Mbi një shkëmb të madh mbi lumin Asenica ngrihet një kështjellë e paarritshme për armiqtë. Aje lartë mbi shkëmbinjtë e shqiponjave, fortesat e veta i kanë ngritur trakët, romakët, bizantinët, njerëzit e ardhur nga pjesa perëndimore e Evropës, bullgarët dhe osmanët.
Një natë një udhëtar hyri në kishën e kështjellës për të gjetur strehim nga stuhia e borës. Atje ai pa drita mistike, derisa kambana e tempullit me zërin e vet të mrekullueshëm ftonte besimtarët për shërbesën e shenjtë. Para syve të udhëtarit Shtëpia e Zotit u patraqit në tërë shkëlqesinë e vet, sikur koha nuk ka lënë mbi të gjymat e saj shkatërruese. Aroma e temjanit qe kudo rreth kishës, kurse brenda tempullit besimtarët me veshje nga epokat e kaluara këndonin himne në lavdërim të Krishtit. Kurse kur prifti përfundoi shërbesën dhe u dëgjua “Amin” –in e fundit, dritat fikën dhe kisha pranoi pamjen e vet të zakonshme. Kjo qe shërbesa e fundit e atit Antimos, i cili para gjysmë mijëvjeçari provokoi zemërimin e Zotit, sepse shkurtoi liturgjinë dhe duke shkelur kreshmët, uli në tavolinën festive. Hëngri tepër dhe gjellët e shijshme i kanë ardhur bajalldi, i plasi zemradhe Zoti e ndëshkoi në vazhdim të 500 vjetëve në të njëjtën kishë dhe me të njëjtët njerëz të shërbejë të njëjtën liturgji, por këtë herë sipas kanuneve të fesë.
Kjo është një nga legjendat e shumta të lidhura me Kështjellën e Asenit – disa janë shumë afër së vërtetës historike, të tjerë tingëllojnë si përralla. Kalaja ndodhet 2 kilometra në jug të qytetit Asenovgrad dhe studimet e bëra atje tregojnë se të parët në këtë vend kanë qenë trakët. Gjatë shekullit të VI-të Perandori romak Justinian e ka përdorur fortesën për ta mbrojtur perandorinë nga sllavët. Në historinë e kalasë ka tri periudha të ndërtimeve masive – gjatë sh. IX-të, pastaj gjatë të XI-it dhe XII-it. Më vonë në sh. XV-të është asgjësuar nga bijtë e sulltanit Bajazid.
Masivi shkëmbor, mbi të cilin ndodhet fortesa është një vend i populluar që nga lashtësia, sepse është një “fortesë natyrore, vend i sigurt për të jetuar, i paarritshëm për armiqtë në sajë të shkëmbeve të pingulta – tregon Ivan Dukov – drejtor i Muzeut Historik në Asenovgrad. – Sendet e gjetura atje tregojnë praninë e njeriut që në epokën e neolitit. Gjatë Mesjetës kështjella ka qenë një qytet i fortifikuar me citadelë (palat), në të cilën ka jetuar udhëheqësi i emëruar nga mbretët e Bullgarisë apo perandorët e Bizantit. Për këtë dëshmon mbishkrimi i vitit 1231 i gdhendur në një shkëmb, në kohën e mbretit bullgar Ivan-Asen II. Kalaja e Asenit ndodhet në një rrugë të rëndësishme dhe strategjike dhe ka qenë pjesë e sistemit të fortifikimit , bashkë me objekte të ngjashme në rajonin e qytetit të sotëm Asenovgrad dhe të lidhura me njëri-tjetrin. Qëllimi i tyre kryesor ka qenë mbrojtja e qafës së malit ku kalon rruga nga veriu për në Mesdhe.
Sot nga kështjella janë zbuluar themelet e dy pallateve feodale me një kompleks prej ndërtesave të banimit, kishës, dy rezervuarëve për ujë dhe një kulle. Nën pallatit ndodhet një oborr me kishë dykatëshe në gjendje shumë të mirë “Hyjlindësja e Shenjtë e Petriçit” – ajo është kryevepër e arkitekturës mesjetare bullgare, epikturuar nga mjeshtrit e mëdhenj, e cila edhe sot e kësaj dite funksionon. Kisha është njënefëshe, ne një kungë, gjatë ndërtimit të së cilës janë përdorur teknika të ndryshme.
Shumë karakteristike është kulla e saj lindore, e cila sipas disa specialistëve të arkitekturës mesjetare është ndërtuar më vonë – nga kryqtarët, por sipas të tjerëve është tipike për tempujt lindorë – shpjegon Ivan Dukov. – Është përdorur si kambanore dhe ndoshta për vëzhgim. Kisha ka qenë pikturuar nga jashtë dhe nga brenda, por për shkak të një tërmeti në fillim të shekullit të XX-të kupola është rrëzuar. Për fat të keq vendasit nuk kanë pasur mundësi ta mbulojnë menjëherë dhe një pjesë e madhe e mbishkrimeve janë asgjësuar nga lagështia. Mbishkime të ruajtura sot ka në kullën perëndimore. .
Kalaja e Asenit me kishën e fortifikuar pranë saj “Hyjlindësja e Shenjtë e Petriçit” është përfshirë në “100 objektet turistike kombëtare” të Bullgarisë. Deri në këtë kuriozitet arkeologjik na çon një shteg i ngushtë, në të djathtën e të cilit janë ruajtur mure me lartësi deri më 4 metra.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Foto: wikipedia.org
Presllavi i Madh është kryeqyteti i dytë i Mbretërisë së Parë Bullgare pas Pliskës. Pas vitit 893, kur u shpall qyteti kryesor i Bullgarisë, ai u bë selia e shkollës së parë letrare. Ajo u zhvillua si një qendër e rëndësishme letrare dhe kulturore në..
E quajnë Pernikun “Qytetin e Minatorëve”, sepse pikërisht në saje të punës së tyre qyteti u bë një qendër e rëndësishme industriale në Bullgarinë Jugperëndimore. Atje ndodhet Muzeu i Minierës dhe ky është muzeu i vetëm i këtij lloji në vend dhe..
Afër fshatit Mezek, rreth 6 km në jugperëndim të Svilengradit dhe vetëm 1 km larg kufirit grek, ngrihet një kështjellë e mesjetës bullgare. Ajo është ndërtuar në fund të shekullit të XI dhe në fillim të shekullit të XII, ndoshta gjatë udhëheqjes së..