Shoqata për Kombet e Bashkuara në Bullgari është një nga organizatat joqeveritare më të vjetra në vendin tonë. Ajo u krijua në 1948 për të mbështetur anëtarësimin e Bullgarisë në organizatën ndërkombëtare. Shoqata ka njëzet vjet që ka një Seksion të Rinisë, i cili koordinon aktivitetet që synojnë moshat nga 18 deri në 30 vjeç. Anëtarët e saj janë studentë nga i gjithë vendi, të cilët i njohin vlerat dhe idetë e Kombeve të Bashkuara si të tyret. Pikërisht këta të rinj aktivë qëndrojnë sot pas organizimit të Turneut të Futbollit të Ligës së Ambasadorëve në Sofje. Aktiviteti do të zhvillohet për të shtatin vit në fushën e Bazës Kombëtare të Futbollit “Bojana” këtë të diel më 16 tetor dhe do të jetë nën moton “Stop racizmit. Krijo paqe.”
“Qëllimi i tij është të mbledhë në një vend përfaqësues të të gjitha misioneve diplomatike në Bullgari - tha për Radio Bullgarinë Kirill Ninov nga Seksioni i Rinisë i Shoqatës së Kombeve të Bashkuara në Bullgari. – Ata do të luajnë një sërë ndeshjesh në një turne futbolli me porta të vogla. Aktiviteti shoqërohet me një kauzë bamirësie dhe këtë vit lidhet me një sërë nismash nën titullin “Shkolla e të Drejtave të Njeriut”. Është dëshira jonë që më shumë njerëz të jenë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre. Natyrisht, ngjarja ka një natyrë argëtuese dhe konkurruese. Ne besojmë se do të imitojmë forumet sportive botërore dhe do të mundësojmë që bisedat gjeopolitike ndërkombëtare dhe dialogu politik të zhvillohen në një mjedis joformal”.
Deri tani konfirmim për pjesëmarrje në kampionat ka nga ambasadat e Gjeorgjisë, Iranit dhe Turqisë, si dhe nga Shoqata Studentore për Studimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Një ftesë e veçantë i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve, dhe këto të fundit do të kenë mundësinë të formojnë ekipin e tyre, saktëson Kirill Ninov.
Të dielën do të formohen deri në 8 skuadra dhe të gjithë golat e shënuar do të jenë në emër të paqes - një temë e veçantë në situatën e sotme gjeopolitike në Kontinentin e Vjetër.
“Ne besojmë se në forume të tilla mund të ruhet toni i mirë dhe dialogu. Duhet të theksoj se Federata Ruse nuk do të marrë pjesë në turne për arsye që lidhen me politikën e vendit tonë, si dhe me politikën e zhvilluar nga Kombet e Bashkuara. Në këtë drejtim, ata ishin të vetmit pa ftesë nga ne”.
Sporti na bashkon. Kujtimet e mijëra bullgarëve që përjetuan verën e paharrueshme të vitit 1994 dhe sukseset e futbollistëve bullgarë gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në SHBA janë ende të gjalla. Nuk janë të pakta vendimet e rëndësishme politike botërore të dakorduara në një mjedis informal dhe bisedë jashtë protokollit. A është e mundur paqja botërore në shekullin 21? I riu Kirill Ninov është skeptik.
“Nëse më pyesni mua si person, do t'ju them se paqja botërore është një utopi absolute, si dhe komunizmi. Karl Marksi e shkroi dikur në “Kapitali. Kritika ndaj ekonomisë politike” – kjo është diçka e pamundur, për të cilën na duhet një shoqëri jashtëzakonisht e arsimuar. Kështu qe për mendimin tim, paqja nuk është e mundur, por ka hapa që mund të na afrojnë sa më afër saj - thotë Kirill Ninov. - Kjo varet nga ne dhe nga mënyra në të cilën i edukojmë brezat pas nesh. Duhet të mësohemi të gjykojmë një person sipas veprimeve të tij personale, dhe jo sipas ngjyrës së lëkurës, orientimit etnik, seksual apo politik që ka”.
Dhe duke parë historinë tonë, le të mos harrojmë se në fund të fundit, njeriu është një kafshë shoqërore, siç thotë psikologu i famshëm amerikan Elliot Aronson. Për të funksionuar normalisht na duhet një komunitet. Dhe sa më i madh, më koheziv dhe më i shëndetshëm të jetë, aq më mirë do të arrijmë të marrim rezultat në ndeshjen kundër kohës.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv
Nurgyul Salimova shënoi fitoren e saj të parë në turneun e shahut të serisë Grand Prix në Shikment, Kazakistan. Në një ndeshje të raundit të tetë, ajo mposhti me figurat e zeza Bathuyag Munguntuul nga Mongolia. Kështu, pjesëmarrësja në turneun e..
Forhandi i tenistit më të mirë bullgar Grigor Dimitrov është një top i vërtetë, shkruan ATP. Analiza e ATP Infosys Beyond The Numbers për shpejtësinë mesatare të goditjes dhe rrotullimin, bazuar në performancën e 10 lojtarëve më të mirë gjatë tri..
Stefani Stoeva dhe Gabriella Stoeva fituan titullin në dyshe për femra në turneun ndërkombëtar të badmintonit të serisë “International Challenge” në Hertogenbosch – Holandë. Motrat, të cilat janë të pestat në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 dhe janë..