Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çmime vjetore për biznes me përgjegjësi sociale

Përfaqësues të firmave me projekte të mira në dobi të shoqërisë
Foto: BTA
Forumi bullgar i liderëve të biznesit, i cili bashkon mbi 200 kompani bullgare dhe të huaja që punojnë në Bullgari, për herë të tetë të radhës dorëzoi çmimet vjetore për biznes me përgjegjësi sociale. Me to dallohen kompani me praktika të mira në dobi të shoqërisë, kapitalit njerëzor, arsimit dhe mjedisit. U nominuan 59 projekte në kategoritë “Investitor në kapitalin njerëzor dhe kushtet e punës”, “Investitor në shoqëri”, “Investitor në dituri”, “Investitor në mjedis” etj.

Përgjegjësia sociale korporative tashmë është një element i detyrueshëm i strategjive të firmave në Bullgari. Shumica e tyre shfaqin kujdes për punonjësit e tyre, për shoqërinë dhe mjedisin. Kompanitë anëtare të Forumit të liderëve të biznesit kanë mbështetur disa qëllime të rëndësishme për shoqërinë. Me mjetet e mbledhura nga ballot bamirëse ato kanë ndihmuar gra të reja të bëhen nëna, duke u siguruar mundësi për procedura in vitro. Më shumë për veprimtaritë bamirëse tregon presidentja e Forumit të liderëve të biznesit, Maria Shishkova: “Vitin e kaluar me mjetet e dhuruara në ballon bamirëse mbi 130 gra kishin shansin për mjekim, sepse kauza tjetër që ne mbështetim është lidhur me luftën kundër kancerit të gjirit. Kjo do të thotë se mund të ruajmë mbi 130 jeta, mbi 130 familje të mbeten së bashku dhe të jetojnë të lumtura.”

Çmimin e parë në kategorinë “Investitor në marketing të lidhur me një kauzë” e mori kompania për prodhim të kosit “Danone Serdika” për projektin e përbashkët me fondacionin “Dimitër Berbatov” – “Aktivë dhe të shëndoshë”. Projekti inkurajon aktivitetin fizik të fëmijëve. “Danone” dhuroi një përqindje të shitjeve të kosit dhe bashkë me financimin e fondacionit “Dimitër Berbatov” mblodhën 250 mijë leva për ndërtimin e pajisjeve të reja sportive. “Në qoftë se vitin e kaluar investuam mjete në 9 shkolla, gjatë vitit 2011 kemi në plan të investojmë në 109”, premtuan nga “Danone”.

“Në të ardhmen së bashku do ta ndihmojmë sportin bullgar, do t’i ndihmojmë fëmijët që të kemi një brez të ardhshëm të fortë dhe të shëndoshë – tha ministri i sportit Svilen Nejkov. – Në bisedimet tona me ministrin e financave Simeon Djankov jemi shumë afër formimit të lehtësimeve tatimore për kompanitë, të cilat investojnë në këtë fushë.”

Në kategorinë “Investitor në kapitalin njerëzor dhe kushtet e punës” çmimin e fitoi Hewlett Packard Bullgaria për mundësinë që 4000 njerëz të rinj të punojnë dhe të grumbullojnë përvojë në kompaninë botërore në fushën e teknologjive të informacionit. Sasha Bezuhanova, menaxhere e Hewlett Packard Bullgarisë tha:

“Mendoj se me vendet e punës që krijuam ne ndihmojmë që industria bullgare në fushën e teknologjive të informacionit të bëhet e aftë e konkurrencës. Sepse ata të rinj nesër mund të nisin një biznes të vet, ata dalin në treg me dituri dhe aftësi të reja dhe do të jenë të aftë të konkurrencës në botë. Kjo është e rëndësishme në një mjedis global.”

Çmimin në kategorinë “Investitor në dituri” e mori Microsoft Bullgaria për pajisjen e shkollave me sisteme kompjuterike dhe softuer të brezit të ri. I përdorin 165 mijë nxënës dhe mësues në shkollat bullgare. Në kategorinë “Investitor në shoqëri” çmimin e parë shkoi te Raiffeisenbank, e cila ka mbështetur me mjete financiare 70 projekte të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, në fushën sociale dhe në mbrojtjen e mjedisit. Operatori mobil Globul u bë “Investitor në mjedis” për shkak të nismës Globul Green, e cila përfshinte një seri projektesh afatgjata për përdorimin përgjegjës të resurseve dhe materialeve, si edhe partneritet publik-privat për realizim të ideve për ruajtjen e mjedisit.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Millka Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Paga minimale do të rritet me 144 leva vitin e ardhshëm

Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me të cilin paga minimale do të rritet nga 933 leva në 1077 leva në vitin 2025. Rritja është 15.4% ose 144 leva, tha ministri i çështjeve sociale Ivajllo Ivanov. Vendimi i qeverisë është në zbatim të ndryshimeve..

botuar më 24-10-23 3.21.MD

FMN parashikon një inflacion prej 2.8% në Bullgari për vitin 2024

Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 2.3% këtë vit. Këtë e tregon përmbledhja më e fundit e ekonomisë botërore e përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e prezantuar sot, 22 tetor, në Uashington. Kjo është një rënie në krahasim me..

botuar më 24-10-22 6.30.MD

Qeveria e përkohshme do të zbatojë ligjin dhe paga minimale bëhet 1077 leva (545 euro)

Paga minimale nga viti 2025 do të jetë 1077 leva (545 euro), tha për bTV ministri në detyrë i punës dhe politikës sociale Ivajllo Ivanov. Kodi i Punës përshkruan se si llogaritet paga minimale dhe ajo është 50% e pagës mesatare. “Kjo është e..

botuar më 24-10-21 10.08.PD