Supozohet, se qyteti i lashtë legjendar Kabile mban emrin e hyjnisë trake nënë Kibella, pamja e së cilës është e rikrijuar mbi reliefin e shenjtores shkëmbore “Zajçi Vrëh”. Pikërisht në rrezet e këtij observatori i lashtë astronomik formohet një nga vatrat më të mëdha tregtare dhe kulturore në kufijtë e Trakisë së dikurshme. Kabile është qyteti i vetëm trak, i cili është i studiuar plotësisht. Rrënojat e tij shtrihen afër qytetit të sotëm Jamboll. Sot disa prej gërmadhave të këtij vendbanimi të vjetër janë të rindërtuara dhe të konservuara. Artefaktet e zbuluara në rajon zbukurojnë vitrinat e koleksionit të Muzeut Modern ndërtuar në hyrjen e këtij rezervati arkeologjik me mjete të projektit evropian.
Në territorin e qytetit të moçëm Kabile nuk ka ndonjë qytet modern. Kjo padyshim lehtëson studimet arkeologjike dhe konservimin e tij. Supozohet, se themelet e këtij vendbanimi u hodhën në fund të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit. Me kalimin e shekujve qyteti u zmadhua, u ndërtuan muret e fortifikuara dhe kullat mbrojtëse, banesat, rrugët, tempujt. Në vitin 341 para Krishtit Aleksandër Makedonski pushtoi qytetin. Mirëpo, pas shpërbërjes së perandorisë së tij të fuqishme Kabile prapë hyri në trojet e fisit trak odrisi dhe u bë rezidencë e mbretërve Spartok dhe pak më vonë edhe të atyre Skostok. Në fund të shekullit III dhe në fillim të shekullit II para Krishtit Kabile ishte një nga qytetet më të zhvilluara në këtë pjesë të Evropës me afro 7 mijë banorë. Arkeologët zbuluan rrënojat e një tempulli të hyjnisë Artemida, e cila konsiderohej mbrojtëse e popullsisë vendore, gërmadhat e një altari të Apolonit, të godinave të banimit dhe tregtare, të një sheshi të madh, të një depoje të drithërave e kështu me radhë.
“Duke gjykuar nga artefaktet e zbuluara mund të bëhet konkluzioni se popullsia ishte tepër e pasur” – është i bindur Stefan Bakërxhiev – drejtor i Muzeut Rajonal Historik në qytetin Jamboll. Enët e punuara mirë, stolitë e pasura fine, amforat e shumta me vula dhe mbishkrime nga troje të largëta – të gjitha këto flasin për një popullsi të pasur, e cila ishte e hapur drejt botës dhe ndikimit të jashtëm. Kabile dispononte edhe një punishte për prerjen e monedhave të bronzta dhe të argjendta me figurën e hyjnisë Artemida. Më vonë gjatë Epokës Romake, qyteti u shndërrua në një nga kampet më të mëdha ushtarake në provincën e Trakisë. “Këtu u zbuluan dhe u studiuan afro 15 objekte arkitekturore. Ndër ta janë fragmente nga mure të kështjellës trake me kulla mbrojtëse, dy banja romake, dy kazerma të mëdha dykatëshe, një lagje të madhe, që daton nga epoka e antikitetit të vonshëm, tempuj nga epoka e hershme e krishtere e kështu me radhë” – tregon Stefan Bakërzhiev. Disa prej këtyre ndërtesave u restauruan dhe u konservuan. Ato janë të arritshme për turistët.
“Kabile është një nga qendrat më të mëdha nga epoka e krishterimit të hershëm, që u gërmua në trojet e sotme bullgare – vazhdon zoti Bakërxhiev. – Bazilika e tij, që daton nga shekulli IV ndoshta është më e madhja për nga sipërfaqja tek ne. Sipas burimeve historike Severus – episkopi i Kabilesë mori pjesë në Tubimin e Dytë Igumenik që u mbajt në Serdika në vitin 342. Nuk është e rastit se këtu ka dy kisha e krishterimit të hershëm. Njëra prej tyre është baptisteri. Një pjesë prej mozaikëve të kishave mund të shihen në muzeun që është pranë. Supozohet, se rajonin e populluan të krishterët më të hershëm në këtë pjesë të Evropës.”
Mirëpo, si shumica e qyteteve të moçme, ashtu edhe Kabile përjetoi vitet e shkëlqimit dhe rënies. Pasi ekzistonte më se një mijë shekuj e gjysmë qyteti i pushtetarit Aleksandër Makedonski, i mbretërve të odrisëve Spartok dhe Skostok dhe të legjionarëve romakë, vdiq. Në fund të shekullit VI në të depërtuan fiset barbare.
“Ndoshta ata ishin avarë, sllavë, protobullgarë të hershëm – shpjegon Stefan Bakërxhiev. – Në atë kohë kishte edhe një tërmet i madh, i cili ndryshoi rrjedhjen e lumit të afër Tunxha. Me lëvizjen e shtratit të këtij lumi me dy kilometra anës, sistemi i përsosur i asaj kohe i kanalizimit përfundoi së ekzistuari. Si rezultat njerëzit filluan të shpërngulen.”
Ky ishte fundi i vendbanimit Kabile – një qytet legjendë, lavdia e të cilit përhapej anë e mbanë në botën antike. Sot nga vatra e dikurshme tregtare dhe kulturore shihen vetëm rrënojat dhe artefaktet e mrekullueshme, të rregulluara në muzeun pranë këtij rezervati arkeologjik. Ndërsa për jetën dhe mënyrën e jetesës së banorëve të tij mësojmë nga spektaklet e organizuara posaçërisht, në të cilët entuziastë të veshur si legjionarë romakë, japin shfaqje interesante para vizituesve të rezervatit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografi: Veneta Nikollova
Muzeu Historik i qytetit Tërgovishte ndodhet në një godinë të vjetër në lagjen e lashtë Varosha. Në të ruhen më se 30 mijë eksponate muzeore, më të vjetrit prej të cilëve janë nga koha e neolitit. Ato sende janë të zbuluara nga arkeologët pikërisht në..
“Në ritmin e kohës” – kishte shkruar një mjeshtër i grafiteve mbi monumentin e Ushtrisë Sovjetike në Sofje, ku secila prej figurave ushtarake ishte bojatisur me ngjyrat e heronjve me popullaritet nga stripat bashkëkohorë. Në ritmin e kohës përpiqet të..
Shtëpia e lindjes së Apostullit të Lirisë Vasill Levski – ideolog dhe organizator i revolucionit kombëtar bullgar në shekullin e XIX, është ndër muzetë memorialë më të vizituar që nga e kaluara e edhe më sot. Shtëpia e Apostullit të Lirisë Bullgare në..