Gjatë këtij viti pritet një valë e re falimentimesh të kompanive dhe ndërmarrjeve bullgare në fusha të ndryshme të ekonomisë. Prognozat janë të nënpresidentit të Dhomës Ekonomike Bullgare, Kamen Kolev, dhe u bazohen analizave të fundit të organizatës. Një nga shkaqet është gjendja e keqësuar financiare e firmave dhe shtimi i kredive të këqija.
Statistika zyrtare tregon se pjesa e këtyre kredive ka arritur 18% të vëllimit të përgjithshëm të kredive të lëshuara nga bankat. Të dhënat e ekspertëve të Dhomës Ekonomike tregojnë se detyrimet korporative tejkalojnë dy herë PBB-në të vendit. Kjo do të thotë se për çdo lev të prodhuar, biznesi hyn në detyrime me 2 leva ndaj buxhetit, furnizuesve, bankave, punonjësve. Në SHBA ky raport është një me një, ndërsa në BE detyrimet përbëjnë 137% të PBB-së. Del se kapitali i biznesit bullgar është me 70% më i vogël se detyrimet e tij. Parashikimet e ekspertëve nga Dhoma Ekonomike Bullgare janë se sivjet ky problem do të thellohet. Me rritjen e falimentimeve të ndërmarrjeve dhe kompanive, do të rriten dhe detyrimet midis firmave, kurse bankat do të forcojnë presionin që të mbledhin kreditë.
“Në të vërtetë është arritur kufiri i detyrimeve, deri në të cilin një ndërmarrje ose një kompani tregtare mund të mbijetojë. Tashmë jemi afër pikës kritike, pastaj vijnë falimentimet – komentoi presidenti ekzekutiv i Dhomës Ekonomike Bullgare Bozhidar Danev. – Pasojat e një dukurie të tillë në ekonomi janë reduktim i numrit të vendeve të punës dhe kufizim i veprimtarisë së ndërmarrjeve.”
Çfarë tregojnë analizat e Dhomës Ekonomike Bullgare?
Sipas të dhënave paraprake, detyrimet e ndërmarrjeve gjatë vitit 2010 janë rritur me 3% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur shifrën rekorde 161 miliardë leva (mbi 80 miliardë euro). Ekspertët pohojnë se firmat nuk kanë mjaft mjete për shpenzimet për lëndët e para dhe materialet, si edhe për të paguar kreditë bankare dhe rrogat e punonjësve. “Firmat thjesht nuk kanë mundësi të paguajnë”, komentoi të dhënat nënpresidenti i Dhomës Ekonomike Kamen Kolev. Analiza tregon se 80% të detyrimeve të ndërmarrjeve janë midis vetë firmave. “Kjo tregon se mjedisi ekonomik në Bullgari nuk është i favorshëm dhe e vë biznesin në një situatë të rrezikshme”, tha presidenti i Dhomës Ekonomike Bozhidar Danev.
Një problem tjetër i kompanive bullgare janë detyrimet ndaj bankave. Sipas ekspertëve të Dhomës Ekonomike, mjedisi i biznesit keqësohet dhe për shkak të rritjes së çmimit të kreditimit bankar. Nivelet mesatare të interesave të kredive arritën 12%. Të dhënat e Dhomës Ekonomike tregojnë tendenca paradoksale. Gjatë të dy vjetëve të fundit vërehet pakësim i vendeve të punës, por njëkohësisht administrata është rritur me 6%. Pjesa më e madhe e detyrimeve të kompanive janë tatimet dhe sigurimet e papaguara. Në klasifikimin e borxhlinjve në vendet e para janë degat që u prekën më fort nga kriza – tregtia, ndërtimi dhe sektori i pronave të patundshme. Njëkohësisht shteti dhe bashkitë i rritin edhe më shumë detyrimet midis firmave, duke vonuar pagesat e prokurimeve publike që tashmë janë zbatuar. Shteti për shembull i detyron biznesit 833 milionë leva (mbi 400 milionë euro). Nga Dhoma Ekonomike Bullgare këmbëngulin për aplikimin e direktivave evropiane, sipas të cilave kompanitë shtetërore janë detyruar t’u paguajnë nënzbatuesve në afat deri në një muaj pas zbatimit të prokurimit.
Cilët sektorë janë kërcënuar nga falimentimi?
“Në vend të parë ndërtimi – është kategorik presidenti i Dhomës Ekonomike Bullgare Bozhidar Danev. – Sivjet rreth 1500 firma nuk u regjistruan në dhomën e ndërtimit, që do të thotë se e ndalin veprimtarinë. Lajmi i mirë është se shumica e kompanive të ndërtimit nuk kanë aktive serioze. Natyrisht, një pjesë e madhe e falimentimeve do të jenë në tregti dhe në sektorin e shërbimeve, sepse kërkimi i konsumatorëve u pakësua shumë. Këto janë procese të paevitueshme, të cilat do ta shërojnë ekonominë. Kriza ka këtë ndikim pozitiv se shëron deformimet e disa degëve. Pra, sektorët realë të ekonomisë bullgare, të cilët kanë dhe njohje ndërkombëtare, fillojnë të bëhen sinjalizuesit e ekonomisë, dhe jo sektorët e zhvilluar në mënyrë spekulative.”
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..
Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..
Prioritetet kryesore të biznesit – anëtarësimi në Eurozonë dhe Shengen me bazë tokësore, mbeten në plan të dytë. Ata janë motorët që mund t'i japin një shtysë ekonomisë dhe mungesa e një qeverie të rregullt i pengon ato të arrihen, tha për BNR..