Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Për muzikën si një mision patriotik

Orkestra e harqeve në Gjimnazin e Vajzave në qytetin Vidin, së bashku me dirigjentin e saj Rusi Kodxhamanov

Në kohën e sotme muzika nuk është ndër lëndët e rëndësishme muzikore në shkollën e mesme. Prandaj është vështirë të përfytyrojmë rolin e madh të orëve të dikurshme të këndimit për formimin e personalitetit të të rinjve gjatë viteve të para të zhvillimit të Principatës së Bullgarisë (1879-1908). Kësaj teme interesante i është kushtuar libri “Muzika në shkollën bullgare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX”, një botim i Akademisë Bullgare të Shkencave. Autorja e tij është doc. dr. Rosica Draganova, e cila përveç se është punonjëse shkencore me arritje të konsiderueshme në Institutin për Studimin e Arteve, është gjithashtu mësuese e muzikës në Liceun Francez në Sofje dhe bashkautore e librave të ndryshëm mësimorë për shkollat e mesme.

“Organizimi i punës në shkollën bullgare fillon menjëherë pas Çlirimit (1878) – sqaron doc. Draganova. – Është hartuar një rregullore për arsimin dhe ndër lëndët mësimore të përmendura në këtë dokument është edhe “këndimi kishtar”. Nga programet mësimore bëhet e qartë se qëllimi kryesor është që fëmijët të njihen me një repertor më të ndryshëm nga ai i përdorur nga ata në jetën e përditshme dhe në mjedisin familjar.

Është aplikuar nocioni “këngë shkollore”, gjë që do të thotë këngë të kuptueshme nga fëmijët, të përshtatshme për edukimin dhe arsimimin e tyre. Kjo forcon proceset në fushën e krijimtarisë së muzikës për fëmijë. Duhet të themi se kemi shembuj shumë të mirë të krijuar atëherë, të cilët kanë mbetur shumë kohë në praktikën pedagogjike muzikore. Për shembull kënga “Fëmija i bukur”, e njohur edhe sot e kësaj dite, e cila është kompozuar nga Stojan Beshkov. Ai ka krijuar dhe një nga përmbledhjet e para me këngë shkollore. Për një periudhë të veçantë Beshkov ka dhënë mësime në Shkollën Pedagogjike në Kazanllëk, ku këngët e tij janë studiuar nga mësuesit e rinj dhe kështu përhapen në tërë vendin. Në shkollën e njëjtë ka dhënë mësime ndoshta një nga kompozitorët më të talentuar në atë kohë Emanuill Manollov, i cili ka krijuar shumë këngë. Pothuaj çdo fëmijë i sotëm bullgar e di këngën “Je i bukur o atdhe”.

“Je i bukur o atdhe”

Në atë kohë janë dëgjuar jashtëzakonisht shumë këngët patriotike. Është interesante se që atëherë janë përhapur të ashtuquajturat “këngë djepi”. Ky lloj melodie ka arritur ta afrojë fëmijën me muzikën evropianoperëndimore. Në një prej vëllimeve të para “Ty, e dashur nënë”, krahas shumë këngëve të tilla prej autorëve bullgarë, janë publikuar ninulla të njohura të Schubert, Brahms dhe të tjerë.”

Personalitetet

Kori i fëmijëve pranë shkollës së përzier “Shenjtorët Kirill dhe Metodij” në Plovdiv me udhëheqës Dimo Bojçev, i fotografuar gjatë vitit shkollor 1902/1903

“Veprimtarët e parë në fushën e arsimit muzikor bullgar kanë qenë në të vërtetë personalitete interesante dhe të forta. Përveç bullgarëve, ndër ta ka pasur edhe mësues rusë, të ftuar nga qeveria për të dhënë mësime në Bullgari, si dhe një grup muzikantësh çekë, të vendosur në vendin tonë – tregon Rosica Draganova. – Që nga vetë fillimi arsimi muzikor ka qenë në një nivel shumë të lartë. Një nga manualet e para, që është një nga librat më të përhapur mësimorë në atë kohë, është shkruar nga Georgi Bajdanov. Ai ka marrë më të mirën nga shumë manuale, të cilat janë përdorur atëherë në Evropë, dhe sidomos nga libri mësimor i Marmontel, manual ky i cili është përdorur në praktikën pedagogjike që deri në fillim të shekullit XX. Në qoftë se krahasohen dy manualet shihet se ato janë krijuar sipas parimeve të njëjta dhe kanë koncept të njëjtë. Libri mësimor i Bajdanovit është krejtësisht i nivelit të doracakëve në Evropë, ku muzika është përhapur në shkollë në të njëjtën kohë – vitet 80-90 të shekullit XIX.”  

Qëndrimi i shtetit ndaj arsimit muzikor

Angell Bukoreshtliev (I pesti nga e majta në të djathtë në radhën e sipërme) me mësues dhe mësuese në Shkollën pedagogjike bullgare në Seres

“Në fillim të shekullit XX te ne filluan të ktheheshin bullgarët të cilët kishin marrë arsim cilësor jashtë shtetit. Në fakt Principata e Bullgarisë ka dërguar qëllimisht bursistë bullgarë jashtë, që të marrin kualifikimin e nevojshëm në Evropë. Më bëri veçanërisht përshtypje lartësia e vetëdijes së këtyre njerëzve dhe vetëbesimi i tyre i lartë - vazhdon tregimin e vet doc. Draganova. - Është interesante që ata nuk e kanë quajtur veten mësues, por muzikantë pedagogjikë dhe në këtë mënyrë kanë theksuar se janë gjithashtu muzikantë aktivë, e kanë vënë theksin te praktika muzikore - bërja e muzikës edhe në orët e mësimit në shkollë, edhe në koret studentore, edhe në orkestrat që vetë ata i kanë krijuar. Për ta muzika nuk ka qenë thjesht një lëndë mësimore, por një mision. Përmes muzikës ata i kanë qytetëruar nxënësit e vet, u kanë dhënë atyre mundësinë për të kaluar në një lloj tjetër ekzistence, e cila ka çuar në një fazë tjetër të zhvillimit të shtetit dhe të kulturës bullgare.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Koleksioni digjitali Bibliotekës Kombëtare “Shenjtorët Kirill dhe Metodij“



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Millço Leviev

Koncert kushtuar muzikantit të madh bullgar Millço Leviev

Muzika e kompozitorit dhe pianist bullgar me famë botërore Millço Leviev do të tingëllojë sonte (më 28 tetor) në Sallën "Bëllgaria" në Sofje. Koncerti "Legjenda për Millço" i Ansamblit të Dhomës "Sofijski Solisti" nën drejtimin e Konstantin Dobrojkov..

botuar më 24-10-28 12.30.MD

"Qetë"

Roberto Nikollov, i njohur si Robi, është i palodhur – pasi prezantoi albumin e tij "Të dy" këtë pranverë, tani është gati me një koleksion të ri. Një nga këngët e tij të reja “Qetë” trajton një temë të rëndësishme sociale. Edhe këtu është e..

botuar më 24-10-25 12.40.MD

Big Bendi i Radios Kombëtare Bullgare hap sezonin e ri me një koncert atraktiv

Big Bendi i Radios Kombëtare Bullgare (BNR)   me dirigjent Antoni Donçev hap sezonin e ri krijues me një koncert më 24 tetor në Studion e Parë të Radios. Programi përfshin muzikë origjinale nga Dimitër Bodurov - pianist, kompozitor dhe producent..

botuar më 24-10-24 8.10.PD