Ivan Kënçev është një njeri i ri, i arsimuar, autor i katër librave, që vendosi të qëndrojë në vendlindjen e tij – Bullgarinë, dhe të popullarizojë historinë e saj në një mënyrë të re dhe tërheqëse për adoleshentët. Ai është edhe një nga themeluesit e Shoqatës “Historia Bullgare” dhe një njeri që na kujton me qetësi dhe kujdes se historia që po shkruajmë nuk fillon nga faqja jonë, nga këndvështrimi ynë, nga interesi ynë. Dhe në pragun e linjës së re në zhvillimin e historisë politike të Bullgarisë, në të cilën do të marrim pjesë më 2 tetor, është mirë ta kujtojmë atë. Sepse secili prej nesh është bashkautor i kohës në të cilën jeton. Dhe një nga përgjegjësitë tona të mëdha është ushtrimi i të drejtës së votës, të cilën gjithnjë e më shumë e marrim si i mirëqenë, dhe jo si vlerë e fituar me rëndësi të jashtëzakonshme për jetën tonë, thotë Ivan Kënçev në një intervistë për Radio Bullgarinë.
“Të paktën kështu mund të shpjegoj qëndrimet në shoqërinë tonë, sepse realiteti është më se i papëlqyeshëm. Madje është e frikshme për mua. Fatkeqësisht, ne po vërejmë një trend jashtëzakonisht të pakëndshëm me interes gjithnjë e më pak në shoqëri. Jo vetëm nga zgjedhjet, por përgjithësisht angazhimi i ulët politik i njerëzve, veçanërisht i brezit të ri. Po rritet një brez i ri, i cili është jashtëzakonisht larg politikës, i cili nuk dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës dhe të angazhohet me atë që po ndodh. Nëse flasim për 30 vitet e fundit - këtu trendi është padyshim në rënie. Sepse në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, angazhimi politik në Bullgari arriti nivele thuajse rekorde, të cilat nuk ekzistonin as në kohën e epokës cariste. E gjithë kjo tani po humbet, zhduket, dhe ky proces, mendoj se është kryesisht i pakthyeshëm.”
A e dini se ka pasur një periudhë në historinë bullgare pas vitit 1879 kur votimi në zgjedhje ishte jo vetëm i detyrueshëm, por vendoseshin edhe gjoba financiare për ata që nuk ushtronin të drejtën e tyre të votës. Ivan e mbështet një masë të tillë, pavarësisht natyrës së saj jo veçanërisht demokratike. “E drejta e votës është detyra jonë dhe është minimumi që duhet ta përmbushim”, mendon Kënçev.
Dhe në diskutimin me korrespondencë me historianin e ri, “përballemi” me tabela rrugore si “Zgjedhjet nuk ndryshojnë asgjë! Po ta bënin, do t’i ndalonin”, që mund ta takoni edhe tani në Sofjen evropiane. Retorika e largët e pakuptimtë politike, premtimet e paplotësuara dhe jeta e vështirë e bullgarëve i larguan ata edhe më shumë nga kutitë e votimit... Të gjitha këto janë opinione që shpjegojnë pjesëmarrjen e ulët të votuesve në më se dhjetë vitet e fundit. Dhe ajo që u harrua dje, përsëritet nesër – thekson Ivan dhe mban qëndrimin se nëse një gjë në historinë njerëzore është absolutisht e sigurt, ajo është se zgjedhjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie.
“Nëse kthehemi pas në kohë, edhe në disa nga sondazhet e para të bëra në vendin tonë, ka pasur manipulime. Por pavarësisht përpjekjeve të tilla, shihet qartë se nëse populli bashkohet rreth një force politike, rreth një ideje të caktuar - zgjedhja nuk mund të ndryshohet. Ne e kemi humbur ndjenjën se diçka varet nga vota jonë dhe mendoj se ndarja shoqërore ka arritur një nivel të tillë saqë flasim vetëm me njerëz me mendje të njëjtë. Ne jemi bashkuar në rrethet tona shoqërore dhe e kemi të vështirë t'u afrohemi të tjerëve dhe të shprehim këndvështrimin tonë dhe të dëgjojmë tjetrin.”
Dhe arsyeja duket qartë në psikologjinë popullore të bullgarit, i cili nga natyra është individualist. Sipas Ivan Kënçevit, kjo është pikërisht një nga arsyet e dështimit të qeverive të koalicionit në historinë bullgare, përfshirë edhe atë të fundit.
“Arsyeja tjetër është mungesa e një tradite demokratike në vend - thotë historiani i ri. - Shpesh mendojmë sesi demokratët në Evropë arrijnë të qeverisin në koalicione të gjera dhe harrojmë se kanë për bazë një traditë shekullore. Nuk e kuptojmë realisht se kemi një histori demokratike më të shkurtër se një shekull – pas Çlirimit deri në vitin 1944, me të gjitha kushtëzimet e etapave të qeverisjes atëherë, dhe nga viti 1989 e deri më sot. Kjo është një kohë shumë e shkurtër në aspektin historik. Pra, ne vetë nuk e kemi këtë traditë të demokracisë, si funksionon, cilat janë mekanizmat e saj. Të mos harrojmë fenomenin botëror të kohës sonë, që po bëhemi gjithnjë e më egoistë si individë dhe si shoqëri. Disa e quajnë karakteristikë të kohës, unë e quaj problem dhe këtu është edhe më i mprehtë. Dhe e gjithë kjo së bashku shkakton një rreth vicioz të kalimit nga kriza politike në krizë politike, të shkaktuar thjesht nga mosgatishmëria për të dëgjuar dhe për të pranuar tjetrin. Ne jemi të bindur vetëm për të drejtën e mendimit tonë dhe nuk bëhet kështu politika. Nëse do ta bëjmë kështu, ne jemi më shumë në favor të mënyrave të tjera të qeverisjes që ekzistojnë, dhe ndoshta është koha ta pranojmë dhe të shikojmë realitetin dhe të mos gënjejmë veten.”
Prapëseprapë, përralla vazhdon të shkruhet. Dhe këtë të diele Ivan Kënçev do të votojë për formimin e Legjislaturës së 48-të Kuvendit Popullor të Bullgarisë.
“Në të gjitha zgjedhjet e deritanishme kam votuar, por e pranoj që këtë herë është më e vështirë për mua. Gjërat në të cilat besoj, nuk jam i sigurt se mund të mbrohen, por do të votoj sepse duhet votuar” - është kategorik bullgari.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: arkiv personal, Ani Petrova
Ndryshimet në Ligjin për Energjinë, të miratuara nga Kuvendi, shtynë fillimin e periudhës së tranzicionit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për një vit tjetër – deri në 1 korrik 2025. Ndryshimet duhet të ofrojnë një mundësi graduale për..
Çdo fëmijë ëndërron të ketë gjithë kohën e botës për të luajtur dhe për të shijuar shumë ëmbëlsira. Një nga më të dashurat, natyrisht, është e Madhërishmja - Çokollata. Për shumë njerëz sot, çokollata është një burim i vazhdueshëm lumturie, sepse..
Një nga poetët më të rëndësishëm bullgarë - Atanas Dallçev - lindi më 12 qershor 1904 në Selanik, në një familje të pasur që jetonte pranë Kullës së Bardhë. Babai i tij, Hristo Dallçev, ishte ndër qytetarët e shquar bullgarë në Selanik - jurist për..