Romani më i përkthyer, më i lexuar dhe më i dekoruar shqiptar për disa vitet e fundit doli në tregun bullgar. Bëhet fjalë për “Otello, Arapi i Vlorës” të Ben Blushit. Prezantimi i tij ishte organizuar nga specialiteti “Ballkanistika” i Universitetit të Sofjes “Shën Kliment i Ohrit”. Përkthimi është bërë nga doc. dr. Ekaterina Tërpomanova, moderatorja e ngjarjes ishte doc. dr. Rusana Bejleri – profesoresha e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Ndër të pranishmit ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës në Sofje Shkëlqesia e Tij Zoti Edon Cana bashkë me Ministrin Këshilltar të Ambasadës Delfin Pllana. Përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë ishin në krye me Këshilltarin e Parë Novruz Çeta. Ngjarjen e respektuan profesorë, studentë, gazetarë dhe adhurues të letërsive ballkanike.
Detyrën jo të lehtë të popullarizojë një letërsi të vogël, siç është letërsia shqiptare e ka ndërmarrë shtëpia botuese “Izida”. Ky është titulli i tretë shqiptar i publikuar nga ajo. Vështirësitë janë të shumta dhe një prej tyre doli se është udhëtimi shumë orësh mes Sofjes dhe Tiranës, i cili e pengoi autorin të marrë pjesë në promovimin e librit.
Lajmi i mirë është se në të ardhmen e afërt presim të paktën dy libra të tjerë të autorëve shqiptarë që do të botohen në bullgarisht. Ja se çfarë shpjegoi për këtë Pllamen Totev:
“Paraqitja e këtij libri në gjuhën bullgare nuk është një gjë episodike. Përkundrazi, kemi një program për botimin e autorëve aktualë shqiptarë. Luan Starova ishte i pari në të. Pavarësisht se ai jeton në Maqedoni është pjesë e letërsisë shqiptare. Në gjuhën bullgare tashmë kemi tre libra të tij. Planifikojmë akoma dy autorë të tjerë, për veprat e të cilëve tashmë kemi marrëveshje për botim dhe i zotërojmë të drejtat e autorit. Njëri prej tyre është Grigor Banushi, i cili gjithashtu e fitoi Çmimin për letërsi të BE-së dhe tjetri është Rudi Erëbara.”
Përkthyesja doc. dr. Ekaterina Tërpomanova është gjuhëtare dhe është udhëheqësja e katedrës së Gjuhësisë së përgjithshme, indo-evropiane dhe ballkanike pranë Universitetit të Sofjes dhe siç ajo vetë tha, përkthimi i letërsisë shqiptare për të është një kënaqësi e madhe. Ju ofrojmë të dëgjoni fjalët e saj para mikrofonit të Radio Bullgarisë:
Foto: Pllamen Totev