Prof. Ellka Konstantinova, shkrimtare, kritike letrare dhe politikane, një person me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës bullgare, u largua nga ne në moshën 90-vjeçare.
Ajo ka lindur në familjen e kritikut letrar Georgi Konstantinov. Është diplomuar në specialitetin "Filologji bullgare" në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe që nga viti 1969 ka qenë bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Letërsisë në Akademinë Bullgare të Shkencave. Në periudhën 1979-1982 ka dhënë mësim në gjuhën dhe letërsinë bullgare si pedagoge e ftuar në Universitetin Jagiellonian në Krakov, Poloni. Për tre vjet punoi edhe me studentët në Akademinë për Arte Teatrale dhe Filmore “Krëstjo Sarafov” në Sofje, kurse në vitin 1990 mbrojti titullin “profesoreshë”.
Pas 10 nëntorit 1989, kur vendi ynë mori rrugën e ndryshimeve demokratike, Prof. Elka Konstantinova pati një rol aktiv në politikë. Ajo ishte një nga drejtueset e Bashkimit të Forcave Demokratike (SDS) dhe anëtare e tij nga viti 1989 deri në vitin 1993. Prof. Konstantinova ishte gjithashtu kryetarja e parë e Partisë Radikale Demokratike nga dhjetori 1989 deri më 20 qershor 1993 dhe deputete në Kuvendin Popullor. Një moment kurioz në biografinë e saj politike është bashkimi i saj me grupin prej 39 deputetësh që shpallën grevë urie kundër miratimit të Kushtetutës së re të Republikës së Bullgarisë.
Prof. Konstantinova ka mbajtur postin e Ministrit të Kulturës në qeverinë e Filip Dimitrovit (8 nëntor 1991 - 30 dhjetor 1992), dhe nga viti 1993 për një periudhë 4-vjeçare ka qenë atashe kulturor në Ambasadën e Bullgarisë në Poloni. Në vitin 1998 u bë zëvendëskryetare e Agjencisë për Bullgarët Jashtë Shtetit.
Është autore e një sërë librash kushtuar artistëve të shquar bullgarë, ka redaktuar botime të shumta letrare, ka marrë pjesë në përpilimin e pjesës letrare të "Enciklopedisë Bullgare A-Z" (2002).
Prof. Ellka Konstantinova është fituese e çmimit të letërsisë artistike "Graviton", të krijuar nga shkrimtari i letërsisë artistike Ljuben Dillov. Përveç kësaj, ajo u vlerësua me çmimin më të lartë shtetëror të Polonisë për merita në forcimin e lidhjeve kulturore bullgaro-polake - "Kryqi i Komandantit të Urdhrit të Meritës" (2001), si dhe me Urdhrin "Shën Kirili dhe Metodi" (maj 2012).
Foto: arkiv, BGNES - arkiv
Përpiloi: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Vesella MançevaÇdo fëmijë ëndërron të ketë gjithë kohën e botës për të luajtur dhe për të shijuar shumë ëmbëlsira. Një nga më të dashurat, natyrisht, është e Madhërishmja - Çokollata. Për shumë njerëz sot, çokollata është një burim i vazhdueshëm lumturie, sepse..
Një nga poetët më të rëndësishëm bullgarë - Atanas Dallçev - lindi më 12 qershor 1904 në Selanik, në një familje të pasur që jetonte pranë Kullës së Bardhë. Babai i tij, Hristo Dallçev, ishte ndër qytetarët e shquar bullgarë në Selanik - jurist për..
Emri i Prof. Vlladimir Kefallov është në listën e shkencëtarëve që fituan çmimin prestigjioz Bresler për meritat në studimin e organit të të parit të njeriut në vitin 2019. Zbulimet më të rëndësishme të fizikanit bullgar, i cili jeton dhe punon në..