Eмисия новини
от 09.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Nata e Buzmit ndërthur krishterimin dhe paganizmin

Автор:

Pavarësisht se çfarë ishte viti dhe se çfarë ka ndodhur gjatë katër stinëve të tij, vjen dhjetori dhe na pushton me ditët e tij festive, me listat me dhuratat, me tryezat e hareshme. E përditshmja e nxituar u lë vend përgatitjeve – që gjithashtu janë të nxituara, por janë jashtëzakonisht të këndshme. Për ne, bullgarët, ky muaj vë fillimin e vargut të ditëve të emrit, ndërsa në Natën e Buzmit dhe të Krishtlindjeve familja mblidhet detyrimisht.

Nga kaosi – tek rendi, nga errësira – tek drita, nga fundi – tek fillimi i ri. Ky është thelbi i ritit të lashtë pagan, që është praktikuar në trojet tona në këtë kohë të vitit. Gjatë ditëve të solsticit dimëror në lashtësi e kanë nderuar lindjen e diellit të ri. Në përfytyrimet popullore dielli i ri zbret nëpër degët e Pemës së botës për të arritur në botën tonë dhe të ndriçojë ditët e banorëve të Tokës. Këtë moment sakral gjyshet tona e kanë rikrijuar në qëndisjet dhe qilimat e tyre, në zbukurimin e bukëve të ritit, e kanë ndërthurur në melodi përrallore. Më vonë kisha pranon 25 dhjetorin si ditë e Lindjes së Jezu Krishtit. Fëmijën Jesu Krishti populli ynë e quan Zoti të Ri dhe në përfytyrimet folklorike ai mban tiparet e një perëndie pagane, që nderohej në periudhën para krishterimit.

Sot disa prej nesh reflektojnë thellë mbi përmbajtjen e të gjitha elementeve të Natës së Buzmit – festë e cila bashkon në një krishterimin dhe paganizmin në mënyrë të papërsëritshme. Për disa të tjerë ajo është thjeshtë atmosfera e ngrohtë e festës familjare me tryezën e shtruar me gjellët pa mish dhe pa yndyrë, numri i të cilave detyrimisht duhet të jetë tek. Kjo kërkesë respektohet edhe nga kundërshtarët e kreshmëve dhe nga vegjetarianët. Japrak me lakër turshi, speca të thata të mbushura me bollgur, fasule ose oriz, kulaç me sodë dhe një pare brenda... Në tryezë detyrimisht duhet të ketë nga të gjitha që lind toka jonë – grurë, misër, fruta të freskëta ose të thata, mjaltë, qepë, hudhër, arra.

Tryeza temjaniset nga burri më i moshuar në familje, përveç kësaj forca e zjarrit thirret edhe me buzmin e madh, që ndizet me një rit të posaçëm në vatrën e shtëpisë. Të gjitha ritet në Natën e Buzmit bëhen që të ndihmohet kalimi i radhës, rilindja e re. Me forcën e zjarrit rritet forca e diellit të ri, kapërcehet kaosi në natyrë dhe rivendoset rendi kozmik. Gjellët e ofruara në tryezë janë një lloj kurbani dhe njëkohësisht simbolizojnë mirënjohje dhe bekime për begati dhe mirëqenie. Sipas besimeve popullore ato fitojnë forcë të veçantë magjike. Ja përse dikur kanë ruajtur kokrrat e grurit, mjaltin, copëzat e kulaçit, bile hiri nga buzmi i djegur. I kanë përdorur gjatë tërë vitit pas kësaj për mjekim dhe për rite të ndryshme, për bereqet dhe sukses.

Fiks në mesnatë pas Natës së Buzmit vijnë Krishtlindjet, shpallet Lindja e Jezu Krishtit. Të zonjat e shtëpisë shtrojnë në tryezë një kulaç dhe enë të madhe me verë – shenje, se po presin kolendarët, të cilët kanë nisur në minutat e para të ditës së re. Disa ditë përpara kësaj, djemtë e rinj beqarë kanë zgjedhur prijësin e vet – një burrë të martuar, i cili di të gjitha këngët e kolendarëve dhe i mësojnë bashkë me të. Këto këngë nuk janë pak – sepse ka tekste për secilin pjesëtar të familjes, për njerëzit e të gjitha moshave dhe me profesione të ndryshme. Në shumë rajone të Bullgarisë ky rit zbatohet deri në ditët tona. Mendohet, se në shtëpinë, ku kolendarët kanë kënduar këngët me urimet e tyre, gjatë vitit të ri do të hyjë e mira dhe mbarësia. Njerëzit do të jenë të shëndetshëm, mundimet e tyre do të kurorëzohen me suksese. Krishtlindjet janë një festë e gëzimit të ndarë për fillimin e ri. Sipas zakoneve tona popullore, gjatë ditës fëmijët shkojnë për vizitë në shtëpinë e prindërve të tyre. Që në mëngjes fillojnë vizitat edhe tek kumbarët e familjes, tek ustallarët të bashkimeve zejtare.

Jepen dhurata – kulaçe, pula të pjekura, verë dhe raki. Sipas traditës në sheshin e qytetit apo të fshatit hidhet një valle e madhe. Tryezat festive janë plot e përplot me mish të pjekur, byrekë. Si në Natën e Buzmit ashtu edhe gjatë kësaj dite pihet verë dhe raki të zier. Shumë bullgarë deri më sot respektojnë traditat. Bile në qoftë se janë larg atdheut nuk harrojnë të shtrojnë në tryezë gjellët tradicionale bullgare me rastin e festës. Nuk harrojnë të këmbejnë urime të mira me pjesëtarët e tjerë të familjes. Çfarë do qofsh të ishte viti, vjen fillimi i ri.

Ne nga Radio Bullgaria nga zemra Ju urojmë festa të lumtura dhe të këndshme!

Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Foto: BGNES dhe Shutterstock; Foto-Collage: Mihaill Dimitrov
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени