Panorama e parë e Kulturës Bullgare në qytetin brazilian Fortaleza mbaroi në fund të shkurtit. Në Centro Dragão do Mar de Arte e Cultura, në kuadrin e 17 ditëve u paraqit art figurativ, muzikë, kinema, letërsi. Organizatori kryesor është Instituti Kulturor Brazilian “Zenon Barreto”, kurse motori i vërtetë i ngjarjes është zonja Nara Vaskonselos, drejtoreshë ekzekutive e institutit (Zenon Barreto Cultural Institute). Para disa vitesh ajo ka qenë drejtoreshë e teatrit në Fortaleza – qyteti i saj i lindjes. Nara është pianiste, kurse familja e saj ka vendosur të banojë në Bullgari gjatë disa viteve të fundit. Dy djemtë e saj Davi dhe Pedro mbaruan arsimin e tyre muzikor në Bullgari. I shoqi Frederiko Barreto gjithashtu është muzikant, është bir i Zenon Barretos – piktor i njohur brazilian, skulptor dhe skenograf.
“Po banoj në Sofje tashmë 10 vjet dhe e dua shumë Bullgarinë – tregon Nara. – I dua shumë njerëzit, natyrën, kulturën e vendit tuaj. Ideja për ta organizuar Panoramën e Kulturës Bullgare lindi pas një bisede me pianisten prof. Borisllava Taneva, e cila më tha se ka një dëshirë të madhe për të interpretuar muzikë në Brazil. Vendosa se kjo është një ide e mrekullueshme dhe menjëherë fillova t’i planifikoja ngjarjet. Shumë artistë u përfshinë, dhjetëra institucione na përkrahën. Përveç muzikës klasike të interpretuar nga Borisllava Taneva, ne organizuam një panoramë kinematografike, në afishen e së cilës u përfshinë 17 filma. Hapja zyrtare e aktivitetit ishte me filmin “Gjykata” me regji të Stefan Komandarevit. Filmi u pranua shumë mirë. Ky film i bukur i tronditi të gjithë. Paraqitëm gjithashtu filmin “Zhytja e Sozopolit” të Kostadin Bonevit, “Prokurori, mbrojtësi, babai dhe biri i tij” të Iglika Trifonovës etj. Duhet të them se për herë të parë paraqiten filma bullgarë në Fortaleza, kurse interesi në rrethet kulturore atje ishte shumë i madh. Letërsia bullgare gjithashtu e tërhoqi vëmendjen e publikut. Paraqitëm “Cikli Brazilian” – poezi e Elisaveta Bagrjanës, e përkthyer nga Maria da Gia Silva Lita, një braziliane e martuar me një bullgar, që banon në Fortaleza. Duhet të shënojmë edhe pjesëmarrjen speciale të Illko Minevit – një bullgar, i cili banon në Manaos tashmë 40 vjet. Në panoramë u paraqitën dy libra të tij. Një sukses të madh korri ekspozita prej fotografish – “Shikimi drejt Bullgarisë” – fotografitë janë bërë nga disa brazilianë dhe një francez, të cilët banojnë në Bullgari, ose kanë qenë në vend. Shumë interesante për publikun ishte ekspozita “Në kafene”, me kolazhe të shkëlqyeshme të Orlin Atanasovit. Galeria Figurative e Qytetit në Varna dhuroi koleksionin “Grafika bullgare”. Ajo do të paraqitet më vonë në qytetin Brazilia, në San Paolo, në Londrinë dhe në qytete të tjera ku ka bullgarë. Publiku atje do të shohë edhe koleksionin e vogël prej simbolesh bullgare, të cilët janë të pranishme në qilimat tradicionalë bullgarë. Kjo më kushtoi shumë punë, por më solli një kënaqësi të madhe. Shpresoj se do të vazhdojmë me paraqitjen e kulturës bullgare në atdheun tim.”
Pianistja prof. Borisllava Taneva, zëvendës rektore e Akademisë Muzikore Kombëtare “Panço Vlladigerov”, një pedagoge dhe kompozitore e njohur, dha në Brazil disa koncerte. Në teatrin “José de Alencar” ajo paraqiti një program, të krijuar krejtësisht prej veprash bullgare.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Për shkak të interesimit të madh për ekspozitën “Deçko Uzunov. Krijesat. 125 vjet nga lindja e piktorit” Galeria e Arteve të qytetit të Sofjes e zgjati ekspozitën me vepra të tij deri më 9 tetor. Ekspozita prezanton mbi 90 vepra në zhanret e..
Na ishte njëherë e një kohë një lagje e jashtëzakonshme. Prej saj filloi ndërtimi i Sofjes së Vjetër, sepse ndodhej midis Pallatit dhe stacionit - rruga kryesore që bënte lidhjen e jetës në qytet. Në këtë hapësirë njerëzit jo vetëm plotësonin nevojën e..
Në vjeshtën e vitit 1992, nëpërmjet një urdhri të Këshillit të Ministrave në Bullgari, u krijua Agjencia për Bullgarët Jashtë Shtetit për të koordinuar politikën shtetërore ndaj bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën. Kryetari i parë, Georgi Danaillov,..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë..