Energjia elektrike në tregun e lirë u rrit disa herë gjatë muajve të fundit. Nga fillimi i vitit 2022, çmimi mesatar i energjisë elektrike në Bullgari është 131.95 euro për një megavat orë kundrejt 95 eurove në korrik të vitit të kaluar, por gjatë kësaj periudhe kishte rritje të çmimeve madje mbi 300 euro. Deri më tani, rritja e çmimit nuk prek drejtpërdrejt konsumatorët familjarë në Bullgari, pasi në dhjetor, me vendim parlamentar, çmimet u ngrinë deri në fund të marsit 2022. Shumë ekspertë i akuzojnë autoritetet për sjellje që është në kundërshtim të parimeve të tregut, gjë që më vonë do t'u kushtojë shumë shtrenjtë konsumatorëve. "Mangësitë e tij (vendimit për ngrirjen e çmimeve) do të shihen në javët dhe muajt e ardhshëm," tha Ivan Ivanov, kryetar i Komisionit Rregullativ të Energjisë dhe Ujit, duke shtuar se ai është ankuar në BE për ndërhyrje në punën e rregullatorit të pavarur nga ana e qeverisë. Vetë kryeministri Kirill Petkov pranoi se ngrirja e çmimeve të energjisë elektrike për popullsinë nuk është zgjidhja më e mirë dhe se vendimi mund të rishqyrtohet para afatit përfundimtar.
Për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike mund të ketë vonesë, por për biznesin vlejnë çmimet në tregun e lirë, të cilat po rriten me shpejtësi dhe tashmë kanë tejkaluar edhe parashikimet më të guximshme, duke arritur në nivele të paprecedentë në diapazonin 180-250 euro për një megavat orë. “Tani shumica e ndërmarrjeve punojnë me humbje, me marrëveshje të lidhura me çmime më të ulëta, të cilat duhet të zbatohen në kushtet e reja”, deklaroi para televizionit Bulgaria ON AIR Ivajllo Najdenov, drejtor ekzekutiv i Federatës Bullgare të Konsumatorëve Industrialë dhe Energjetikë.
Në përgjithësi, Bullgaria prodhon sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike dhe madje është eksportuese. Përveç kësaj, energjia elektrike vendase është mjaft e lirë, sepse prodhohet në një central të vet bërthamor dhe në termocentrale me qymyre që përdorin qymyrin vendas si lëndë djegëse. Dhe kjo garanton jo vetëm pavarësinë energjetike, por edhe çmime shumë më të ulëta. Në të vërtetë, energjia elektrike në vend është më e lira në Evropë, me përjashtim të Polonisë.
Megjithatë, bizneset po vuajnë rëndë nga rryma e shtrenjtë për shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe kërkojnë dëmshpërblim nga shteti. Ministria e Energjetikës propozon që të kompensohen tre të katërtat e vlerës mbi 95 euro për një megavat orë, që është çmimi i tregut për muajin korrik. Gjithashtu, duhet të vendoset një kufi kompensimi deri në 30% të çmimit të tregut. Ndihma e planifikuar kap vlerën e 767 milionë eurove. “Ky është një resurs i madh, i cili do të përdoret për të parandaluar goditjet nga çmimet e energjisë. Jemi krejtësisht të qartë se shumë nga bizneset kanë probleme me pagimin e shpenzimeve të energjisë. Në të njëjtën kohë edhe kompanitë e shpërndarjes së energjisë kanë shumë probleme, gjë që mund të ndikojë mbi çmimet për konsumatorët e energjisë në jetën e përditshme”, tha Kryeministri Kirill Petkov.
Biznesi mendon se ndihma nuk është e mjaftueshme. Ai e shpalli këtë në një takim të posaçëm me presidentin Rumen Radev, duke insistuar për thirrjen urgjente të Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare. Tavani i propozuar nga qeveria për kompensimin e biznesit për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike, që arrin në 30% të çmimit aktual të tregut, e bën masën joefektive, i thanë Radevit përfaqësues të organizatave të punëdhënësve. Kryetari i komisionit parlamentar për buxhetin dhe financat, Ljubomir Karimanski, mendon se tavani mund të rritet në 35%, gjë që do të diskutohet së shpejti në një takim ekspertësh.
Tani për tani nuk ka një zgjidhje të kënaqshme në favor të biznesit. "Kjo do të thotë ndalimin e punës së ndërmarrjeve, ndalimin e të ardhurave, ndalimin e prodhimit, humbjen e konkurrencës. Kjo do të thotë gjithashtu një situatë shumë më të keqe ekonomike nga sa kemi parë në dhjetë vitet e fundit," tha Krasen Stançev, një ekonomist në Institutin për Ekonominë e Tregut. Deri më tani, vetëm kompanitë energjetike duket se janë të kënaqura me këtë situatë - termocentralet, Holdingu Bullgar i Energjetikës dhe Kompania Kombëtare Elektrike, të cilat po grumbullojnë fitime të papara nga çmimet e larta. Pikërisht në këto çmime dhe fitime biznesi sheh një burim fondesh për kompensimet e kërkuara. Ndryshe, shumë biznese pritet të mbyllen, papunësia të rritet dhe inflacioni të përshpejtohet.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Shitjet e makinave të reja në Bullgari në tetor u rritën tri herë më shumë se niveli mesatar i Bashkimit Evropian, ku blerja e makinave të reja ishte vetëm 1.1%. Sipas të dhënave të Asociacionit të Prodhuesve Evropianë të Automobilave, 75.9% e..
Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..
Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..