Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Mjekësia në epokën e trakëve të lashtë

Disa nga instrumentet kirurgjike të gjetura në fshatin Karanovo
Foto: doc. Krasimir Koev
Njeriu bashkëkohor gjithnjë e më vështirë mund të befasohet nga zbulimet në mjekësinë moderne. Tashmë u mësuam me teknologjitë e larta, të cilat janë në shërbim të mjekëve të sotëm dhe madje bëjmë prognoza për të ardhmen e mjekësisë. Rrallë kthehemi në të kaluarën dhe zakonisht ky krahasim na bën që të ndihemi krenarë për përparimin e madh të mjekësisë moderne. Mirëpo del se edhe qytetërimet e lashta mund të na befasojnë.

© Foto: doc. Krasimir Koev


Para disa vitesh një ekip prej arkeologësh bullgarë zbuloi në fshatin Karanovo, i cili gjendet afër qytetit Nova Zagora në Bullgarinë Jugore, një nekropol me 26 tumula nga fundi i shekullit të parë dhe fillimi i shekullit të dytë të erës së re. Një prej zbulimeve është një karrocë me katër rrota të mëdha dhe skeletet e dy kuajve. Zbulimi tjetër interesant i specialistëve, të udhëhequr nga arkeologu Veselin Ignatov, është lidhur me njohuritë mjekësore të trakëve të lashtë. Ja komenti i doktor Krasimir Koevit, docent i oftalmologjisë në Universitetin e Mjekësisë në Sofje: “Në Bullgari, si dhe në shumicën e vendeve në botë, nuk është zhvilluar mirë arkeologjia mjekësore. Mirëpo, ajo mund ta ndihmojë sqarimin e shumë çështjeve mjekësore. Në një prej tumulave të zbuluara trake afër fshatit Karanovo, për shembull, është varrosur një mjek i respektuar. Afër tij janë gjetur 18 instrumente kirurgjike. Përpunimi i tyre është prej bronzi, kurse inkrustacioni mbi to është prej argjendi dhe bronzi. Është kureshtare se këto instrumente dallohen shumë pak nga ato bashkëkohore. Ky zbulim vërteton zhvillimin e lartë të shkencës mjekësore në epokën e trakëve të lashtë dhe në përgjithësi në lashtësi. Një prej instrumenteve të gjetura për shembull ngjan shumë me “Lugën e Davielit.” Ky është një instrument, me të cilin zhvillohen operacione të perdes së brendshme të syrit. Është përdorur për herë të parë në vitin 1741 nga francezi Zhak Daviel – mjek personal i mbretit Ljudovik XV. Është zbuluar gjithashtu dhe një vegël, e cila ngjan shumë me veglën, e cila përdoret për operacionin e halacionit, ky është byci kronik në sy. Janë zbuluar dhe disa pinca, të cilat janë identike me pincat e tanishme kirurgjike.”

Sipas oftalmologut të njohur ka nevojë për më shumë studime të hollësishme të këtyre zbulimeve. Tani për tani nuk ka të dhëna se vegla të tilla janë gjetur diku tjetër. Doktor Koevi mendon se veglat e këtij mjeku të lashtë trak janë përdorur për operacione të vështira në një ekip prej disa specialistësh. Kjo nga ana e vet e bën për të menduar se trakët kanë pasur një formë të organizuar mjekimi spitalor.

“Prania e këtij kompleti prej instrumentesh mjekësore të mjekut të varrosur trak në një prej 26 kodërvarreve të zbuluara në Karanovo tregon jo vetëm statusin e lartë social të mjekut. Në fakt ky mjek ka qenë pothuaj në një nivel me udhëheqësit trakë, gjë që tregon rëndësinë e madhe të shkencës dhe praktikës mjekësore në epokën e trakëve të lashtë” – shënon docent Koevi.”

© Foto: doc. Krasimir Koev

Ekipi i arkeologëve bullgarë

Ai jep dhe shembuj të tjerë për nivelin e lartë të mjekësisë në lashtësi. Në vendbanimin më në verilindje në Bullgari, Durankullak, janë zbuluar kafka njerëzish nga përpara dhjetë mijë vitesh. Mbi to janë zbuluar gjurma prej trepanacioni (hapje vrime në kockë), por nuk janë gjetur instrumente. Trepanacione të tilla sipas Krasimir Koevit janë kryer nga actekët dhe majanët. Qëllimi për popullarizimin dhe ruajtjen e trashëgimisë historiko-kulturore në Bullgari e bën doktor Koevin dhe akoma disa intelektualë bullgarë për të krijuar shoqërinë “Velika Bolgaria” (Bullgaria e Madhe”). Kryetar i saj është gazetarja Patricia Kirillova, kurse ndër themeluesit e shoqërisë është dhe profesori Evgenij Saçev, i cili është specialist i trashëgimisë historiko-kulturore dhe sigurimit kombëtar. Pikërisht gjatë një ekspedite, të organizuar nga kjo shoqëri, docent Koevi u njoh me këto zbulime në fshatin Karanovo dhe me veglat kirurgjike të trakëve të lashtë, të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik në Nova Zagora.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Lina Ivanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Arkeologët kanë zbuluar një varrim të pasur të një luftëtari trak të epokës romake

Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..

botuar më 24-08-22 5.56.MD

Arkeologët zbuluan më shumë se 500 monedha të lashta në Filipopollin e vjetër

Arkeologët zbuluan në Plovdiv më shumë se 500 monedha nga periudha të ndryshme dhe shufra ari për të bërë bizhuteri. Gjetjet janë nga gërmimet e shpëtimit në rrëzat e Qytezës së Vjetër pranë portës së madhe lindore të Filipopollit të lashtë. Në epokën..

botuar më 24-08-19 7.10.PD

Fjetja e Hyjlindëses lavdëron dashurinë e pamasë të Nënës së Zotit

E quajnë Virgjëreshën e Shenjtë Nëna e Jetës së vërtetë, e cila me lutjet e saj shpëton shpirtrat e njerëzve nga vdekja. Ajo është më e dashura dhe më e lavdëruara pas Zotit, tek e cila të gjithë i drejtohen. Kisha e nderon atë më 15 gusht, Ditën e..

botuar më 24-08-15 5.25.PD