Gjatë vitit 2000 arkeologu dr. Georgi Kitov dhe ekipi i tij zbuluan kodërvarrin Roshava Çuka afër fshatit Aleksandrovsko të rrethit të Haskovos, një varrezë trake nga shekulli i V para Krishtit, e cila bën përshtypje me arkitekturën e jashtëzakonshme dhe pikturat e bukura në mur. Ajo është godina më e madhe e këtij lloji e gjetur te ne.
Që të ruhet ky monument i artit dhe kulturës, i cili që para zbulimit të tij ishte vjedhur pjesërisht dhe i shkatërruar nga thesarkërkuesit, shumë afër tij u ndërtua Qendra Muzeore “Arti trak në Rodopet Lindore”. Që nga viti 2011 ai është pjesë e 100 objekteve turistike kombëtare. Atje është bërë një kopje e saktë “muzeore” e varrezës, e cila në dallim të origjinalit mund të vizitohet nga turistët. Për ndërtimin e qendrës qeveria japoneze ka livruar falas 3.5 mln dollarë, ndërsa për hapjen e saj më 15 maj 2009 mbërritën personalisht Princi Akishino bashkë me të shoqen, Princeshën Kiko. Varreza e Aleksandrovskos është monument i kulturës me rëndësi kombëtare dhe është kandidat për Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESKO-s.
Drejtori i Muzeut Historik Regjional në Haskovo Penko Dobrev nënvizoi se kopja e varrezës në qendër të ekspozitës muzeore është rikrijuar në pamjen e saj të tërësishme arkitekturore dhe artistike. Është shkurtuar vetëm korridori prej 14 centimetrash, i cili çon deri në një dhomë katërkëndëshe dhe te një dhomë e rrumbullakët. Edhe të dyja janë të dekoruara me motive dhe figura të llojllojshme: kafshë, ushtarë, ornamente. Është shumë e pasur edhe paleta prej ngjyrash e freskave:
“Pikturat janë të ruajtura vetëm në dy varreza – në atë të Kazanllëkut dhe në atë të Alekandrovskos –na shpjegon bashkëfolësja jonë.– Ajo në Aleksandrovsko është më e madhe dhe atje mund të shihen skena prej jetës së trakëve: rrobat e tyre, mënyra e gjuajtjes, festimet e tyre, betejat, zakonet funerale. Pikturat nuk janë skematike, si ato që mund të shihen kudo në Ballkan. Ato përmbajnë informacion të hollësishëm për trakët, gjë që e bën varrezën të vlershme dhe unikale. Mbi një pikturë të profilit të një burri të ri ka mbishkrim. Ai mund të jetë njeriu i parë, i cili na ka lërë graffiti, ose të jetë autori i varrezës. Sipas specialistëve fjala e parë në mbishkrim “Kodzimeas Hrestos” është një emër personal me origjinë trake, ndërsa ajo e dytë – një nofkë, e cila do të thotë “mjeshtër i shkathët, i aftë”.
Pikturat në mur të Varrezës së Aleksandrovskos e bëjnë një monument të paharrueshëm të artit trak – një kalorës dhe një këmbësor duke luftuar njëri kundër tjetrit; kuaj me municione, të pikturuara me detajet më të vogla; njerëz, që dëfrejnë afër një tryeze të mbuluar me enë të ndryshme prej ari dhe argjendi; gjahtarë kuajsh, të cilët ndjekin derra të egër. Skenat e rikrijuara na japin informacion madje për armët e trakëve, për disa prej të cilëve nuk kishte informacion deri më sot.
Afresket në dhomën e rrumbullakët, e cila disponon disa shtresa prej pikturash në mur, rikrijojnë jetën e udhëheqësit të vdekur, i cili sipas Penko Dobrevit ka qenë relativisht i ri. Emri i tij nuk dihet, por supozohet se ka qenë nga një fis i pasur. Në qendrën muzeore, krahas kopjes së Varrezës së Aleksandrovskos, janë ekspozuar edhe fotografi prej zbulimit dhe studimit të saj dhe të detajeve prej pikturave në mur. Të gjitha fotografitë janë shoqëruar me shpjegime të hollësishme. Mund të shihen edhe artefakte të ndryshme nga epoka e vonshme e hekurt, si dhe:
“Sende funerale nga periudha trake – nga shekujt V-I para Krishtit – vazhdon drejtori Dobrev. – Kultura trake, e cila është karakteristike për Rodopet Lindore është prezantuar me shumë fotografi. Përveç Perperikonit dhe Tatulit është përfshirë dhe e ashtuquajtura “kulturë e megalitit”, e cila është më e vjetër. Ideja është që të tregohet gjithçka e lidhur me zakonet e njerëzve, të cilët kanë banuar në rajonin e Bullgarisë Juglindore. Vizituesit mund të shohin dhe arin më të vjetër, të datuar 4500 – 4000 vjet para Krishtit. Ky ar është prej të parëve të përpunuar në botë. Është gjetur në rajonin e malit Sakar. Mjeshtëria e punimit të seneve mund të krahasohet me atë të sendeve nga Nekropoli i Varnës i epokës së halkolitit, për të cilat mendohet se janë ari më i vjetër i përpunuar teknologjikisht në botë, i cili është datuar në fillim të mijëvjeçarit të IV para Krishtit.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: haskovomuseum.com
Mbi një shkëmb të madh mbi lumin Asenica ngrihet një kështjellë e paarritshme për armiqtë. Aje lartë mbi shkëmbinjtë e shqiponjave, fortesat e veta i kanë ngritur trakët, romakët, bizantinët, njerëzit e ardhur nga pjesa perëndimore e Evropës,..
Pranë njërit prej burimeve karstike të Devnjes në provincën romake Mizia e Poshtme (Moesia inferior) është ndalur perandori Trajan (Marcus Ulpius Trajanus, 98- 117г.) me ushtrinë e tij. Motra e tij Marcija ka dërguar shërbyesen të sjellë ujë , por..
Herakleja Sintika ishte një vendbanim kozmopolit në të cilin bashkëjetuan fise, etnose dhe popuj të ndryshëm. Ai ndodhet në territorin e bashkisë së qytetit Petriç dhe më saktë në rajonin e fshatit Rupite, në afërsi të vullkanit të shuar Kozhuh...