Javën e kaluar dy ngjarje provokuan një ngrohje të vërtetë në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Rusisë, të cilat kohët e fundit ndodhen në një fazë tepër të ftohur nga pikëpamja tregtaro-ekonomike dhe politike. Them “ngrohje bërthamore”, sepse të dy ngjarjet kanë të bëjnë me energjinë bërthamore bullgare, e cila në fakt është krejtësisht ruse. Më parë ishte nënshkruar një marrëveshje për zgjatjen e jetës së njëri prej dy reaktorëve të centralit tonë të vetëm bërthamor, që ndodhet në bregun e lumit Danub në qytetin Kozlloduj. Zgjatja do të jetë me 30 vjet. Reaktori është prodhim rus dhe tani do të modernizohet përsëri nga rusët në bashkëpunim me specialistë francezë. Ndoshta një marrëveshje e tillë me konsorciumin Rusatom-EDF do të nënshkruhet edhe për reaktorin tjetër të centralit në Kozlloduj. Tani për tani nuk është e qartë sa do të kushtojë kjo, mirëpo dihet vetëm se dy reaktorët sigurojnë korrentin më të lirë në Bullgari dhe 33% prej tërë konsumimit të shtetit. Të gjitha palët janë të kënaqur pas arritjes së kësaj marrëveshjeje.
Të njëjtat emocione pozitive shkaktoi edhe një ngjarje tjetër – zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis kompanisë ruse Atomstroieksport dhe Kompanisë Elektrike Kombëtare të Bullgarisë. Para dhjetë vitesh kompania bullgare vendosi të rifillojë një projekt bërthamor nga vitet e 80-të të shekullit të kaluar për ndërtimin e centralit të dytë bërthamor tek ne, përsëri në bregun e lumit Danub – këtë herë në Belene. Për këtë arsye pala bullgare i porositi rusët dy reaktorë. Më vonë parlamenti vuri veto mbi projektin, i cili tashmë ndodhej në një etapë të përparuar – edhe nga pikëpamja e infrastrukturës së ndërtuar bullgare, edhe nga pikëpamja e pajisjes teknike ruse. Rusët kryenë punën e tyre, prodhuan dy reaktorët dhe kërkuan paratë e tyre. Po, mirëpo Bullgaria s’kishte as para për të paguar, as nevojë për këto reaktorë. Sivjet gjatë qershorit Gjykata e Arbitrazhit vendosi se Bullgaria duhet t’i paguajë Rusisë 600 mln. euro plus kamatat për çdo ditë vonesë. Këtë javë gjithçka u rregullua – bullgarët premtuan se do paguajnë deri në mesin e dhjetorit, rusët hoqën dorë nga kamatat për 50 mln. euro dhe bile ranë dakord t’i magazinojnë makinat, derisa pala bullgare të vendosë se çfarë do të bëjë me to. Tani presim Brukselin, i cili do të na thotë a mund shteti t’i japë Kompanisë Elektrike Kombëtare ndihmë prej 600 mln. eurosh. Sepse ky veprim mund të vlerësohet nga partnerët tanë evropianë si ndihmë e palejuar shtetërore dhe mund të na sanksionojnë. Bullgarët janë optimistë dhe bile thanë se do të preferojnë të paguajnë një gjobë eventuale, sesa të heqin dorë nga marrëveshja e favorshme me Moskën. Vështirë dilet jashtë orbitës së rusëve.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Pasi, për të shtatën herë radhazi, brenda tre viteve, Bullgaria zhvilloi zgjedhjet e saj parlamentare, rezultatet e votimit hodhën dritë mbi disa lojëra prapaskenash. Një detaj në dukje i vogël në numërimin e votave për partinë “Veliçie”, e cila nuk arriti..
Politikanët bullgarë uruan Donald Trump për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së. Urime Donald Trump për fitoren zgjedhore, shkroi presidenti Rumen Radev në rrjetin social “X”. "Kam besim se dialogu ynë efektiv në nivelin më të lartë do të vazhdojë..
Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në qytet vazhdon të funksionojë, pavarësisht fshirjes nga regjistri qendror, njoftoi BTA, duke iu..