Pavarësisht kohës së shkurtër për kërkime dhe financimit të pamjaftueshëm, sezoni arkeologjik 2022 rezultoi jashtëzakonisht i suksesshëm. Sipas informacioneve të Muzeut Historik Kombëtar, zbulimet e bëra, duke përfshirë pothuajse të gjitha periudhat arkeologjike nga parahistoria deri në mesjetë, japin informacion jashtëzakonisht të vlefshëm për jetën e njerëzve në trojet bullgare.
Falë kërkimeve arkeologjike në terren, të kryera me mbështetjen financiare të Muzeut Historik Kombëtar, Ministrisë së Kulturës, fondeve të programit "Kultura" të Bashkisë së Kryeqytetit dhe bashkive lokale, si dhe me ndihmën e donatorëve privatë, u zbuluan më shumë se 500 gjetje në gjithsej gjashtëmbëdhjetë vende.
Nga Rodopet, përmes Sakarit deri në bregun e Detit të Zi, duke përfshirë Vitosha, Pllana Pllanina dhe Rrafshin e Trakisë, vendet e studiuara përfshijnë tuma varrimi, kala dhe vendbanime antike dhe mesjetare. Ndër më interesantet janë zona "Kodra e Fshehur" pranë fshatit Poroj, manastiri mesjetar i Ahtopolit, kështjellat Ljutica, Bukelon, Kaljata dhe Kokaljanski Urviç.
Afër fshatit Poroj pranë Pomories, për shembull, u gjetën shumë enë prej qeramike, guri dhe kockash, pjesë stolie, figura të vogla të ndryshme me forma dhe madhësi të ndryshme. Ndër koleksionin e pasur të gjetjeve në vendbanim, spikat një varg interesant rruazash prej kocke që datojnë në epokën e gurit dhe bakrit.
Dhe gjatë vitit 2022, gërmimet e rregullta arkeologjike të kalasë antike "Ravadinovo" rezultuan sërish të dobishme për studiuesit, të cilët në periudhën 2017-2022 gjetën dëshmi të një objekti të fortifikuar mirë që ka ekzistuar në territorin e kolonisë greke Apolonia Pontica. Midis tyre janë amforat nga Thasos, rrethi i Thasos, Kios, Mende, Miletus (që datojnë midis gjysmës së parë të shekullit V para Krishtit dhe shekullit të III-të p.e.s.).
Puna arkeologjike nënujore në zonën ujore të Burgasit dhe rajonit renditet gjithashtu ndër studimet më interesante gjatë vitit.
Për sa i përket bregut verior të Detit të Zi, këtë verë studimet e kryeqytetit mesjetar të despotëve të Dobruxhës – Kaliakra madhështore – dëshmuan se ai është pjesë e pazëvendësueshme e trashëgimisë së pasur kulturore të vendit tonë.
Një tjetër moment interesant i vitit arkeologjik 2022 janë zbulimet në Rodopet Lindore, në rajonin e Ivajllovgradit, të bëra gjatë hetimeve të rregullta të kalasë antike të vonë dhe mesjetare në zonën "Ballëk Dere".
Koleksioni i pasur i gjetjeve përfshin një enë bronzi për ritet fetare (patera), një llambë balte me një rezervuar të rrumbullakët dhe një monedhë bronzi të perandorit Prob (276-282), si dhe tre monedha të shekullit të 5-të, të cilat vërtetojnë hipoteza se kalaja filloi të vepronte pikërisht në fillim të shekullit të 5-të.
Të gjitha këto zbulime mund të shihen deri në fund të marsit 2023, në ekspozitën “Gjetjet antike. Zbulime të reja. Sezoni Arkeologjik 2022” në Muzeun Historik Kombëtar.
Përpiloi: Darina Grigorova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Muzeu Historik KombëtarNjë kompleks prej një duzinë shtëpish të vogla, të vendosura në pjesën jugore të qytetit shkëmbor Perperikon, u zbulua nga arkeologët nën drejtimin e Prof. Nikollaj Ovçarov. Sipas tij, bëhet fjalë për një lagje të tërë që daton nga shekulli XIII-XIV,..
Si dukej bota e kafshëve në zonën e qytetit të sotëm të Trënit (Bullgaria Perëndimore) më shumë se 80 milionë vjet më parë - kësaj pyetjeje po përpiqen t'i përgjigjen paleontologët nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore në Akademinë Bullgare të..
Muzeu Historik Kombëtar feston 130-vjetorin e lindjes së mbretit Boris III me ekspozitën “Mbreti Boris III. Një personalitet dhe burrë shteti”. Ajo do të hapet sot, 3 tetor, në hollin qendror të muzeut. Ekspozita do të prezantojë, sipas rendit..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..