Gjithnjë e më shumë prova dëshmojnë një tezë të guximshme në shikim të parë. Sipas saj, jo trojet e Mesopotamisë janë djepi i qytetërimit tonë, por... Gadishulli i Ballkanit. Dëshmitë e zbuluara prej një kulture shumë pak të njohur, që paraprin atë egjiptiane dhe shumere, përqendrojnë vëmendjen e shkencëtarëve, duke kthyer në 180 gradë përfytyrimet tona për lashtësinë. Mbetjet nga jeta e kësaj shoqërie të lashtë gradualisht po dalin nga hiri i historisë që të na kthejnë 6-7 mijëvjeçare mbrapa në kohë, kur në trojet tona ka lulëzuar një qytetërim i panjohur me një shkallë jashtëzakonisht të lartë të zhvillimit. Është fjala për një periudhë, që paraprin me së paku një mijëvjeçar Shumerin dhe Akadin.
Një prej dëshmive më emblematike për këtë qytetërim enigmatik është floriri nga nekropoli i Varnës (vitet 4400 – 4100 para Krishtit), i cili është i njohur si floriri më i vjetër i përpunuar në botë. Në ditët tona stolitë elegante ekspozohen në muzetë më të njohura në botë, duke përhapur emrin e Bullgarisë. Nga po kjo epokë është edhe vendbanimi parahistorik afër qytetit Provadija, që ka lindur pranë kripores së lashtë buzë Detit të Zi. Banorët e tij kanë shënuar prosperitet në saj të kripës, e cila dikur ka qenë monedha kryesore në qarkullim. Çfarë mund të themi për “qytetin e liqenit” në ishullin pranë fshatit Durankullak, ku kanë mbetur rrënojat e arkitekturës më të lashtë në Kontinentin e vjetër nga para mijëvjeçarit të shtatë?
Nga po kjo epokë është edhe tuma “Junacite” (“Trimat”) pranë qytetit Pazarxhik. Arkeologët prej vite e studiojnë këtë rajon, të mbuluar me gjurma nga Halkoliti. Aktualisht ekipi i doc. Javor Bojaxhievit zbulon një mur kalaje me trashësi mbi 4 metra, që ka rrethuar dikur qytetin me rruga, banesa etj. “Supozojmë se ky është qyteti më i lashtë në Evropë” – shpjegon doc. Bojaxhievi dhe shton, se gjetjet më të hershme në tumë janë nga mijëvjeçari i V-të para Krishtit. Qyteti shtrihej mbi një sipërfaqe prej 120-150 dynymësh. Është kureshtare, se territoret midis lumenjve Tigër dhe Efrat, vendbanime me sipërfaqe të tilla lindin 1 500 vjet më vonë. “Sipas studiuesve që kanë punuar në Mesopotami, vendbanime me sipërfaqe mbi 7-8 dynym konsiderohen si qytete – thotë doc. Bojaxhievi. – Kështu që sipas standardeve të Mesopotamisë mund të pohojmë, se është fjala për një qytet. Përveç kësaj kemi strukturë e cila më vonë bëhet përcaktuese për qytetet. D.m.th. kemi një vendbanim të madh, ku në pjesën e tij më të ngritur ndodhet fortifikimi ose citadela. Ky është parimi i rregullimit të çdo një qyteti të lashtë – prania e pjesës së fortifikuar brenda tij, e cila në rast nevoje strehon popullsinë. Atje zakonisht jeton elita, atje ka zanate etj. “Ndërsa në tumën “Junacite” kemi dëshmi për një kulturë të zhvilluar shumë më përpara se qytetet më të hershme tashmë të njohura. Ky është një monument historik, në të cilin jeta me ndërprerje të vogla, ka vazhduar nga mijëvjeçari i V para Krishtit deri në Mesjetë – këto janë gjashtë mijëvjeçare të tëra!”
Si dukej ky qytet i lashtë? Supozohet, se banorët e tij janë marrë kryesisht me peshkim në lumin e afërt Topollnica. Kanë jetuar jo në kolibe, por në shtëpi të rehatshme, të ndërtuara me thupra të ndërthurura me qerpiçë. Shtëpitë e tyre shtriheshin sipërfaqe prej 80-120 metrash katror, pjesë prej godinave kanë qenë në dy kate. “Këto ndërtesa nuk dallojnë shumë nga shtëpitë prej qerpiçësh nëpër fshatrat tona para 70-80 vjetëve” – shpjegon doc. Bojaxhievi. Fragmentet qeramike të zbuluara në vend, ndër të cilat ka dhe dhjetëra figura fantastike të zogjve, janë ekspozuar në Muzeun Historik të Pazarxhikut. Deri tani janë zbuluar vetëm dy rrugë, pritet të studiohet pjesa qendrore e citadelës. “Këtu kemi gjetur enë me shenjë mbi to, të cilat japin arsye të flasim për zanafillën e një shkrimi të lashtë” – pohon doc. Bojaxhievi. Në fakt para disa vjetësh dëshmi të tilla për një “proto-shkrim” ishin zbuluar edhe në afërsi të Vracës, të cilat shkaktuan polemika të shumta në rrethet e shkencëtarëve. Ja dhe shpjegimi i doc. Bojaxhievi:
“Kjo është epokë, kur në Evropë maja e qytetërimit është pikërisht Gadishulli i Ballkanit. Në Bullgari ka shumë tuma të vendbanimeve. Një pjesë prej tyre mund të jenë të ngjashme me ato të tumës “Junacite”. Ky është një qytetërim i njohur më në veçanti nga nekropoli i Varnës nga epoka e Halkolitit, por ai është vetëm maja e ajsbergut. Unë mendoj, se mund të flasim bile për zanafillën e një proto-shteti të lashtë, i cili ndoshta mund të jetë më i hershmi në botë. Flas për tërë këtë kulturë, e cila shtrihet nga rajoni i Karpateve deri te Detin Egje. Sepse tashmë kemi mjaft monumente të cilat na japin arsye të mendojmë, se njerëzit kanë pasur një organizim shumë të lartë të udhëheqjes së centralizuar.”
Në fillim të mijëvjeçarit të IV para Krishtit në trojet tona depërtojnë fise të egra nga stepet, të cilat në fakt asgjësojnë këtë kulturë të panjohur. Skeletet e hirta të njerëzve ndër rrënojat e shtëpive të tyre me mbetjet e armëve, me të cilat janë vrarë konfirmojnë këtë tezë. Depërtimi i armikut çoi në asgjësimin jo vetëm të vendbanimit pranë tumës “Junacite”, por edhe të qytetërimit në fjalë nga periudha e Halkolitit në trojet tona. Më vonë, në epokën e bronzit, jeta këtu përsëri lindi, por niveli kulturor ishte shumë më i ulët. Nga prosperiteti dhe shkëlqimi i dikurshëm i njerëzve nga periudha e Halkolitit kanë mbetur vetëm një thesar i artë, fragmente qeramike dhe... legjenda.
Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Fotografi: Veneta Nikollova
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e..
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum..