“Unë jam përkthyes – përkthyes i ndjenjave!”. Kështu e përcakton veten piktori Albert Hadjiganev. Kur sheh diçka të bukur, diçka që arrin ta emocionojë vërtet, ai gjithmonë ndjen nevojën për t’ua përcjellë këtë emocion të tjerëve. Sidoqoftë, u deshën gati 40 vjet për “përkthimin” e artit të tij për realitetin bullgar - një histori e tërë e jetës, e denjë për një subjekt filmik. Fillimi ishte në vitin 1954 në qytetin Sevlievo (Bullgaria Qendrore Veriore), kur në një familje piktorësh lindi Albert. Pikturimi është gjithçka që e preokuponte ndonjëherë. Erdhi në kryeqytetin Sofje për të ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë piktor dhe pasi mbaroi Gjimnazin Poligrafik, aplikoi në Akademinë Kombëtare të Arteve Figurative.
“Ishin vite të veçanta dhe gjërat në Bullgari ishin të tilla, që nuk mund të bëhesh piktor, në se nuk ke mbaruar Akademinë. Unë aplikova dy herë pa sukses. Përhapeshin legjenda për këtë se kush në çfarë mënyrë u pranua, kush u pranua pasi aplikoi herën e 12 etj. Pasi nuk më pranuan herën e dytë vendosa se herën e tretë nuk do të aplikoja në Sofje dhe u largova. Më këmbë përtej kufirit dhe me të gjitha peripecitë e supozuara” – tregon piktori dhe sheh një fuqi dhe mbështetje hyjnore në ikjen e tij të suksesshme nga Bullgaria socialiste.
Viti ishte 1982. Alberti ishte vetëm 28 vjeç kur përmes Serbisë me një ndalesë të shkurtër në Itali u gjet në Paris dhe u ndje si në shtëpi. Shtatë vitet e vijueshme ai kaloi në atelienë e piktorit francez Remy Aron, mbaroi Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve Figurative në Paris dhe e ktheu veten në një artist të njohur. Që atëherë e deri më sot në biografinë e tij krijuese ka më se 60 ekspozita me vete në Francë, Belgjikë, Gjermani, Itali, Austri, SHBA. Në vitin 1989 mori Çmimin e Madh për Pikturim të Akademisë së Arteve të Bukura pranë Institutit Francez në Paris, ndërsa në vitin 1991 – Çmimin e Qeverisë së Monakos i cili dorëzohet personalisht nga Princi Albert.
Për një periudhë pothuajse 40 vjeçare piktori u kthye në Bullgari nja 10-12 herë. Megjithë largësinë fizike dhe mikpritjen e ngrohtë të Normandisë, ëndrra e Albertit mbetet një ekspozitë në vendin e tij të lindjes. Dhe kjo ndodhi saktësisht 39 vjet pas arratisjes së tij, në fillim të tetorit 2021. Në dy hapësira në qendrën e Sofjes – Shtëpinë Muze “Boris Hristov” dhe Galerinë “Astri” prezantohen më se 50 tablo të cilat na zhytin në botën e një ëndrre të realizuar dhe në tërë rrugën e kaluar deri në të. Titulli “Mimesis” lidhet me filozofinë e lashtë greke, me kuptimin e artit dhe në përkthim fjalë për fjalë do të thotë imitim, rikrijim i një realiteti.
Natyra, qielli, ngjyrat e vjeshtës në fusha, vallëzimi i reve – e gjithë kjo është gjuha në të cilën Albert përkthen emocionet e tij. Dhe ky realitet i ekspozuat në Sofje është në shoqërim të muzikës së kompozuar nga biri i tij Gregor Hadjiganev dhe është një premierë origjinale e projektit të tyre të përbashkët, i cili vitin e ardhshëm do të prezantohet me ekspozita në Paris dhe në Nju Jork.
“Shumica, të mos them edhe të gjitha veprat e mia, vjen nga shëtitjet e mia të përditshme. Dhe përmes kësaj ekspozite dhe titulli të saj dua t’i bëj të gjithë të pyesin veten çfarë është arti dhe më në veçanti – për çfarë shërben ai? Personalisht unë mendoj se ai shërben për të jetuar më mirë, për t’u ndier më mirë dhe për të pasur disa synime” – thotë Albert i bindur fortë se rruga gjithmonë është më e rëndësishme se sa qëllimi i fundit.
Përpilues: Vesella Krësteva (sipas intervistave të Evelina Stojanova dhe diana Donçeva (BNR – Horizont) dhe Julija Petrova (BNR – Hristo Botev”)
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: astrygallery.com, ouest-france.fr, galeriebarlier.fr
Emri i Prof. Vlladimir Kefallov është në listën e shkencëtarëve që fituan çmimin prestigjioz Bresler për meritat në studimin e organit të të parit të njeriut në vitin 2019. Zbulimet më të rëndësishme të fizikanit bullgar, i cili jeton dhe punon në..
Knezha, Sofja, Afrika e Jugut, Botsvana dhe ... Asenovgrad ndërthuren në jetën e bashkatdhetares sonë Darena Gesheva dhe sigurisht i japin asaj kujtime të panumërta për t'u treguar miqve dhe vizitorëve në kafenenë e saj në qytetin afër Plovdivit. Vendi..
Ajo është e bukur, e hollë, e re dhe e arsimuar. I ka të gjitha cilësitë për të pasur një karrierë të suksesshme në botën e pasarelave apo në atë të reklamave! Por ajo zgjedh të rrisë ...buaj në fshat. Cvetelina Nedkova u diplomua me nota të shkëlqyera..