Para pak kohe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) publikoi të dhëna për numrin e shtetasve bullgarë jashtë shtetit. Bëhet fjalë për 2 417 000 veta, ndërsa vetëm në Bashkimin Evropian ky numër tejkalon 1.5 mln veta. Sipas të dhënave të Ministrisë gjatë 7 viteve të fundit nga vendi ynë janë larguar 400 000 bullgarë.
Si formohet dhe si llogaritet saldoja e migracionit të Bullgarisë? Sa në fakt janë bullgarët përtej kufirit? Praktikisht këto pyetje janë kyçe për organizimin e zgjedhjeve për Parlament Evropian gjatë muajit maj. Korrektësia e metodologjive, të cilat pasqyrojnë proceset e migracionit është jo më pak e rëndësishme për regjistrimin e numrit të popullsisë gjatë vitit 2021. Që të kuptojmë se çfarë është situata prapa statistikës, kërkuam mendimin e docentit Spas Tashev nga Instituti për Studimin e Popullsisë dhe Njeriut pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Sipas tij të dhënat e paraqitura nga MPJ-ja për numrin e bullgarëve jashtë kanë befasuar bashkësinë shkencore në Bullgari. Ja vëzhgimet e tij sa i përket bilancit të migracionit të Bullgarisë:
Humbjet e migracionit kanë qenë më të mëdha në periudhën nga viti 1985 deri në 1992-ën, që është e shpjegueshme për shkak të shpopullimit në masë të turqve bullgarë. Atëherë janë shpërngulur mesatarisht 66 000 veta në vit. Pas kësaj saldoja e migracionit fillon të ulet. Deri në vitin 2013 kemi saldo minimale të migracionit – 1100 emigrantë në vit. Kjo ndoshta është periudha më e favorshme nga pikëpamja e migracionit. Për këtë shkak ishin bërë prognoza se pas viteve 2015 – 2020 do të kemi saldo pozitive të migracionit. Për fat të keq këto parashikime nuk u realizuan. Gjatë 2 viteve të fundit vëzhgohet rritjeje e humbjeve nga migracioni – rreth 4000 – 5000 veta në vit. Megjithatë nuk mund të flasim për humbje shumë të mëdha prej migracionit dhe për largim në masë nga Bullgaria, megjithë përshtypjen që na krijon statistika e MPJ-së.
Mirëpo, a duhet t’i konsiderojmë migrantë bullgarët në BE, ku liria e lëvizjes dhe zgjedhja е vendit të banimit është e drejta kryesore e çdo një shtetasi?
Çështja e madhe është se ne nuk kemi mekanizëm të saktë për matjen e migracioneve bashkëkohore. Në botën moderne madje ka migracione të përditshme ndërkombëtare, sepse ka njerëz, të cilët çdo ditë ikin nga vendi dhe kthehen në fund të ditës së punës. Ka migracione javore dhe sezonale. Nga pikëpamja e statistikës një person konsiderohet i emigruar në qoftë se ka kaluar më shumë se një vit në territorin e një shteti të huaj. Sot statistikorët zhvillojnë debate nëse emigracionet në kuadrin e BE-së duhet të shqyrtohen si të tilla, ose bëhet fjalë për një lëvizje tjetër të popullsisë – për mobilitet pune. Nëse këto janë humbje migracioni për Bullgarinë, ende është vështirë të thuhet, sepse një pjesë e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë qëllim të kthehen.
Problemi demografik nuk është vetëm bullgar. Ai i përket tërë Bashkimit Evropian. Megjithë kundërshtimet mes Evropës Perëndimore dhe vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, a nuk duhet të kërkohet një zgjidhje e përbashkët e problemit?
Vitin e kaluar në Akademinë Bullgare të Shkencave punohej shumë seriozisht mbi një projekt për zhvillimin demografik të vendit, përfshi këtu edhe për kërkimin e resurseve për përballimin e krizës demografike. Në të kaluarën Evropa Perëndimore kërkonte krah pune nëpërmjet emigracionit nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Mirëpo, potenciali i emigracionit i këtij regjioni tashmë është shteruar. Regjionet e vetme, të cilat mund të ofrojnë popullsi të re janë Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Afrika e Zezë, që çon edhe në ndryshim të pamjes socio-kulturore të Evropës. Kjo pa dyshim shkakton shqetësim ndër banorët e këtyre shteteve, nëse nëpërmjet këtij lloji të politikës do të zgjidhen problemet demografike?
Sipas doc. Spas Tashev kriza demografike nuk i detyrohet kaq bazës materiale, por më tepër tranzicionit të sistemit të vlerave të evropianëve modernë. Çelësi i zgjidhjes së kësaj çështjeje është qëndrimi ndaj fëmijëve:
Në të kaluarën ata kanë qenë edhe faktor pune, sidomos në rajonet rurale, por sot fëmijët kanë më tepër vlerë emocionale. Mirëpo, në një moment duhet të kuptojmë se fëmijët kanë edhe vlerë ekonomike, sepse nga numri i punonjësve të ardhshëm do të varet përmasa e pensioneve tona. Nga kjo pikëpamje mendoj se shoqëria evropiane ka interes nga rritja e lindshmërisë, gjë që do të garantojë një sistem më të qëndrueshëm social.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: dnevnik.bg, arkiv personal
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..
“Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara do të ketë një ndikim negativ në politikën evropiane në tre dimensionet kryesore, përkatësisht mbrojtjen dhe sigurinë, ekonominë dhe politikën – të paktën nga ajo që kemi si deklarata dhe nga..
Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..