Më 6 janar, Kisha Ortodokse Bullgare feston një nga festat më të ndritshme të krishtera, të quajtur Dita e Ujit të Bekuar, Theofania, Epifania, ose Pagëzimi i Krishtit. Kjo është dita në të cilën Gjon Pagëzori pagëzoi Jezu Krishtin në lumin e shenjtë Jordan.
Sipas kalendarit popullor bullgar, Epifania u jep fund të ashtuquajturave “Ditë të Pista" që fillojnë me Lindjen e Krishtit, në të cilat demonët dhe forcat e papastra enden në tokë. Por që nga Dita e Ujit të Bekuar, pas Bekimit të Madh të Ujit, bota pastrohet, falë fuqisë jetëdhënëse të ujit të Epifanisë. Shenjtërimi i ujit bëhet gjatë Bekimit të Madh të Ujit, i quajtur edhe Bekimi i Madh i Epifanisë, i cili mbahet vetëm dy herë në vit më 5 dhe 6 janar. Në prag dhe në vetë Ditën e Ujit të Bekuar, pas Liturgjisë së Shenjtë Hyjnore, drejtohen lutje për bekimin e Zotit mbi ujin dhe pastrimin e shenjtërimin e atyre që e marrin atë. Në fund të shërbesës, prifti spërkat me ujë të shenjtë laikët, të cilët më pas e derdhin për të spërkatur shtëpinë e tyre për shëndet dhe bekime. Uji i Epifanisë ruhet në shtëpi deri në Bekimin tjetër të Madh të Ujit për të ndihmuar besimtarët nevojtarë.
Pas bekimit të ujit, sipas traditës kishtare, kryhet një procesion liturgjik, i udhëhequr nga prifti, në lumin ose pellgun aty pranë. Atje, më të guximshmit marrin pjesë në një ritual simbolik - heqjen e kryqit, të cilin prifti e hedh në ujë pas lutjes së përbashkët. Besohet se kushdo që e arrin i pari dhe e nxjerr nga ujërat e akullta do të jetë shumë i shëndetshëm dhe i suksesshëm gjatë gjithë vitit. Populli ynë beson se nëse kryqi ngrin në ujë, viti do të jetë pjellor dhe njerëzit të shëndetshëm.
Sipas kishës, në Ditën e Bekimit të Ujit shenjtërohen të gjitha burimet e ujit në tokë. Prandaj, besohet se i gjithë uji në tokë në Ditën e Epifanisë është i shenjtëruar dhe ka veti shëruese dhe pastruese. Më shumë hollësi interesante për këtë festë të bukur mund të lexoni në botimin “Sot është Dita e Bekimit të Ujit! Të jemi plotë shëndet dhe të na ecë si nëpër ujë!” nga koleksioni i Radio Bullgarisë.
Përpiloi: Veneta Nikollova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, arkiv
Sot është Dita e Gjyshes (Babinden) - një nga festat më të dashura dhe autentike bullgare, me rrënjë të thella në traditën popullore. E festuar më 8 janar sipas stilit të ri, ajo u kushtohet grave që ndihmuan nuset e reja gjatë lindjes – gjyshet-mami...
Kisha Ortodokse Bullgare nderon më 7 janar kujtimin e Shën Gjon Pagëzorit, të quajtur edhe Pararendës, sepse ai përgatiti njerëzit për ardhjen e Shpëtimtarit. Dita kushtuar Shën Gjonit, i njohur në vendin tonë si Dita e Ivanit, është menjëherë pas..
Sivjet më 6 janar, kur bie një nga festat më të ndritshme të krishtera – Epifania ose Dita e Bekimit të Ujit , shënojmë edhe 177 vjetorin e lindjes së poetit revolucionar Hristo Botev, sipas stilit të ri. Me këtë rast atmosfera në qytetin..