Programi i kulturës i BNR-së “Hristo Botev” për të dytin vit radhazi organizon fushatën “Ambasadorë Bullgarë të Kulturës”. Ideja është të nderohen shkrimtarët, poetët, dramaturgët, piktorët, aktorët, këngëtarët dhe kompozitorët, përfaqësuesit e artit të kërcimit etj., të shquar bullgarë, të cilët me krijimtarinë e tyre gjatë vitit 2022 kapërcyen kufijtë gjeografikë të vendit tonë. Këta janë bullgarët që e bëjnë Bullgarinë të njohur në hapësirën kulturore botërore.
“I ftojmë dëgjuesit tanë të sugjerojnë emrat e artistëve tanë të këtij lloji që kanë spikatur në vitin 2022 dhe të cilët sipas tyre mund të quhen “ Ambasadorë Bullgarë të Kulturës”, tha Nina Caneva, gazetare e programit “Hristo Botev”, njëkohësisht dhe iniciator dhe shtytës kryesor i fushatës, në një intervistë për Radio Bullgarinë. Dhe më shume:
“Kjo iniciativë pati mbështetje edhe nga organizata e artistëve bullgarë jashtë vendit, gjë që tregon se është e mundur të ndërtohet një urë lidhëse midis artistëve në Bullgari dhe atyre që punojnë jashtë dhe të realizohet çdo vit një takim në transmetim për të promovuar emrat e tyre, punën e tyre, e cila të bëhet e njohur edhe këtu në vendin tonë. Fatkeqësisht, dëgjuesit tanë njohin më shumë artistët që jetojnë dhe punojnë në Bullgari dhe janë të njohur në hapësirën kulturore botërore, në kurriz të artistëve tanë jashtë vendit. Dhe unë jam shumë e lumtur për një takim në Lidhjen e Gazetarëve Bullgarë, i cili u organizua me artistë nga jashtë Bullgarisë, ku u shfaqën botimet dhe librat e tyre të rinj të vitit 2022. Puna e tyre do të prezantohet në BNR në 12 muajt e ardhshëm. Në këtë mënyrë ne duam të kontribuojmë në krijimin e një bashkësie shpirtërore, të lirë të kulturës bullgare, pavarësisht nga gjerësia gjeografike në të cilën ajo shtrihet”, thotë Nina Caneva.
Në vitin 2021 dëgjuesit e medias sonë publike patën mundësinë për një muaj të nominojnë artistë nga të gjitha zhanret. Juria përzgjodhi emrat e 22 artistëve bullgarë midis dhjetëra propozimeve të pranuara.
BNR tani u bën thirrje dëgjuesve të dërgojnë propozimet e tyre në kulturniposlanitsi@bnr.bg deri më 16 dhjetor.
Në fillim të vitit të ardhshëm, një juri me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit Shtetëror të Kulturës, BNR, BNT, BTA dhe institucione të tjera do të përzgjedhë “Ambasadorët Bullgarë të Kulturës” për vitin 2022.
“Dhe ambicia jonë më e madhe është të arrijmë të realizojmë, me mbështetjen e udhëheqjes së BNR-së, një forum kulturor të përvitshëm që do të bashkojë artistët brenda dhe jashtë vendit për të shkëmbyer përvojë, për të prezantuar kërkimet e tyre, për të komunikuar me institucionet bullgare në fushën e artit dhe kulturës. Sepse "shpirti është ai, që do të na ngrejë lart dhe do të na ndihmojë të kalojmë gjithçka që na ka ndodhur viteve të fundit" - këto janë fjalët e Zdravka Evtimova në video kartëvizitën e faqes së BNR-së, e cila prezanton pjesëtarët e edicionit të këtij viti, të cilët janë Zdravka Evtimova, Teodora Dimova, Teodosij Spasov dhe Prof. Gredi Assa. I falënderoj nga zemra për mbështetjen”, tha në përfundim Nina Caneva.
Shikoni kartëvizitën e fushatës me pjesëtarët e saj:
Aleksandër Shurbanov - poet dhe përkthyes, Venecija Karamanova - dirigjente, Georgi Gospodinov - shkrimtar, Gredi Assa - piktor, Zhaklin Vagenshtajn - botuese dhe kuratore, Zahari Karabashliev - shkrimtar, Zdravka Evtimova - shkrimtare, Jordan Kamxhallov - dirigjent, Kapka Kasabova – shkrimtare, Katrin Tomova - piktore, Ljudmill Angellov - pianist, Mari Vrina - përkthyese, Milla Iskrenova - koreografe, Mirella Ivanova - poete, dramaturge, Najden Todorov - dirigjent, Petër Vëllçanov - regjisor filmi, Sonja Jonçeva - këngëtare opere, Suzana Klinçarova - harpiste, Teodor Ushev - grafik dizajner dhe animator, Teodosij Spasov – muzikant, Juliana Antonova-Murata – shkrimtare, Javor Gërdev – regjisor.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..
Në ditët e para të vjeshtës, banorët dhe mysafirët e Plovdivit janë të ftuar të kujtojnë hapësira të veçanta, të dashura dhe interesante në qendër të qytetit. Ky rizbulim i veçantë dhe njohje e vendeve të përvetësuara nga emocionet dhe kujtimet personale..
Filmi "Triumfi" i tandemit regjisorial Petër Vëllçanov dhe Kristina Grozeva fitoi çmimin e madh për film artistik në Festivalin e 42-të të Kinemasë Bullgare "Trëndafilin e Artë" në Varna. Filmi mori edhe çmimin për skenarin e shkruar nga dy..