Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

145 vjet nga varja e librashitësve të Sofjes

Nikolla Vardev – “luani” i shpëtuar i Sofjes

Foto: BGNES

145 vjet më parë, katër librashitës të Sofjes u varën në trekëmbësh me akuzën e shpërndarjes së literaturës rebele. Menjëherë pas Çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha osmane (1878), themeluesi i botimit të librave në Bullgari, Hristo G. Danov, propozoi të ngrihet një memorial në kujtim të tyre. Në periudhën nga viti 1889 deri në vitin 1891 u ndërtua Ura e Luanëve. Ajo ruhet nga luanë prej bronzi, të shquar për bukurinë dhe madhështinë e tyre, që mishërojnë katër revolucionarët që vdiqën për lirinë e vendit - Georgi Stoicev, Stojan Tabakov, Nikolla Krushkin dhe Kiro Geoshev.


Megjithatë, pak e dinë se në fakt kishte pesë librashitës. “Luani” i pestë i Sofjes është Haxhi Nikolla Vardev.

“Nikolla Vardev dhe Stojan Tabakov ishin kushërinj. Ata ishin barinj, pastaj tregtarë katrani. Pas një udhëtimi deri në Varrin e Shenjtë në Jerusalem ata u bënë hanxhinj. Në vitet 1864-1865, së bashku hapën librarinë e parë të vërtetë në Sofje – tregon historinë e familjes së tij Boris Vardev, trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Nikolla Vardev. - Ata shitnin literaturë kishtare, libra, botime të shtypura. Dy të rinjtë nga fshati i vogël Jakoruda i Bullgarisë Jugperëndimore u nisën në rrugën e dijes dhe të dritës”.

Brenda pak vitesh edhe tre librashitësit e tjerë hapën dyqanet e tyre në vendet më të frekuentuara të kryeqytetit të ardhshëm. Në vitin 1870, pasi Vasill Levski themeloi Komitetin Revolucionar të Sofjes, ata u bënë anëtarë të tij dhe filluan të shpërndanin literaturë rebele.

Mallrat e rrezikshme ruheshin në kamare të fshehta dhe transportoheshin në arka me funde të dyfishta. Në vitin 1877, katër vjet pas vdekjes së Levskit, librashitësit u kapën dhe u dënuan me vdekje. Nikolla Vardev arriti të shpëtohet.

Boris Vardev

“Ekzistojnë disa versione për kapjen e këtyre bashkëpunëtorëve të Apostullit, por sigurisht që ata po vëzhgoheshin për aktivitet rebel - është kategorik Boris Vardev. - Jashtë mbetet kreu i organizatës së fshehtë, i cili merrte informacione inteligjente për lëvizjen e trupave ruse dhe doli me një plan për të shpëtuar të paktën një nga librashitësit, në mënyrë që i mbijetuari të mund të mbështeste familjet e të tjerëve. Si e bënin këtë? Ata hodhën shortin dhe fituesi me fat rezulton Haxhi Nikolla Vardev. Ai përfitoi nga një boshllëk në ligjin turk dhe shpalli se dëshironte të pranojë islamin dhe të pendohet, duke e ditur se Lufta Çlirimtare Ruso-Turke është në një fazë shumë të avancuar dhe se së shpejti Sofja dhe ai do të liroheshin.”

Varja e katër librashitësve të Sofjes u bë në mënyrë që të gjithë të shikojnë: u krye para librarive të tyre në një ditë tregu për mësim të të tjerëve. Më 15 nëntor 1877 ata u ndanë nga jeta dhe mbetën në përjetësi pak muaj para Çlirimit, pa e parë atdheun e tyre të lirë. Nikolla Vardev mbeti për të vazhduar punën e tyre. Priti lirinë në burg. Vdiq në Sofje në vitin 1915 në moshën 81-vjeçare, duke qenë mbrojtës i kulturës dhe arsimit deri në vdekje.

“Ai ishte një donator i madh si para ashtu edhe pas Çlirimit. Filloi si jurist, u bë avokat, ishte gjykatës i qarkut - vazhdon Boris Vardev. - Paratë e fituara i investonte në donacione në fshatin e tij të lindjes, Jakoruda. Ishte një nga dashamirësit e mëdhenj të vatrës së kulturës atje, dhuroi enë dhe literaturë kishtare për tempullin, vendosi bursë për studentët. Banorët mirënjohës në Jakoruda i dhanë një rruge emrin e tij. Fytyrat e Nikolla Vardev dhe Stojan Tabakov janë të rikrijuara në shkollë, së bashku me iluministë të tjerë të qytetit.”

Nuk ka ndonjë anëtar i familjes Vardev që nuk merrej me veprimtari revolucionare apo bamirëse. Edhe Boris Vardev po ndjek gjurmët e paraardhësve të tij të shquar. Prej shumë vitesh është i angazhuar në aktivitete publike, ndërsa gati 20 vjet më parë së bashku me shokë themeloi vatrën e kulturës “Mladost 2003” në qytetin Samokov.

“Ka shumë gjini të ngjashme. Këto janë gjinitë që krijojnë Bullgarinë moderne - thotë ai. - Fise që nisën nga fshatrat e vegjël dhe arritën në qytetet e mëdha, ku u bënë përhapës të idesë së lirisë dhe zhvillimit. Bullgaria moderne mbështetet në supet e tyre. Kjo është historia e vërtetë e Bullgarisë! Kjo është Bullgaria!”

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: Desisllava Semkovska, arkiv personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një tempull unik trak në Plovdiv mund të restaurohet plotësisht

Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..

botuar më 24-08-23 12.16.MD

Arkeologët kanë zbuluar një varrim të pasur të një luftëtari trak të epokës romake

Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..

botuar më 24-08-22 5.56.MD

Arkeologët zbuluan më shumë se 500 monedha të lashta në Filipopollin e vjetër

Arkeologët zbuluan në Plovdiv më shumë se 500 monedha nga periudha të ndryshme dhe shufra ari për të bërë bizhuteri. Gjetjet janë nga gërmimet e shpëtimit në rrëzat e Qytezës së Vjetër pranë portës së madhe lindore të Filipopollit të lashtë. Në epokën..

botuar më 24-08-19 7.10.PD