Banesat e neolitit në Stara Zagora janë një monument i jashtëzakonshëm historik me rëndësi botërore. Ato janë një prej 100 objekteve turistike kombëtare. Në muzeun, që ngrihet mbi vetë zbulimet arkeologjike mirëmbahet temperaturë dhe lagësirë e përhershme, që të ruhen këto pasuri arkeologjike. Këto janë vendbanime parahistorike, ku kanë banuar njerëz që në neolitin e hershëm – mijëvjeçari 7-6 para Krishtit deri në epokën e bronztit – mijëvjeçari i tretë para Krishtit. Gjatë vitit 1968 gjatë punimeve ndërtimore atje u gjetën enë prej qeramike dhe sende të tjera. Studimet e mëtejshme zbuluan një ndërtesë prej dy katesh, për të cilën mendohet se është “Shtëpia e ruajtur më mirë në Evropë nga kjo epokë”, na shpjegon asistenti Petër Kallçev – drejtori i Muzeut Historik Regjional Stara Zagora.
“Njeriu ndien emocion të madh para mbeturinave të kësaj banese, sepse përfytyron mënyrën e jetesës të njerëzve nga përpara 8000 vitesh në këtë vend. Shtëpitë i kanë ndërtuar duke shtypur shkopinj të thatë dhe të lyer në tokë në një distancë prej 25 – 30 centimetrash. Shufrat e hollë kanë formuar një strukturë prej druri, të lyer me argjilë të përzier me kashtë. Çatia gjithashtu ka qenë prej druri dhe e mbuluar me kashtë. Shtëpia është e qëndrueshme, me dy kate me lartësi rreth 7 metra. Disa prej shtyllave janë me diametër 18-20 cm.
Këtu ndodhet furra më e ruajtur e kësaj epoke në Evropë. Janë gjetur 11 depo për grurë për familjet që kanë banuar atje. Afër furrës në pjesën më të ngrohtë të banesës ka qenë vendi i fjetjes – një shesh mbi nivelin e dyshemesë. Në katin e parë ka akoma një dhomë me furrë, depo, shumë enë prej qeramike, altarë kulti etj. Pronarët e kësaj banese kanë qenë njerëz inteligjentë dhe racionalë. Ata kanë arritur të krijojnë një shtëpi komode me shumë pak instrumente.”
Ja se çfarë na tregoi zoti Kallçev për zanatet në rajon:
“Njerëzit janë marrë me bujqësi dhe blegtori. Gjatë studimeve konstatohet se rreth 70 për qind prej kockave të gjetura janë të kafshëve shtëpiake. Ato i kanë dhënë popullsisë lesh, qumësht, lëkurë, mish. Kështu qe kjo ka qenë një degë e rëndësishme, krahas bujqësisë. Në shtëpi janë gjetur kokrra të djegura prej gruri. Në fakt dimensionet e grurit të rritur para 8000 vitesh në këtë regjion i përgjigjen përmasës së grurit në Evropë gjatë shekullit XIX. Pas zbulimit të metalit të parë – bakri, popullsia ka filluar të merret me nxjerrje minerali. Janë bërë enë prej qeramike, instrumente prej guri. Zdrukthëtaria ka qenë një prej degëve kryesore, sepse është lidhur me ndërtimin e shtëpive. Këta njerëz janë bujqit dhe blegtorët e parë në këtë rajon. Janë praktikuar edhe zanate të tjera, të cilët e kanë lehtësuar jetën e përditshme të njerëzve.”
Në muze mund të shihet ekspozita “Arti parahistorik në rajonin e Stara Zagorës”. Atje janë paraqitur shembuj të shkëlqyeshëm, të zbuluar gjatë studimeve arkeologjike të vendbanimeve në rajon. Ja se çfarë na tregoi bashkëfolësi ynë për artefaktet, të cilat shkaktojnë interes më të madh:
“Drapërinjtë prej bririt të drerit janë një shpikje inovative e banorëve të lashtë në trojet tona. Në Lindjen e Mesme ato kanë qenë prej druri dhe shumë të rëndë. Këtu, pasi e kanë zhytur bririn në ujë të nxehtë, e kanë dredhur në formën e domosdoshme. Në muze ruhet një kupë, për të cilën mendohet se ka qenë kalendar i lashtë, sepse atje janë paraqitur 365 katrorë të vegjël të bardhë dhe të zinj, simbol i ndërrimit të ditës dhe natës. Janë interesante enët e ritualit në formën e zambakut, në fundin e të cilave është pikturuar shenja solare. Ka sende të përdorura në jetën e përditshme, të zbukuruara me perëndi, drerë, dema. Disa prej eksponateve kanë të bëjnë me rituale të ndryshme – të mbjellat, të korrat, ruajtja e arave nga fatkeqësitë natyrore etj.
Ka plastikë të pasur antropomorfe dhe izomorfe. Desha ta vërë theksin te një prej figurave më të hershme prej mermeri, të gjetura në Evropë – një figurë femre me kofshë dhe kërdhokull të përsosur. Prej brinjës së kafshës është bërë një figurë femre me stoli prej bakri, një rrip dhe gjunjëse. Një enë antropomorfe me kokë dhe trup kafshe është paraardhësi i sfinksit të Egjiptit. Këtu është byzylyku më i hershëm i artë, i zbuluar në trojet tona në një banesë të halkolitit të hershëm- nga fillimi i mijëvjeçarit të pestë para Krishtit. Ky është një byzylyk fëmije prej ari të papunuar. Ekspozita tregon kulturën e jashtëzakonshme, shijen estetike dhe mjeshtërinë e njerëzve, të cilët i kanë krijuar këto sende të bukura.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: museum.starazagora.net
Mbi një shkëmb të madh mbi lumin Asenica ngrihet një kështjellë e paarritshme për armiqtë. Aje lartë mbi shkëmbinjtë e shqiponjave, fortesat e veta i kanë ngritur trakët, romakët, bizantinët, njerëzit e ardhur nga pjesa perëndimore e Evropës,..
Pranë njërit prej burimeve karstike të Devnjes në provincën romake Mizia e Poshtme (Moesia inferior) është ndalur perandori Trajan (Marcus Ulpius Trajanus, 98- 117г.) me ushtrinë e tij. Motra e tij Marcija ka dërguar shërbyesen të sjellë ujë , por..
Gjatë vitit 2000 arkeologu dr. Georgi Kitov dhe ekipi i tij zbuluan kodërvarrin Roshava Çuka afër fshatit Aleksandrovsko të rrethit të Haskovos, një varrezë trake nga shekulli i V para Krishtit, e cila bën përshtypje me arkitekturën e jashtëzakonshme..