Me vendim të qeverisë që nga ky vit vendbanimi turistik “Sveti Konstantin” (“Shën Konstantin”) mbi qytetin Peshtera, Bullgari Jugore, u shpall fshati më i ri në vend. Përveç se ka një të kaluar të pasur historike, ai ndodhet në një prej rajoneve më të pastra të planetit.
Si vendpushim “Sveti Konstantin” është themeluar në Peshtera që në vitin 1910 me urdhër të mbretit Ferdinand. Në vendin e tij dikur ka pasur manastir me emrin e Shenjtorëve Konstantin dhe Elena. Ai është shkatërruar që prej shumë kohe dhe sot për të na rikujton një kishë e vogël e ndërtuar mbi mbeturinat e tij. Dy patriotë – historiani Desisllav Hristov dhe e shoqja Stojanka, kanë grumbulluar mjete për ndërtimin e një postamenti me pllakë përkujtimore në krahinën “Çerkovishteto”, e cila tregon historinë e asgjësimit të manastirit mesjetar.
“Legjenda tregon se në territoret e pushtuara nga turqit osmanë në Gadishullin Ballkanik ka qenë dhe manastiri “Shenjtorët Konstantin dhe Elena”, i cili ndodhej afër një rruge romake – na tregon Desisllav Hristov. –Dhe meqenëse ushtria e sunduesve ka kaluar në këtë rrugë, ajo ka arritur deri te Manastiri dhe e ka asgjësuar në vitin 1372. Mirëpo, bullgarët kanë arritur ta ruajnë fenë e tyre dhe e kanë ndërtuar përsëri manastirin. Sunduesit osmanë e kanë shkatërruar për herë të dytë në vitin 1657, kur ka filluar një fushatë masive e imponimit të kulturës turke. Kështu, përveç manastirit “Shenjtorët Konstantin dhe Elena”, ata kanë shkatërruar 33 manastire dhe 218 kisha në Çepinskoto Korito (“Shtrati i Çepinos”) – nga Aenovgradi deri tek Kostenec.”
Duke treguar për të kaluarën tonë Desisllav Hristov nënvizon se nuk do që të përhapë urrejtje etnike, por vetëm ta tregojë historinë tonë. Ai e ka bërë këtë në broshurën “Vendpushimi “Sveti Konstantin” – fotografi të së kaluarës”, ku mund të shohim zgjerimin e vendpushimit”.
“Njerëzit e parë që kanë shkuar në këtë krahinë kanë qenë gjahtarët e një shoqate të sapoformuar –vazhdon tregimin e vet ai –Gjatë vitit 1897 ajo e ka pasur emrin “Elen”, por pak më vonë e ka marrë emrin e Shoqatës Qendrore të Gjahtarëve të Sofjes “Sokol”. Pikërisht këta gjahtarë kanë realizuar shëtitjet e para në krahinat përreth. Pak më vonë edhe familjet e tyre kanë filluar të shëtitin bashkë me ta gjatë ditëve të pushimit. Për rehatin e vet ata kanë ndërtuar shtëpi primitive malore. Kulla e Gjahtarit është ndërtuar në vitin 1901 dhe shërben si strehim i gjahtarëve të parë. Rreth saj kanë ndërtuar dhe godina të tjera – një furrë e vogël, diçka si dyqan.”
Gjatë viteve 20 të shekullit të kaluar në drejtim të vendpushimit u ndërtua një rrugë. Gjatë viteve 30 u ndërtua një kinema verore dhe një postë, shtëpitë primitive i zëvendësuan vila të bukura, u vendosën dhe llambat e para elektrike. Turistët mund të pinin ujë nga Çezma e njohur Kukusheva e vëllezërve Georgi dhe Zafir, ndërsa një qytetar i Varnës arriti të shërohet dhe u shpall çudi mjekësore.
“Jordan Dimitrov erdhi në vendpushim, sepse ishte i sëmur nga tuberkulozi dhe mjekët nuk i jepnin shanse – na tregoi historiani. – Në saje të ajrit të pastër pas disa muajsh ai arriti të kurohet. Si shenjë falënderimi Jordan Dimitrov ndërtoi me kursimet e veta një hotel-sanatorium për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të kraharorit. Në vitin 1910 ai ia dhuroi Shoqatës së Gjahtarëve, ndërsa ajo nga ana e vet ia dhuroi bashkisë së Peshterës, sepse nuk mund të kujdesej për të. Fati i hotelit është tragjik, sepse në vitin 1945 rojtari i tij e ndezi pa dashur dhe tërë godina u dogj. Sot disponojmë vetëm fotografi, të cilat të na rikujtojnë për ndërtesën."
Vendpushimi i ronovuar ofron ekskursione të bukura gjatë verës – deri në majën “Sveti Konstantin”, ose deri në Vezir Tepe, nga ku shtrihet “deti” i Rodopeve (liqeni artificial “Batak”).
Dimrin ka kushte të shkëlqyeshme për sport dimëror. Mund të themi pa tepruar se fshati më i ri gjendet në një prej vendeve më të pastra të planetit. Para disa vitesh Administrata Kombëtare Aeronautike Hapësinore Amerikane (AKAH, NASA) bëri të ditur se mbi malin Batashka, ku ndodhet fshati, është ajri më i pastër i planetit. Studime të ndryshme amerikane vërtetojnë se në rajon ka jonizim të natyrshëm të ajrit – një prej dukurive më të rralla natyrore në botë.
Përgatiti në shqip: Vesella MançevaFotos: BGNES und bg.wikipedia.org
"Sofja për fillestarët në 55 hapa" - kështu quhet turi turistik i kryeqytetit bullgar, i organizuar nga Ndërmarrja Komunale "Turizëm" (Visit Sofia). Turneu me këmbë falas është i përshtatshëm për njerëz të të gjitha moshave, zgjat 1 orë e 45 minuta..
Pushimet mund të jenë të paharrueshme jo vetëm buzë detit, ose në mal, por edhe me një shëtitje në plazhet e egra të Danubit. Secili nga qytetet përgjatë brigjeve të lumit të madh na jep mundësi që të shtrijmë një ombrellë dhe të shkelim në rërat..
"Bullgaria - magnetike dhe e bukur" - me këtë titull, blogerët bullgarë të udhëtimit prezantojnë disa nga vendet më magnetike në vendin tonë. Ekspozita me fotografi unike të realizuara nga udhëtarët mund të shihet në hyrjen e Kopshtit Detar në Varna..