Në qoftë se dikur gjendeni në rrethet e shkencëtarëve bullgarë përtej kufirit, të entuziastëve, të cilët e organizojnë jetën e komuniteteve bullgare në të gjitha pikat e planetit, ndër bashkatdhetarët tanë nga diasporat historike në Serbi, Moldavi, Ukrainë, pa dyshim do ta ndieni dashurinë e madhe në zemrat e këtyre njerëzve ndaj Bullgarisë.
Disa nga iluministët më të mëdhenj bashkëkohorë do t’i gjejmë pikërisht ndër bullgarët jashtë shtetit. Shumica prej tyre janë në të vërtetë njerëz, të cilët krenohen për frymën rilindëse bullgare, për të cilët fjalët “Bullgaria” dhe “bullgar” nuk janë klishe, por kanë një përmbajtje të madhe” – tha në një intervistë për gazetën “Trud” prof. Vlladimi Pençev, studiues i bashkësive bullgare të migracionit.
Fjalët e tij i ripohojnë edhe video-mesazhet, me të cilat njerëzit nga e gjithë bota iu përgjigjën iniciativës së Nënpresidentes Ilijana Jotova “Bullgaria e Zgjuar”. Ajo i inkurajoi fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit nga bashkësitë bullgare përtej kufirit për ta shprehur lidhjen e tyre me Bullgarinë, me të kaluarën dhe të ardhmen e saj.
Megjithëse themi se Bullgaria është kudo në botë, ku tingëllon gjuha bullgare, del se Bullgaria është madje atje ku lidhja me gjuhën është ndërprerë. E paharrueshme është historia e një trashëgimtari të bullgarëve në Uruguai, i cili tregoi një tabelë prej bronzi me mbishkrimin “Bullgar” nga dyqani i gjyshit dhe gjyshes së tij, tabelë kjo e cila e ka shoqëruar familjen e tij në Bolivi, Argjentinë, Uruguai. “Nuk i njoh gjyshin dhe gjyshen time, por një ditë gjeta një tabelë prej bronzi. Kështu hyra në kontakt me rrënjat e mia” – thotë në spanjisht Nelson Avdalov.
Deri tani për iniciativën “Bullgaria e Zgjuar” janë marrë shumë video-letra nga dhjetëra qytete që nga Argjentina deri në Australi, nga Peruja, SHBA-ja, Spanja, Britania e Madhe, Gjermania, Hungaria, Sllovenia, Sllovaki, Çekia, Turqia, Shqipëria, Moldavia, Ukraina, Kazakistani.
“Jam shumë e emocionuar, sepse nëpërmjet kësaj iniciative ne formuam një imazh të mrekullueshëm të vendit tonë”, tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Nënpresidentja Ilijana Jotova. Ajo zgjodhi pikërisht programin shumëgjuhësh të BNR-së që të arrijnë fjalët e saj tek sa më shumë njerëz.
“E dimë se fjala bullgare “buditell” (iluminist) nuk ka ekuivalent të saktë në asnjë gjuhë të huaj. Shpeshherë ne i bëjmë pyetje vetes se cilët janë iluministët bashkëkohorë. Këta janë pikërisht bullgarët, të cilët jetojnë jashtë shtetit. Ata janë iluministë, sepse krijuan ansamble koreografike, përhapën famën e folklorit bullgar, të shkrimtarëve bullgarë, të kulturës dhe gjuhës bullgare. Prandaj u drejtohem atyre dhe i falënderoj!”
“Për herë të radhës u binda se ne arrijmë ta ruajmë shpirtin bullgar, pavarësisht se vazhdimisht ka dyshime, madje po flasim se kombi ynë po zhduket, sepse kemi problem demografik. Kur i shihni këto materiale dhe i dëgjoni këta zëra, mbetet përshtypja më e rëndësishme, se kombi, populli dhe shteti ynë janë të përjetshëm, thjeshtë duhet të gjejmë njerëzit, të cilët të na udhëheqin mirë, që të mund të kthehet pjesa e madhe e këtyre bullgarëve, të cilët e kanë kërkuar vetveten jashtë.”
Potencialin e këtij ndryshimi Ilijana Jotova e sheh në përpjekjet e përbashkëta të bullgarëve:
“Kohët e fundit jam optimiste, sepse po shoh një shoqëri të zgjuar civile, e cila nuk pranon padrejtësitë, mungesën e ligjeve dhe faktin se jemi populli i vendit më të varfër dhe të prapambetur në Bashkimin Evropian. Shpresoj shumë tek të rinjtë, sepse me vullnetin dhe energjinë që demonstrojnë ata do t’i bëjnë edhe bashkatdhetarët tanë jashtë për t’u kthyer. Jam e bindur në këtë!”
KËTU mund të shihni disa prej video-mesazheve.
Foto: BGNES, Facebook, arkiv
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva