Bankat bullgare i përballuan stres-testet dhe kontrollet e kapitalit dhe aktiveve, bëri të ditur Mekanizmi i Vetëm Mbikëqyrës i Bankës Qendrore Evropiane. Përmes testeve kaluan 6 banka bullgare – 4 prej bankave më të mëdha UniCredit Bulbank, Banka DSK, Banka e Bashkuar Bullgare (OBB), Banka Qendrore Kooperative, si dhe ato më të vogla – Banka e Parë e Investimeve dhe Investbank. Kontrollet janë rrjedhojë e dëshirës së Bullgarisë për t’u aderuar me Zonën Evropiane, duke e aplikuar euron dhe duke ua nënshtruar rregullave evropiane në sferën e bankave dhe financave.
Testet dhe inspektimet në fakt vetëm ripohuan rezultatet e analizave të Bankës Popullore Bullgare për gjendjen e sektorit bankar, të bëra para tri vitesh. Që atëherë u bë e qartë se bankat bullgare janë në një gjendje shumë të mirë dhe janë të afta për t’i përballuar krizat eventuale ekonomike dhe financiare, sepse kanë mjaftë kapital, aktive cilësore, rezerva dhe likuiditet të mirë.
Në fakt, kontrolli i Bankës Qendrore Evropiane ishte i nevojshëm si pjesë e procedurës së hyrjes në Bashkimin Bankar Evropian dhe në Mekanizmin e kursit valutor ERMII, para se të aderohet vendi ynë në eurozonë. Për anëtarët e tanishëm të kësaj zone procedura të tilla nuk ishin aplikuar dhe Bullgaria është e para në këtë drejtim. Këtej e tutje këtë rrugë duhet ta kalojnë të gjitha vendet e tjera evropiane, të cilat dëshirojnë ta aplikojnë euron si valutë e tyre.
Banka Qendrore Evropiane komentoi në lidhje me këtë rast se “Bullgaria është shteti i parë, ku Banka Qendrore Evropiane zhvillon kontroll të cilësisë së aktiveve sipas rregullave të Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar, IFRS9). Kontrolli tregon se në sfondin e kërkesave të tanishme të rrepta rezultatet nuk janë më të këqija nga ato të marra gjatë kontrollit në vitin 2016 nga Banka Popullore Bullgare. Ky pa dyshim është një sukses i madh”. I tillë është mendimi i Petër Andronovit, kryetar i Asociacionit Bankar në Bullgari, i cili thekson: “Bankat bullgare u paraqitën në mënyrë të denjë në stres-testet evropiane”.
Sigurisht që sistemi bankar bullgar nuk është perfekt. Dy prej bankave të audituara janë me kapital të pamjaftueshëm dhe me më shumë aktive më të rrezikshme sesa konsiderohet normale në Evropë. Në rastin konkret është me rëndësi se edhe Banka Popullore Bullgare, edhe vetë bankat deklarojnë se merren masa dhe do të vazhdojnë të merren deri në arritjen e pajtueshmërisë së plotë me kërkesat evropiane.
Kontrolli mbi bankat bullgare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane në fakt është hapi i parë real në rrugën drejt eurozonës. Pritet që gjatë vjeshtës vendi të marrë dritë jeshile për aderim në ERM II. Nëse kjo do të ndodhë, nuk është absolutisht e sigurt. Së pari, sepse përveç kërkesave financiare, ka dhe kërkesa të tjera ndaj vendit, të cilat nuk mund të zbatohen menjëherë, madje të ketë vullnet të mirë nga ana e shtetit. Bëhet fjalë për nivelin ende të ulët të jetesës të popullsisë, për probleme të lidhura me jurisdiksionin etj. Në Bullgari shpresojnë se pasi hyn në sallën e pritjes vendi do të jetë më i motivuar dhe do të jetë më lehtë të zbatohen këto kushte sociale dhe ekonomike. Akoma më tepër se askush nuk mund të thotë që tani sa kohë Bullgaria do të duhet të presë për aplikimin real të euros. Së dyti, momenti i kandidimit të Bullgarisë koincidon me ndërrimin e udhëheqësve në Bankën Qendrore Evropiane. Ka të ngjarë që banka të kryesohet nga Christine Lagarde dhe ajo ndoshta nuk do të mund të fillojë të merret menjëherë me kandidaturën e Bullgarisë.
Kështu qe tani për tani paqartësitë në rrugën e Bullgarisë drejt eurozonës janë më shumë sesa zhvillimet e parashikueshme. Sidoqoftë, kjo nuk e pengon vendin tonë për të marrë masat e domosdoshme, që kërkohen nga Evropa. Pikërisht këtë e ripohojnë edhe rezultatet e stres-testeve përmes të cilave kaluan bankat bullgare.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..
Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..
Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..