Synimi dhe dëshira të fluturojë dhe të shikojë planetin tonë nga Kozmosi janë ndër ëndrrat kryesore të pothuajse çdo fëmije. Shpesh përgjigja e pyetjes se “Çfarë dëshiron të bëhesh?” është “Kozmonaut!”. Kjo përgjigje zgjon buzëqeshje, por është aq e sinqertë, se për sekonda je gati të besosh, se ky është kozmonauti i tretë i ardhshëm bullgar, emri i të cilit do të mbetet në historinë kozmike të Bullgarisë dhe do të qëndrojë krahas atyre të të dy kozmonautëve Georgi Ivanov dhe Aleksandër Aleksandrov. Arsyeja të flasim për arritjet dhe kontributin bullgar në studimin e Kozmosit është se sot – 10 prill, mbushen 40 vjet nga fluturimi i kozmonautit bullgar Georgi Ivanov në bordin e anijes kozmike sovjetike “Sojuz 33”.
Ai u realizua pikërisht më 10 prill të vitit 1979 nga kozmodromi në qytetin Bajkonur në territorin e Kazakistanit të sotëm dhe u zgjat afro dy ditë e net. Plani fillestar ishte që kozmonauti bullgar të mbetet në Kozmos 7 ditë e net, por problem me njërin prej motorëve u bë shkak që anija të mos ngjitet me stacionin orbital “Saljut 6”. Kështu ekuipazhi me komandant kozmonautin rus Nikollaj Rukavishnikov ishte i detyruar të kthehet në Tokë, pasi bëri 31 rrotullime rreth saj. Përderisa kërkohej mënyra se si dy kozmonautët të kthehen gjallë në Tokë, atyre iu dha urdhër të pushojnë. Georgi Ivanovi e shfrytëzonte kohën të xhirojë 72 kuadro – pjesa dërmuese prej të cilave u përfshin në filmin dokumentar të regjisorit Valeri Marinov “Fluturim buzë pafundësisë”.
Ai rikrijon momentin e zgjedhjes së Ivanovit kozmonautin e parë bullgar nga Instituti Kërkimor-Shkendor Aviomedik pranë Akademisë Ushtarake Mjekësore. Specialistët janë unanim, se Georgi Ivanovi posedon një përgatitje të mrekullueshme teorike, mund të përballojë ngarkesa të mëdha fizike, ndërsa në situata të ndërlikuara është në gjendje të marrë vendime të shpejta dhe të drejta. 700 kandidatët e zgjedhur në vazhdim të një viti kaluan përmes testeve të ndryshme. Prej tyre mbetën 20 veta, por në fund të vitit 1977 për në Moskë nisën katër – Georgi Ivanov, Aleksandër Aleksandrov, Georgi Jovçev, Ivan Nakov. Pasi u kthyen, ministri i atëhershëm i mbrojtjes Dobri Xhurov botoi një urdhër, me të cilën përcillte Georgi Ivanovin dhe Aleksandër Aleksandrovin në “Qytezën e Yjeve” pranë Moskës.
Është interesante historia e aparatit të zbritjes, me të cilin ekuipazhi ruso-bullgar u kthye në Tokë. Ivanovi ia dhuroi muzeut të qytetit të lindjes Lloveç. Mirëpo, në vitet 90-të të shekullit të kaluar në kohën e tranzicionit, godina e muzeut u kthye në diskotekë. Pronarët e rinj vendosën, se nuk kanë nevojë për kapsulën dhe e hodhën në një shesh të ndërtimit. Aty e zbuloi fotografi Evgeni Dimitrov dhe me ndihmën e policisë vendore arritën ta shpëtojnë. Për një kohë qëndronte për ruajtje në bazën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në qytet, por më vonë u transferua në Muzeun e Aviacionit në qytetin Plovdiv.
Në prag të përvjetorit të 40-të të fluturimit, kozmonauti Georgi Ivanov u takua me nxënës të cilët erdhën posaçërisht nga qyteti i tij i lindjes në Muzeun e Aviacionit në Aeroportin e Sofjes. Diskutimi u shoqërua me impresione vizuale të cilat prezantuan Tokën përmes dritares së anijes kozmike dhe jetën e kozmonautëve në stacionin kozmik. Ndër pyetjet e shumta, ishte edhe ajo për ëndrrën fëmijërore të kozmonautit të parë bullgar dhe për këshillat për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin shembullin e tij dhe një ditë të nisen drejt yjeve.
“Ëndrra ime fëmijërore ishte të bëhem marinar, por nuk kisha fat dhe fillova të mësojë parashutizmin, fluturimin me motor dhe pa motor në aeroklubin e qytetit Lloveç. Mbarova Shkollën e Lartë Ushtarako-Ajrore “Georgi Benkovski”. Atë që mund t’u them fëmijëve të cilët ëndërrojnë të bëhen kozmonautë është të vazhdojnë të ndjekin ëndrrën e tyre, të mësojnë matematikën, fizikën, astronominë dhe të dëgjojnë prindërit dhe mësuesit e tyre.”
Pyetjes së Radio Bullgarisë se çfarë kujton nga dita e fluturimit dhe përgatitjes paraprake, Georgi Ivanovi iu përgjigj:
“Mbaj mend çdo gjë. Ditën e startit nga Bajkonuri që nga mëngjesi filluam përgatitjen për ngjitjen në anijen kozmike. Mirëpo, para kësaj në vazhdim të një viti kalova trajnime në Qendrën “Jurij Gagarin” në Qytezën e Yjeve. Ato përfshinin stërvitje, njohje të anijes dhe stacionit. 10 ditë para startit trajnova edhe në Bajkonur.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv, podtepeto.com dhe BGNES
Tema e migracionit u përfshi sërish në axhendën evropiane në sfondin e presionit të shtuar ndaj Brukselit për të dhënë dritën jeshile për ta kufizuar atë. Thirrjet e një numri liderësh evropianë për një qasje më radikale ndaj migrantëve të paligjshëm..
8000 bullgarë janë kthyer në Bullgari dhe afro 12 000 janë larguar prej saj në vitin 2023, tha për programin “Horizont” të BNR-së Magdalena Kostova, drejtoreshë e Drejtorisë së “Statistikave Demografike dhe Sociale” në Institutin Kombëtar të..
Ekspedita e parë kërkimore bullgare në Antarktidë u zhvillua në pranverën e vitit 1988 dhe me të filluan edhe studimet e njëpasnjëshme shkencore të studiuesve vendas në Kontinentin e Akullit. "Këto janë kushtet më ekstreme në të cilat një person mund..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende..
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën..