Gjatë verës së vitit 2020 bota sikurse për një moment harroi pandeminë dhe hodhi një vështrim drejt Libanit. Vendi përjetoi një shpërthim shkatërrues, kurse vullnetarë nga e gjithë bota, përfshi dhe nga Bullgaria u përfshinë në aksionet shpëtimtare në ndihmë të njerëzve dhe të kafshëve.
Libani është vetëm një e dhjeta nga territori i Bullgarisë, por me një popullsi pothuajse sa popullsia bullgare - afro 7 milionë. Mbi sipërfaqen e vet të vogël gjeografike ai ka strehuar dhe 2 milionë sirianë dhe rreth 500 000 refugjatë palestinezë. Midis viteve 1975 dhe 1990 përjeton një luftë të rëndë civile, sulme periodike izraelite, atentate të përgjakura...Pas fundit të luftës, Libani sikurse merr një gllënjkë ajër dhe shumë shpejt niset drejt rivendosjes.
Jo rastësisht e krahasojnë me zogun Feniks, i cili çdo herë ringjallet nga hiri. Dhe në sprovat më të vështira libanezët gjithmonë mundin të ruajnë forcën e shpirtit, buzëqeshjen e vet dhe besimin tek Zoti. Asnjëherë nuk do t’i dëgjoni të ankohen ose të mallkojnë fatin e vet të rëndë. Prandaj dhe njerëzit, të cilët kanë mundur të afrohen me kulturën, jetën dhe zemrat e tyre, mbeten përgjithmonë të dashuruar në frymën e këtij vendi të vogël në bregun e Detit Mesdhe.
“Libani do të jetë përgjithmonë në zemrën time” thotë bullgarja Teodora Khoury e cila është e martuar me libanez. Që nga viti 2014 ajo jeton në Bullgari, por nuk pushon së menduari për Libanin dhe të përjetojë çdo një dhimbje të tij:
“Libanezët janë një popull i shkëlqyer - është kategorike Teodora. Ata kanë shpirtra të gjerë dhe zemra të mëdhenj. Janë shumë mikpritës dhe dashamirës. Kur të ftojnë në shtëpi - tavolina do të jetë e përmbushur me ushqime. Janë njerëz të shkëlqyer! I ndihmojnë shumë njëri-tjetrit dhe familjet e tyre janë shumë të bashkuara. Kam mësuar kaq shumë prej tyre dhe këtë ua transmetoj dhe 3 vajzave të mia dhe sot e kësaj dite. U jam jashtëzakonisht shumë mirënjohëse. E falënderoj dhe fatin që më takoj me bashkëshortin tim. E gjithë familja e tij më pranoi si një prej tyre dhe që atëherë jemi në marrëdhënie shumë të mira.”
Në mes të verës, më 4 gusht sivjet, pas një shpërthimi në port, Bejruti përsëri përjetoi shkatërrime të rënda. Lagje të tëra u rrafshuan me tokën, afro 180 veta u vranë, 6500 qenë të plagosur, kurse 300 000 mbetën pa shtëpi. “Ajo që ndodhi është monstruoze – thotë me shumë dhimbje Teodora. Godina mbi njëqindvjeçare, monumente arkitekturore janë të rrafshuar me tokën. Njerëzit, të cilët krijonin atmosferën e qytetit tanimë nuk ekzistojnë. Asnjë qenie njerëzore nëpër botë nuk meriton një fat të ngjashëm”.
Mes lagjeve të dëmtuara është dhe Gemmayzeh në pjesën veriore të Bejrutit. Aty ndodhen dyqanet e familjes së vajzës së mesme të Teodorës.
“Ajo të cilën më thanë është se janë të lumtur dhe mirënjohës për faktin se janë të gjallë - tregon Teodora. Me të vërtetë jeta e njeriut është kjo e cila nuk ka çmim. Çdo gjë - sot është aty kurse nesër jo dhe anasjelltas. Në të gjithë lagjen, kudo, ku ka pasur shkatërrime - grupe prej njerëzve të rinj vullnetarë kanë ndihmuar për spastrimin. Këta fëmijë na kthyen shpresën - më tha vajza ime - ata na kthyen kurajën se jo çdo gjë është e humbur”.
Të mësuar të mos presin një mbështetje nga ana e shtetit, libanezët shumë shpejt organizohen dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit. “Ata kanë përvojë nga lufta civile dhe e dinë me saktësi sesi të reagojnë në situata kritike”, sqaron Teodora. Kjo pikërisht është ajo e cila na dallon prej tyre, pavarësisht nga tiparet tona të përbashkëta si përzemërsia dhe mikpritja. Pikërisht ajo të cilën e kanë përjetuar gjatë periudhës së luftës i mëson libanezët me mësimet më të rëndësishme jetike - të vlerësojnë jetën dhe t’i gëzohen.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: EPA/BGNES, arkiv personal
Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit Julian, piktorja Ekaterina Titova prezantoi veprat e saj të reja në ekspozitën "Përmes fuqisë së..
Bullgarja Sasha Bezuhanova, një menaxhere e njohur ndërkombëtarisht në industrinë dixhitale dhe një filantrope, u nderua me çmimin prestigjioz Women in Tech Global Lifetime Achievement 2024 për një kontribut të përgjithshëm në zhvillimin e teknologjisë dhe..
"Dy ditët më të rëndësishme në jetë janë dita kur keni lindur dhe dita kur e zbuloni pse." Ky është një mendim që i atribuohet shkrimtarit të famshëm Mark Twain. Bashkëbiseduesja jonë ndjek gjurmët e dashurisë, të cilat e çojnë në një vend tjetër, në një..