Minatorët dhe specialistët bullgarë në energjetikë protestuan këto ditët e fundit në Sofje kundër rrezikut nga ndërprerja e prodhimit të qymyrit dhe e funksionimit të termocentraleve për shkaqe ekologjike. Demonstruesit morën përkrahje si nga sindikatat, ashtu dhe nga qeveria, më konkretisht nga Ministrja e Energjetikës Temenuzhka Petkova dhe nga Presidenti Rumen Radev. Ai deklaroi në qytetin Katovice të Polonisë para pjesëmarrësve në konferencën e vendeve që marrin pjesë në Konventën bazë të OKB-së për ndryshimin e klimës se “ambicia për pakësimin e emisioneve të gazrave të serrës nuk u përgjigjet interesave tona kombëtare”, duke nënvizuar se Bullgaria është duke bërë përpjekje për pakësimin e emisioneve me 20 për qind deri në vitin 2020 në krahasim me vitin 1990. Gjatë vitit 2016 ato u pakësuan me 49 për qind në krahasim me vitin 1988 dhe me 4,4 për qind në krahasim me 2015-ën.
Në fakt problemi nuk është i ri. Që me nënshkrimin në vitin 2015 në Paris të Marrëveshjes për Klimën u aplikuan norma të detyrueshme për ndotjen nga termocentralet elektrike. Vjet BE-ja miratoi një dokument të vet, ku me detaje edhe më të mëdha saktësohen kërkesat sa i përket ndotjes së ajrit dhe tregtisë me kuota për gazrat e serrës.
Bullgaria është shumë e prekur nga këto masa ekologjike. Vendi ynë bën përpjekje të mëdha për respektimin e normave ekologjike, por tani për tani ai nuk mund ta ndërpresë prodhimin e qymyrit dhe t’i mbyllë katër termocentralet e veta elektrike që funksionojnë me qymyr në kompleksin “Marica Iztok” dhe sigurojnë 45 për qind të rrymës elektrike të vendit. Në fakt askush nuk do që të mbyllet ky lloj i kapaciteteve energjetike. Masat vetëm imponojnë montimin e instalimeve pastruese, gjë që lejon arritjen e normave të veçanta të ndotjes së mjedisit rrethues. Mirëpo, këto pajisjes janë kaq të shtrenjta se asnjë prej termocentraleve elektrike bullgare, nuk mund t’i sigurojë për shkak të faktit se rryma elektrike që prodhohet për popullsinë dhe biznesin do të bëhet shumë i shtrenjtë dhe nuk do të mund të blihet. Ndotja është një problem që nuk mund të përballet madje nga të ashtuquajturat “elektrocentrale amerikane”, të cilat janë jashtëzakonisht moderne, por punojnë me qymyre linjite me cilësi shumë të ulët nga Pellgu i Minierës së Marica Iztok. Ato përmbajnë shumë pluhur dhe nuk mund të mos e ndotin mjedisin, pavarësisht nga modernizimi i centraleve.
Mirëpo, ekologët botërorë nuk duan që të bëhen kompromise. “Greenpeace” për shembull mendon se autoritetet bullgare preferojnë ta zgjatin jetën e termocentraleve, në vend që të bëjnë përpjekje për zgjatjen e jetës së njerëzve. Përveç kësaj gjithnjë e më shumë dëgjohen zërat, që këmbëngulin për masa edhe më të rrepta. Pikërisht ky është qëllimi i OKB-së në Katovice, megjithë rezistencën e shumë vendeve.
Çfarë mund të bëjnë autoritetet bullgare, që ta shpëtojnë industrinë dhe njëkohësisht me këtë t’i respektojnë standardet e imponuara botërore dhe evropiane? Në rast se shpenzimet për investime në modernizim janë joproporcionale me dobitë ekologjike, pushtetarët në Bullgari kanë mundësi të kërkojnë derogacion, duke respektuar në të njëjtën kohë standardet ekologjike në direktivën e BE-së. “Derogacion” do të thotë se për një periudhë të veçantë kapacitetet energjetike bullgare do të marrin lejë që të mos i respektojnë normat ekologjike dhe vendi ynë nuk do të ndëshkohet për këtë nga BE-ja. A do të ndodhë kjo dhe kur, nuk dihet. Tani për tani për Sofjen mjafton që të blejë kuota gazi. Le të rikujtojmë se Bullgaria u dënua nga Gjykata e BE-së në Luksemburg për shkak të ndotjes së madhe të ajrit në qytete. Mirëpo, Komisioni Evropian ende nuk ka kërkuar nga Gjykata imponimin e gjobave financiare.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES
1454 leva (738 euro) në muaj i nevojiten një personi që punon për të mbajtur veten dhe për të jetuar sipas standardeve bullgare. Për një familje prej tre anëtarësh me dy të rritur dhe një fëmijë, shuma është 2616 leva (1329 euro), sipas Institutit për..
Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, deri në fund të muajit, qeveria e përkohshme duhet të paraqesë në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2025. Sipas disa analistëve ekonomikë në vendin tonë, gjendja e planit buxhetor të shtetit për vitin 2024 ka qenë më e keqja..
Këshilli i Ministrave miratoi një dekret me të cilin paga minimale do të rritet nga 933 leva në 1077 leva në vitin 2025. Rritja është 15.4% ose 144 leva, tha ministri i çështjeve sociale Ivajllo Ivanov. Vendimi i qeverisë është në zbatim të ndryshimeve..