"Fluturimi i kulturës bullgare nëpër botë" do të mbledhë talente muzikore bullgare nga disa shtete. Ngjarja është planifikuar për 23 majin në orën 6 pasdite, kohë bullgare, në prag të festës më të dashur nga bullgarët - Dita e Vëllezërve të Shenjtë Kirill dhe Metodij, e alfabetit dhe e kulturës bullgare dhe e letërsisë sllave.
"Më 24 maj ne festojmë bukurinë e gjuhës sonë dhe fluturimin e kulturës amtare në të gjithë botën. Sot bota është lehtësisht e arritshme, botëkuptimi njerëzor është i gjerë dhe prania jonë në botë na jep mundësinë të jemi një lloj ambasadorësh të gjuhës dhe kulturës bullgare ", thanë organizatorët e aktivitetit. Kjo është arsyeja se pse ata kanë ftuar në programin e festave "si bullgarë të talentuar, kështu dhe njerëz që kujdesen për ruajtjen dhe përhapjen e famës se folklorit, teatrit, poezisë dhe prozës sonë në tërë botën".
Me interpretime dhe mesazhe muzikore do të përfshihen dhe muzikanti, aktori dhe këngëtari i njohur bullgar Dobrin Vekillov-Doni, saksofonisti Vlladimir Kërparov nga Gjermania, Kristina Zheçkova – bullgare besarabe, e lindur në Ukrainë, harpistja Cvetelina Likova dhe të tjerë. Kallojan Bukovski nga Londra na tregoi më shumë për kauzën që i bashkon:
"Ngjarja zgjat dy javë, në kuadrin e të cilave do të jetë aktive edhe fushata bamirëse që po mbështesim. Kauza është e Fondacionit “Së bashku në klasë”, e cila synon të krijojë një metodologji arsimore falas për fëmijët dygjuhësh. Këtu përfshihen si fëmijët në Bullgari, gjuha amtare e të cilëve nuk është bullgarishtja, ashtu dhe fëmijët bullgarë jashtë vendit që rriten në një mjedis ku flitet në gjuhë të huaj. Duke pasur parasysh se ka mbi 2 milion bullgarë në mbarë botën - emigrantë ose pjesë e komuniteteve historike, unë mendoj se këto instrumente arsimore që mund të përshtaten me mjedisin përkatës kulturor dhe arsimor do të përhapen gjithnjë e më shumë".
Projekti i fondacionit "Së bashku në klasë" realizohet në bazën e një tjetri, zbatuar në kuadër të programit Erasmus + i cili synon krijimin e materialeve në ndihmë të mësimit ë gjuhës bullgare në klasën e parë. Qëllimi i kësaj fushate bamirëse është që të bashkëpunojë në përgatitjen e materialeve që mbështesin arsimin e klasës së dytë. Ato do të përfshijnë një sistem lojërash gjuhësore, të kombinuara me udhëzime të hollësishme për zbatimin e tyre, të ilustruara mjaftueshëm dhe me materiale shtesë audio dhe video.
Për ta mbështetur këtë kauzë, koncerti "Fluturimi i kulturës bullgare nëpër botë" do të përfshijë bullgarë nga 12 qytete në 8 vende të tre kontinenteve, vuri në dukje organizatori Kallojan Bukovski. Ai vetë punon si analist në sektorin financiar, por kjo nuk e ndalon për të zhvilluar një veprimtari aktive shoqërore. Si drejtor i një platforme për artin dhe shkencën për bullgarët në territorin e Britanisë së Madhe - "Bullgarët e kohës së re", ai organizoi shumë ngjarje që synonin bashkimin e komunitetit bullgar në Mbretërinë e Bashkuar.
Ne meritojmë të kemi disa ditë në vit për të kujtuar se sa të vlefshëm jemi për botën," tha Kallojan Bukovski me rastin e Ditës së Vëllezërve të Shenjtë Kirill dhe Metodij - 24 maj, një festë unike e cila nderon arsimin, kulturën dhe shkrimin sllav .
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: bgnovovreme.com
Në mënyrë festive dhe me respekt ndaj përvjetorit të 143 të lindjes së Vlladimir Dimitrov - Mjeshtrit, Galeria e Arteve e Qytetit Kjustendill jep Çmimin Kombëtar të Pikturimit për vitin 2024 me emrin e piktorit të famshëm bullgar. Vlladimir..
Qyteti danubian Svishtov do të shënojë sot 169 vjet nga themelimi i qendrës së parë kulturore bullgare, të ashtuquajturat vatra kulturore (çitalishte). Festimi do të bëhet para pllakës përkujtimore të Dimitër Naçoviç, ku do të vendosen lule. Qendra..
Pesë autorë dhe katër përkthyes do të jenë rezidentët e Shtëpisë së Letërsisë dhe Përkthimit në vitin 2025.Autorët do të punojnë në projektet e tyre dhe përkthyesit do të kërkojnë autorë dhe tituj të rinj bullgarë për përkthim për t'ua ofruar..