Në një mbledhje të jashtëzakonshme ditën e diel qeveria miratoi projektin e buxhetit shtetëror për vitin 2019. Kryeministri Borisov e quajti një prej buxheteve më ambicioze që nga fillimi i tranzicionit deri tani dhe shtoi se shteti nuk ka qenë kurrë deri tani në një kondicion kaq të mirë. Një vlerësim të ngjashëm dha edhe ish-Ministri i Financave që nga koha e qeverisjes së Bashkimit të Forcave Demokratike – Muravej Radev. Sipas tij ky buxhet është jo vetëm më bujar nga të gjitha të deritanishmet, por është gjithashtu i balancuar shumë mirë, jo sepse disponon më shumë mjete nga përpara, por edhe sepse parashikon deficit pothuajse zero pa pasur rritje të tatimeve. Pas kësaj do të ketë debat dhe miratim të buxhetit në Parlament, por nuk priten ndryshime të konsiderueshme.
Pritet që shpenzimet e thesarit shtetëror gjatë vitit 2019 të jenë 22,730 mlrd euro, ose me 2 607 mlrd euro mbi ato të pritura për këtë vit. Buxheti për vitin 2019 është përgatitur në sfondin e rritjes reale të Produktit të Brendshëm Bruto prej 3.7 për qind, të inflacionit mesatar vjetor prej 3 për qind dhe të papunësisë prej 4.8 për qind – tregues, të cilët flasin për optimizmin nga ana e pushtetarëve.
Bujaria e buxhetit është sidomos e madhe në tri sfera – politika sociale, arsimi dhe mbrojtja dhe forcat e sigurisë. Që nga fillimi i vitit 2019 paga minimale do të rritet nga 261 eurot e tanishme në 286 euro. Paga dhe kontributet në administratën shtetërore dhe bashkiake do të rriten me 10 për qind, ndërsa ato të personelit pedagogjik – me 20 për qind. Pensionistët do të kenë aktualizim prej 5.7 për qind të pensioneve të tyre që nga data 1 korrik. Kjo, krahas rritjes së prodhueshmërisë, do të çojë në përmirësimin e pagimit të punës në vend mesatarisht me 8.4 për qind, ose mjaftë mbi inflacionin e parashikuar. Pritet që kjo të stimulojë konsumimin, që është një prej motorëve kryesorë të rritjes së PBB-së. Sindikatat jo vetëm se i duartrokitën rritjet e parashikuara, por edhe deklaruan se që prej kohe nuk kanë parë një buxhet kaq social. Mirëpo, punëdhënësit kanë një sërë vërejtjesh sa i përket pagës minimale, mbulimit të pagesave të raporteve mjekësore dhe rritjes së tavanit të kontributeve për pension. Sipas biznesit ky buxhet nuk e stimulon rritjen ekonomike. Madje me parametra të tilla të buxhetit, bullgarët do të mbeten më të varfrit në BE, ku të ardhurat janë disa herë më të larta nga ato bullgare. Mirëpo, projektbuxheti i vitit 2019 tregon dëshirën e autoriteteve për të bërë çmos për pakësimin e dallimeve. Në këtë lidhje ata shpresojnë që pagat të rriten edhe në sektorin privat. Duke pasur parasysh faktin se në biznes ka mungesë të madhe të krahut të punës ka shumë të ngjarë që kjo të ndodhë. Në fakt sipas të dhënave gjatë disa viteve të fundit pagat në sektorin privat rriten çdo vit me afro 10 për qind.
Sa i përket financimit të mbrojtjes dhe të forcave të sigurimit ka konsensus se Bullgaria nuk duhet të mirëmbajë një ushtri kaq të vogël dhe të armatosur kaq keq. Vendi ende nuk e ka zbatuar kërkesën e NATO-s që shpenzimet e mbrojtjes të jenë minimum 2 për qind prej PBB-së, por buxheti i ri bën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, duke parashikuar që gjatë vitit 2019 forcat e armatosura të marrin mbi 2,505 mlrd euro, që është rritje prej afro 245 mln eurosh kundrejt vitit të tanishëm.
Në dallim të disa viteve të tjera, kur Ministri i Financave në një prej qeverive të kaluara të vetë Bojko Borisovit kishte thënë se buxheti është si “pizza pa mish”, tani siç duket pizza do të jetë më e pasur për nga produktet. Ministri i tanishëm i Financave Vlladisllav Goranov pret që së shpejti të ketë rritje të vlerësimit të kredive të Bullgarisë, gjë që do të ishte një lajm i mirë për investitorët e huaj.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me të cilin paga minimale do të rritet nga 933 leva në 1077 leva në vitin 2025. Rritja është 15.4% ose 144 leva, tha ministri i çështjeve sociale Ivajllo Ivanov. Vendimi i qeverisë është në zbatim të ndryshimeve..
Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 2.3% këtë vit. Këtë e tregon përmbledhja më e fundit e ekonomisë botërore e përgatitur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e prezantuar sot, 22 tetor, në Uashington. Kjo është një rënie në krahasim me..
Paga minimale nga viti 2025 do të jetë 1077 leva (545 euro), tha për bTV ministri në detyrë i punës dhe politikës sociale Ivajllo Ivanov. Kodi i Punës përshkruan se si llogaritet paga minimale dhe ajo është 50% e pagës mesatare. “Kjo është e..