Një pajisje e lashtë astronomike, ose një grumbull i rastit prej blloqesh gjigante shkëmbore? Një vend i shenjtë i fisit të lashtë trak të odrisëve ose një dukuri natyrore? Ka pak të ngjarë që shkencëtarët të arrijnë pëlqim se çfarë pikërisht përbën i ashtuquajturi megalit afër fshatit të Kazanllëkut Buzovgrad. Por ka një gjë të sigurt – po të ndodhesh buzë këtij megaliti do të mbetesh i mahnitur. Kush e ka krijuar këtë grumbull kolosal prej copash shkëmbore në buzë të hendekut? A është e mundur që këta shkëmbinj kolosalë të jenë fryt i natyrës, ose ata janë vepër e krahut të njeriut?
Tani, tek monumenti emblematik, i cili ndodhet mbi Luginën e Trëndafilave, tashmë ka akses më i mirë për turistët. Kjo u përket dhe akoma disa kurioziteteve historike dhe natyrore në rajon. Vjeshtën e kaluar u hap një shteg turistik, i cili çon te fshehtësitë e të ashtuquajturit “Pyll i Mesëm i Kaprojve”.
Njerëzit e lashtë kanë besuar se lindja e diellit simbolizon lindjen e njeriut, kurse perëndimi – vdekjen dhe kalimin në mbretërinë e të vdekurve. Stërgjyshërit tanë kanë ndërtuar observatorë të tyre astronomikë dhe vende të lashta shkëmbore, ku e kanë pritur dhe e kanë dërguar diellin, duke drejtuar lutje ndaj perëndive. Supozohet se megaliti afër Buzovgradit është përdorur pikërisht për këtë. Nëpërmjet grumbullimit të blloqeve të ngurta, në pjesën qendrore të pajisjes është formuar një “dritare” drejtkëndore, kështu qe ditën e solsticit veror rrezet e fundit të diellit të kalojnë me një saktësi të madhe përmes vrimës shkëmbore. Prandaj vendasit e quajnë megalitin “Derën e Perëndisë”. Supozohet se pajisja daton që në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, por jo të gjithë shkencëtarët janë unanimë se bëhet fjalë për një vend të lashtë.
Disa prej tyre mendojnë se struktura jospecifike është thjeshtë një lojë e natyrës dhe e fantazisë së njeriut. Trakologu i vdekur bullgar prof. Aleksandër Fol identifikoi në vend një fron, një vend kurbani, si dhe një humnerë, të cilat njerëzit e lashtë i kanë përdorur për rituale fetare. Megaliti, sipas tij, është në një prej majave të një trekëndëshi. Në këndet e tij të tjera ndodhet kodra Goljamata Kosmatka dhe Sevtopolis – e cila është zhytur nga liqeni artificial Koprinka dhe ka qenë kryeqytet i fisit trak odrisë. “Rajoni është unikal – ai është plotë kodra trake dhe vende të lashta” – thotë Krëstjo Petkov, sekretari i shoqatës turistike “Foleja e Shqiponjave” në qytetin fqinj Kazanllëk. Vjeshtën e kaluar bashkia e fshatit Buzovgrad bashkë me disa vullnetarë nga shoqata bënë një shteg turistik, i cili çon te megaliti fenomenal i njohur si “Stonehenge-i bullgar”. Itinerari mund të kalohet për rreth dy orë e gjysmë dhe përfshin akoma disa kuriozitete historike dhe natyrore, si për shembull gjurmët e kështjellës së antikitetit të vonshëm Buzovo Kale, të ndërtuar gjatë shekullit 5-6.
