Bullgaria u radhit në fund të klasifikimit dhe është ndër “djemtë e këqij” në BE pasi bashkë me Kroacinë, Francën, Italinë dhe Portugalinë u gjend në listën e vendeve, ku ka mungesë të madhe bilance, gjë që kërkon veprime vendimtare politike dhe monitorim konkret.
Kjo është në përgjithësi, por është thënë në disa faqe, me gjuhën e burokracisë dhe të diplomacisë, në një pako prej rekomandimesh specifike për shtetet-anëtare të BE-së, të përgatitur nga Komisioni Evropian dhe të paraqitur në fund të javës së kaluar në Bruksel. Bëhet fjalë për rekomandime ndaj 28 vendeve për arritjen e një rritjeje ekonomike dhe njëkohësisht për rritjen e të ardhurave të popullsisë në saje të zhvillimit të një politike të arsyeshme fiskale. Thënë shkurtimisht “dhe mishi të piqet, dhe helli të mos digjet”. Rekomandimet paraqiten çdo një pranverë si element i Semestrit Evropian – mekanizmi i BE-së për koordinimin e politikave ekonomike të vendeve-anëtare.
Vlerësimi i radhës për Bullgarinë i Organit Ekzekutiv të Bashkimit nuk është absolutisht negativ, por nuk është kaq pozitiv, siç pritej. Ai markon disa pluse, por kjo nuk mjafton, që të shpërndahen dyshimet se vendi është një faktor potencial risku për BE-në.
Kështu ndaj monitorimit tashmë tradicional të Komisionit Evropian mbi sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit shtohet akoma një listë e gjatë prej kritikash suplementare ndaj Bullgarisë, duke filluar nga politika fiskale e gjer te sistemi i pensionimit.
Autorët e dokumentit nuk i harrojnë edhe tronditjet në sektorin bankar gjatë verës së vitit 2014, të lidhura me falimentimin e bankës së katërt për nga madhësia në vend – Banka Korporative Tregtare. Ata shënojnë se ka të meta institucionale dhe në lëmin e mbikëqyrjes në Bullgari. Atyre nuk u pëlqen politika fiskale, sepse masat për mirëmbajtjen e një deficiti prej 2.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk janë mjaftë konkrete, kurse legjislacioni tatimor vazhdon të jetë një sfidë e vërtetë për Bullgarinë, sepse nuk ka strategji të tërësishme për respektimin e tij.
Shumë të rënda janë vlerësimet edhe për shëndetësinë. Sipas Komisionit Evropian ajo duhet të zgjidhë një sërë problemesh, ndër të cilat janë rezultatet e dobëta dhe shkalla e ulët e financimit. Brukseli konstaton gjithashtu se papunësia strukturore në Bullgari po thellohet, sidomos ndër të rinjtë. Në të njëjtën kohë sistemi i arsimit është me një cilësi shumë të ulët dhe nuk përgatit krah të kualifikuar pune për ekonominë. Në qendër të kritikave është dhe sistemi i pensionimit, pasi 1.2 mln pensionistë marrin pension nën pragun e varfërisë në vend.
Le t’i pranojmë si njëfarë qetësimi fjalët e Pier Moskovisitë, zëvendëskryetari i Komisionit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare. Sipas tij asnjë vend-anëtar nuk ka marrë sigurime se gjithçka është në rregull dhe se pikërisht për këtë shkak çdo një prej tyre merr rekomandime.
Mirëpo, në qoftë se e shikojmë dokumentin nga një pikëpamje tjetër, nëpunësit në Bruksel praktikisht flasin gjëra të njëjta për të metat akoma pas aderimit të vendit tonë në BE në vitin 2007. Bullgaria ishte dhe vazhdon të jetë vendi më i varfër në BE. Në Bullgari kishte dhe vazhdon të ketë disa oligarkë, të cilët në vitet e anëtarësisë sonë në BE i përmirësuan metodat e tyre për të tërhequr në dobi të tyre resurset e shoqërisë. Në Bullgari kishte dhe vazhdon të ketë korrupsion në nivelet e larta të pushtetit. Dhe në fund akoma një kritikë. Në vlerësimin e Komisionit Evropian për Bullgarinë theksohet se varfëria dhe përjashtimi social i popullsisë rome janë në një nivel shumë të lartë dhe shumica e romëve të rinj as punojnë, as mësojnë, as arsimohen. Mendoj se kjo është maja e hipokrizisë burokratike. Ka pak të ngjarë të ketë një vend tjetër në BE, ku romët të tolerohen kaq shumë, kështu qe të udhëtojnë falas në transportin shtetëror, të mos paguajnë faturat e rrymës elektrike, të mos sigurohen, por të përdorin falas shërbimet e shëndetësisë dhe askush nuk mund t’i pyesë se pse vijnë në spital, pasi nuk sigurohen.
Por le të kthehemi në Bruksel. Rekomandimet specifike të Komisionit Evropian ndaj çdo një vendi-anëtar do të shqyrtohen në nivel ministrash gjatë muajit qershor, pasi miratohen nga udhëheqësit shtetërorë dhe qeveritarë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel më 25 dhe 26 qershor. Pas kësaj vendet-anëtare të BE-së do të fillojnë t’i realizojnë, duke i përfshirë në politikat e veta dhe në buxhetin shtetëror për periudhën 2015-2016, ose të paktën do të simulojnë veprimtari në këtë drejtim... deri në rekomandimet e tjera pranverore të Komisionit Evropian!
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, u dëgjua nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian. Ai tha se disa nga kujtimet e tij më të bukura janë nga Bullgaria, por akuzoi Sofjen për ngecje të integrimit evropian të..
Një kandidat pro-rus po kryeson në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, me një pjesëmarrje prej mbi 52%, kandidati i pavarur Calin Georgescu, i cili nuk ishte në..
Deputetët bullgarë dëshmuan në praktikë thënien se nëse përsëritet e njëjta gjë, nuk mund të pritet një rezultat tjetër. Sot ata u mblodhën në sallën plenare për provën e gjashtë për të zgjedhur kryetar i Kuvendit Popullor, e cila sërish rezultoi e..
Formimi i shumicës është një detyrë mjaft sfiduese në një parlament shumë të fragmentuar. Më vjen mirë që KuvendiPopullor po fillon të punojë, tha..