Dymbëdhjetë milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e transmetuara përmes ujit të pijshëm dhe numri vazhdon të rritet. Kjo është arsyeja pse shkenca përballet me sfidën se si të neutralizojë më me sukses ndotësit e rinj që po shfaqen. Në mesin e studiuesve në mbarë botën që kërkojnë zgjidhje për këtë problem është edhe shkencëtarja e re bullgare Docentja Dr. Nina Këneva-Dobrevska, e cila së fundmi fitoi çmimin "Për gratë në shkencë" të një kompanie globale kozmetike dhe UNESCO-s.
Nina Këneva e fokuson kërkimin e saj shkencor pikërisht në pastërtinë e ujit – një nga problemet globale për mbijetesën tonë si specie biologjike. Projekti i saj “Pastrimi i ujërave nga barnat farmaceutike” i bëri përshtypje jurisë dhe i solli një bursë prej 5 mijë dollarësh. Shkencëtarja është pjesë e departamentit “Kimi Inorganike” të Fakultetit të Kimisë dhe Farmacisë të Universitet të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”.
“Problemi është vërtet aktual, global dhe i lidhur me ekzistencën e njerëzimit – thotë Nina Këneva. – Ajri po ndotet gjithnjë e më shumë me gazra, ndërsa ujërat me të gjitha llojet e substancave toksike, të cilat kanë një efekt të dëmshëm mbi shëndetin e kafshëve dhe njerëzve. Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se shumë sëmundje lidhen pikërisht me konsumin e ujit të ndotur dhe numri i zonave të prekura po rritet gjithnjë e më shumë.
Ndër ndotësit e rinj të ujit janë barnat farmaceutike – komponentë aktivë me funksione dhe veti të ndryshme që dëmtojnë në çdo nivel hierarkinë biologjike. Megjithatë, impiantet e trajtimit nuk arrijnë t'i shpërbëjnë dhe ato gjenden në ujë, megjithëse në përqendrime të ulëta. “Këtu vjen roli i fotokatalizatorëve si dioksidi i titanit dhe oksidi i zinkut, të cilët ndihmojnë në shndërrimin e ndotësve toksikë në substanca të padëmshme”, shton shkencëtarja. Qëllimi i saj është të kontribuojë nëpërmjet ndihmës së tyre “për të kapërcyer maksimalisht pengesat për mineralizimin e plotë të barnave farmaceutike dhe për të marrë ujë të pastër”.
Në formulat kimike të padepërtueshme dhe pa emocione, vite më parë nxënësja e klasës së shtatë Nina Këneva zbulon një botë sekretesh dhe mundësish të pafundme, të cilat gradualisht i bëri të sajat në Gjimnazin Kombëtar të Shkencave të Natyrës dhe në Universitetin e Sofjes, gjatë specializimeve në Republikën Çeke, Japoni dhe Izrael, në vendin e saj të punës, i cili më pas u kthye në një shtëpi të dytë.
“Në vitin 2007, isha në vit të parë në universitet dhe pata fatin të gjeja veten në Laboratorin e Shkencës dhe Teknologjisë së Nanogrimcave nën udhëheqjen e një njeriu dhe shkencëtari të mrekullueshëm – të ndjerit Doc. Ceco Dushkin”, kujton ajo. – Në atë kohë ai më caktoi projektin e parë në lidhje me ngjyruesin jeshil malakit, i cili përdorej për të asgjësuar bakteret në rezervuarët e peshkut dhe që më pas u zbulua se ishte kancerogjene. Një fakt interesant është se granofurina për trajtimin e dhimbjeve të fytit përmbante këtë ngjyrues. Pikërisht nga ky laborator pasuan shumë gjëra - projekt pas projekti, kërkim pas kërkimi, përmirësim i njohurive dhe interes i madh dhe dashuri për atë që kam bërë tash prej 15 vitesh”.
Ndonëse është e ftuar të punojë në më shumë se një shtet, Nina zgjedh të zhvillohet në Bullgari: “Kam qëndruar këtu sepse e dua shumë atdheun dhe folklorin bullgar. Përveç kësaj, vendi ynë ka shumë për t'u dhënë shkencëtarëve të rinj.” Ajo vetë hap dyert e laboratorit të saj për të nxitur të rinjtë e talentuar që të merren me shkencë në vendin tonë, ashtu siç u sollën disa kohë më parë me të mbikëqyrësit e saj shkencorë.
“Momentalisht te unë punon një studente në vitin e dytë të kimisë– thotë Nina Këneva. - Shumë e re, e shkathët, e zgjuar, inteligjente dhe thjesht e admiroj sepse ajo që tani ka shumë ide. Unë personalisht do të bëj gjithçka për t'i realizuar dhe që ajo të qëndrojë në Bullgari”.
Ashtu si Nina, e cila thotë se i ka realizuar të gjitha ëndrrat e saj. Sot ajo është nënë e një vajze të vogël, së fundmi docente dhe tashmë me një bursë nga programi “Për gratë në shkencë”. “Por pas gjithë këtyre ëndrrave qëndrojnë shumë vështirësi, shumë netë pa gjumë, shumë eksperimente të dështuara, 77 artikuj shkencorë dhe rreth 100 pjesëmarrje në konferenca shkencore”, pranon ajo. Dhe pyetjes “A nuk keni ndonjë ëndërr të re?”, ajo përgjigjet: “Jam tepër e lumtur për ta menduar”.
Më shumë rreth fituesve të bursave të këtij viti “Për gratë në shkencë”, mund të gjeni në:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Diana Cankova, Ani PetrovaPas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman(1878), arkitektë nga Evropa u dyndën në Sofje, kryeqytetin e ri bullgar të shpallur në vitin 1879, për t'i dhënë asaj një pamje moderne dhe një organizim funksional. Në vitet 90-të të shekullit XX,..
Pasi i kushtoi 23 vite të jetës së tij Marinës Mbretërore, britaniku Darren Carter vendosi të tërhiqej në vitin 2013. Ai pranon se për vite me radhë ka lundruar pa qëllim nëpër “ujërat e trazuar të jetës” – nga puna në punë, nga vendi në vend. Derisa..
Kodet e identitetit janë baza e gjenealogjisë - një shkencë që merret me prejardhjen e brezave, me origjinën njerëzore, me lidhjet farefisnore. Kodet e identitetit na dallojnë si njerëz - është i bindur për këtë asistenti kryesor Rosen Gacin nga..
"Dy ditët më të rëndësishme në jetë janë dita kur keni lindur dhe dita kur e zbuloni pse." Ky është një mendim që i atribuohet shkrimtarit të famshëm Mark..