“Ajo ka mbrojtur rrugët veriore të malit Sredna Gora, nga ku njerëzit kanë vëzhguar tërë Luginën dhe grykët e malit përballë Stara Pllanina – na shpjegon Krëstjo Petkov. – Fortifikata disponon një plan shumë të vështirë. Ajo është dislokuar në shpatin e pjerrët, i cili na çon te një burim buzë malit. Atje shtrihet një pamje shumë e bukur. Në rajon janë shpërndarë edhe gjurmët e të ashtuquajturit Çerkovishta. Këta janë tempuj të Antikitetit të vonshëm i mijëvjeçarit 4-6 pas Krishtit. Supozohet se janë përdorur nga popullsia e vendbanimeve buzë malit Sredna Gora dhe nga garnizoni, i cili ka ruajtur dhe ka punuar në kështjellë. Shtegu i ri ekologjik na çon edhe deri te varreza trake me të ashtuquajturat “esharë”, ose “vatrat e kultit”. Ajo përbëhet prej një korridori dhe një dhome funerale, ndërtuar nga blloqet e granitit. Është zbuluar para dy vitesh, por ende po punohet mbi të, kështu qe ende nuk është siguruar akses për turistët. Megjithatë kalimi është shumë i këndshëm dhe hapen pamje të mrekullueshme drejt Luginës” – na shpjegon zoti Petkov.
Copëzat e mëdha prej guri, që janë shpërndarë si lodra fëmijësh në mes të malit Sredna Gora, e provokojnë imagjinatën. Po t’i shohësh me një vëmendje më të madhe, do të dallosh ndër to figura kafshësh, fytyra njerëzish dhe madje ..... organe njerëzore. I tillë është rasti i të ashtuquajturit “Guri Mashkullor”, deri në të cilin na çon një degëzim i itinerarit. Një “konstruksion” të tillë gjejmë shumë afër megalitit. Vendasit e quajnë “Gurin atëror”, kurse trakët e kanë përdorur për ritualet e tyre të lidhura me pjellorinë dhe forcën. Mirëpo këto janë vetëm supozime. Disa dyshime shkaktojnë edhe disa teori, sipas të cilave hullitë e gdhendura janë vepër e stërgjyshërve tanë. Vendasit thonë se ato janë më tepër rezultat i dorës së njeriut. “Janë bërë prej druri, i cili vendoset brenda shkëmbit dhe në këtë mënyrë guri çahet në një vijë të drejtë” – thotë Krëstjo Petkov. Shko te ky kënd i virgjër në shkëmb në çastin e perëndimit të diellit, ngrihu në blloqet e mëdha shkëmbore dhe shiko përmes vrimës drejt horizontit. Do ta ndiesh erën e ftohtë të përjetësisë. “Këtu kaloi në botën e përtejme prof. Aleksandër Fol (1933-2006), zbuluesi i megalitit” – është shënuar në një pllakë përkujtimore, të vendosur nga ndonjë njeri i panjohur te pajisja mijëvjeçare. A ka arritur të zbulojë profesori disa mistere, tek të cilat tani për tani nuk kemi qasje? Nuk është e qartë nëse dikur do ta kuptojmë të vërtetën, por të paktën mund të fantazojmë pak!
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva"Sofja për fillestarët në 55 hapa" - kështu quhet turi turistik i kryeqytetit bullgar, i organizuar nga Ndërmarrja Komunale "Turizëm" (Visit Sofia). Turneu me këmbë falas është i përshtatshëm për njerëz të të gjitha moshave, zgjat 1 orë e 45 minuta..
Pushimet mund të jenë të paharrueshme jo vetëm buzë detit, ose në mal, por edhe me një shëtitje në plazhet e egra të Danubit. Secili nga qytetet përgjatë brigjeve të lumit të madh na jep mundësi që të shtrijmë një ombrellë dhe të shkelim në rërat..
"Bullgaria - magnetike dhe e bukur" - me këtë titull, blogerët bullgarë të udhëtimit prezantojnë disa nga vendet më magnetike në vendin tonë. Ekspozita me fotografi unike të realizuara nga udhëtarët mund të shihet në hyrjen e Kopshtit Detar në Varna..