Më 15, 16 e 17 korrik në Bullgari bien të Nxehtat – ditët më të nxehta të stinës së verës. Këto ditë janë me origjinë pagane dhe kanë të bëjnë me kultin i zjarrit. Ritet lidhur me të Nxehtat janë të përhapura kryesisht në Bullgarinë Veriore dhe Perëndimore, por i gjejmë po ashtu në rajone të tjera të vendit. Dikur populli bullgar ka besuar se adhurimi i zjarreve sjell mbarësi e pjellori në bujqësi e blegtori, si dhe mbarësi në familje.
Në mbrëmjen e 15 korrikut shuhet zjarri në oxhak që të parandalohet shpërthimi i zjarrit në shtëpi. Në disa rajone të zonjat e shtëpisë hedhin kripë guri në hirin e zjarrit. Besohet se hiri i merr fuqitë e zjarrit dhe po të hidhet në ujin e beqarit, ky i fundit do të bjerë në dashuri. Ditën e dytë, pra më 16 korrik nuk lejohet ndezja e zjarrit, kurse më 17 korrik bëhet ceremonia e ndezjes së zjarrit të ri.
Në punimet e etnografit bullgar Dimitër Marinov lexojmë se “po ta lash trupin me ujë të ngrohtë që buron nga toka, në 3 ditët e nxehta, do të jesh me shëndet të mirë gjithë vitin”.
Në malet Rodope dhe Stranxha në ditën e tretë të të Nxehtave bie Shën Marina. Populli bullgar beson se ajo i mbron njerëzit nga zjarret, stuhitë, breshëritë e gjarpërinjtë. Në kalendarin popullor Shën Marina quhet Marina e Zjarrtë. Në ëndrra ajo shfaqet si këshilltare për problemet e popullit. Në këtë ditë grave u është ndaluar qepja, bile nuk lejohet t’i afrohen ndonjë fijeje, ndryshe gjatë verës do të shkelin gjarpër helmues.
Bullgarët besojnë se Shën Marina i ndihmon vajzat e reja që të gjejnë dhëndër, mbron po ashtu gratë dhe nënat. Shën Marina kujdeset për lindjen e foshnjës, kuron shterpësi dhe sëmundje të tjera femërore, si dhe sëmundje lëkure e syri. Më 17 korrik fillon periudha e ndejave, të cilat janë pjesë e rëndësishme e jetës së popullit bullgar.
Besohet se më 17 korrik zjarri zbret nga qielli. Në këtë ditë në mes të sheshit të fshatit dy burra, qoftë binjakë, qoftë familjarë me të njëjtin emër, duke fërkuar shkopinj të thatë, e ndezin zjarrin e ri, atë të “gjallë” e të “Zotit”. Pasi që është ndezur zjarr i madh, gjithë fshati e kapërcen atë për shëndet të mirë. Bagëtia po ashtu e bën atë për pjellori. Sipas përfytyrimeve popullore zjarri i vjetër nuk është i aftë më për të mbrojtur shtëpinë nga syri i keq, dhe prandaj në shtëpi sillet nga zjarri i ri. Ky i fundi nuk duhet të shuhet deri më 15 korrik të vitit të ardhshëm që të ketë mbarësi në familje. Në këtë ditë festojnë farkëtarët, bukëpjekësit dhe poçarët, pra ata që punojnë me zjarr. Herët në mëngjes të zonjat e shtëpisë pjekin bukë dhe e lyejnë atë me mjaltë. Pas kësaj e ndajnë në mes të komshinjve që të jetë e mbarë puna e të shokëve.
Në Ditën e Shën Marinës bëhet kurban, shtrohen sofra për të gjithë në afërsi të kishave dhe ujërave shëruese. Bëhet po ashtu riti i larjes së trupit. Të Nxehtat janë ndër ritet më popullore për mbrojtjen nga zjarret.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..
Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..
Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..