër Sofjes.
Që nga viti 2012 rrënojat e kështjellës mesjetare studiohen dhe analizohen. Ideja është, që pas përfundimit të gërmimeve, manastiri, kisha dhe godinat përreth të rindërtohen kështu që rajoni të shndërrohet në një qendër tërheqëse si për turistët, ashtu edhe për pelegrinët. Tashmë ekziston një projekt. “Manastiri do të rindërtohet ashtu siç ngrihej në të kaluarën me dy kate, me çardak prej druri dhe tarraca” – tregon arkeologu Filip Petrunov nga Muzeu Kombëtar Historik. Bashkë me ekipin e tij ai punon për studimin e rrënojave me të gjitha detajet. Për projektin ai tregon.
“Kemi ndërmend të bëjmë një katalog të elementeve të fiksimit, sepse nga territori në të cilin ngrihej manastiri grumbulluam shumë kunj metali dhe gozhdë. Tashmë rindërtimi nuk është vetëm një hipotezë, por realitet. Rimëkëmbja e manastirit është mënyra e vetme për ruajtjen e një shenjtërore aq të rëndësishme për Bullgarinë dhe për Evropën. Me rëndësi të madhe është informacioni, që përmban çdo artefakt që zbulojmë gjatë gërmimeve. Vetëm ashtu do të kemi përfytyrim për botëkuptimin e paraardhësve tanë dhe për jetën e tyre para qindra vitesh. Këtë e tregon arkeologu dhe vazhdon:
“Në rrënojat e manastirit zbulojmë shumë sende, të cilat flasin për mënyrën e jetesës së murgjve dhe popullsisë të fshatrave përreth. Këtu kryheshin shërbime fetare, rite kishtare, njerëzit martoheshin dhe varroseshin. Pranë kishës zbuluam edhe kuzhinën, pra vendin, ku murgjit jo vetëm ushqeheshin, por edhe i drejtoheshin lutje Zotit.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografi: bg-zabelejitelnosti.blogspot.bg