Doc. Vesellka Tonçeva studion bashkësinë e goranëve në Shqipëri që prej vitit 2008. Pohon se goranët kanë arritur të ruajnë zakonet e tyre në forma shumë të vjetra. Dy fakte, sipas saj, kanë ndikuar në këtë konservim zakonesh. Së pari regjimi i Enverit, kur Shqipëria ka qenë e izoluar nga bota e jashtme dhe së dyti – gjendja gjeografike. Mali Sharr në Shqipëri sikur është më pak i kalueshëm se zonat malore në Kosovë. Udha për në Gorën e Shqipërisë nuk ka qenë e shtruar në krahasim me rrugët e asfaltuara te goranët në Kosovë që nga periudha e Jugosllavisë. E gjitha kjo i bën goranët në Shqipëri të paarritshëm dhe përkatësisht vështirëson studimin e tyre. Ja pse specialistja bullgare ka drejtuar vëmendjen e saj pikërisht ndaj goranëve në Shqipëri. Botimin e vetëm shkencor për ta e ka nxjerrë Nazif Dokle nga fshati Borje. Fjalori i tij gorançe-shqip është botuar nga shtypshkronja e Akademisë Bullgare të Shkencave “Prof. Marin Drinov”.
Libri “Gora e panjohur” i specialistes Tonçeva ka për qëllim që të regjistrojë format e vjetra të zakoneve te goranët. E sotmja është mjaft dinamike dhe modelet e vjetra të ekzistencës së goranëve zhduken dalëngadalë. Gjithsesi shumë prej tyre funksionojnë edhe sot e kësaj dite. Autorja rrëfen për marrëdhëniet paramartesore dhe thekson se dasma bëhet sipas vullnetit të të rinjve. Nuk hasen raste të ndërmjetësisë nga ana e prindërve. Kur djalit i pëlqen ndonjë vajzë, ai dërgon tek ajo ndërmjetës, së shpeshti një djalosh. Ky i fundit ia bën vajzës pyetje a dëshiron të ketë marrëdhënie me djalin. Nëse vajza mohon, atëherë çështja nuk shtrohet më, por në qoftë se ajo pohon, atëherë çifti i dashuruar bëhet “gledanici”. Kjo është periudha e parë e marrëdhënieve në mes të rinjve. Ata takohen fshehurazi. Djali shkon nën dritaren ose në gardhën e shtëpisë së vajzës, flasin me anë të celularit, por nuk deklarojnë publikisht dashurinë për njëri-tjetrin. Në periudhën e dytë të marrëdhënieve të rinjtë bëhen “dedanici”, d.m.th. i kanë premtuar njëri-tjetrit se do të martohen. Pastaj prindërit e djalit shkojnë te prindërit e vajzës që ta kërkojnë atë nuse. Kjo është etapa e parë e fejesës. Etapa e dytë ose fejesa zyrtare është kur në shtëpinë e vajzës mblidhen më shumë të afërm nga ana e djalit. Atëherë sillen dhurata, kurse vajza i jep djalit një shami. Fejesa mund të zgjatë nga një deri në disa vite. Dasma bëhet kur të mblidhen para ose kur djali të kthehet nga kurbeti. “Kalon kohë gjatë së cilës të dashuruarit e dinë se i janë dhënë njëri-tjetrit, por realisht akoma nuk i përkasin njëri-tjetrit”, vë në dukje specialistja Tonçeva. Ajo e përshkruan këtë moment si shumë emocionues dhe njëkohësisht shumë karakteristik për bashkësinë e goranëve. Sepse sot shumë pak të rinj i rezistojnë kohës të pritjes së partnerit, kurse për goranët kjo është me shumë rëndësi.
“Dasma zgjatë dy ditë, sqaron doc. Vesellka Tonçeva. – Ditën e parë bëhet nga ana e familjes së vajzës, ndërsa ditën e dytë – nga ana e familjes së djalit. Në shtëpinë e vajzës shkojnë petkaxhinj (te goranët quhen “alishtari”). Këta janë vetëm burra – babai, daja dhe disa kushërinj. Numri i tyre duhet të jetë tek. Petkaxhinjtë i sjellin vajzës rroba dhe stoli. Ditën e dytë ajo duhet të mbajë këto dhurata. Mysafirët priten me mish. Koka e kafshës së therur i jepet dajës. Në dasmën te goranët daja luan një rol shumë të rëndësishëm. Sipas studiuesve figura e dajës ka qenë me shumë vlerë edhe te fiset e lashta. Çdo copë mishi që shpërndahet është e përcaktuar. Një moment shumë interesant në dasmë është flamuri. Në fshatin Shishtavec, ku isha e pranishme në dasmë, kishte dy flamuj. Këta nuk ishin flamuj kombëtarë. Sipas traditës, familja, së cilës i ka vdekur djali që në moshë të re, i pamartuar, e përgatit flamurin. Në të varen fotografia e djalit të vdekur, çorapet e tij dhe sende të tjera. Një flamur i tillë shoqëron çdo dasmë. Besohet se në këtë mënyrë djali i vdekur do ta gjejë nusen e tij në botën e atyre që nuk jetojnë më. Dasma fillon me marrjen e flamurit dhe përfundon me kthimin e tij. Flamuri haset në çdo rit të dasmës, kurse marrja e flamurit të dasmës shoqërohet me curle. Para se të shkojnë për të marrë nusen, në shtëpinë e djalit bëhet rruajtja e dhëndrit që e bën një shok të tij. Kur të nxirret nusja nga shtëpia, luhet valle burrash. Goranët e quajnë vallen “kallacojna”. Sot banketi bëhet në lokal, në të kaluarën e kanë organizuar në shtëpi. Megjithëse nusja është veshur me fustan të bardhë, pasi ka kaluar natën e parë në shtëpinë e dhëndrit, ajo vishet me kostum. Para natës së parë të martesës, ka një rit shumë interesant. Ky është riti i hapjes së syve të nuses. Një djalosh shkon tek ajo dhe i këndon “hap sy, mbyll sy”. Figura e djaloshit gjithashtu është me rëndësi në dasmën e goranëve. Çifti i ri patjetër duhet të trashëgohet me djalë. Ja pse kur të nxirret nusja nga shtëpia, i jepet në dorë një djalë, që foshnjë. Kjo bëhet në mënyrë simbolike që të lindë ajo djalë.”
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..
“Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara do të ketë një ndikim negativ në politikën evropiane në tre dimensionet kryesore, përkatësisht mbrojtjen dhe sigurinë, ekonominë dhe politikën – të paktën nga ajo që kemi si deklarata dhe nga..
Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..