Që nga koha romake, ujërat e ngrohta minerale janë konsideruar si një burim natyror i paçmuar, i cili është përdorur si për ruajtjen e shëndetit të mirë, ashtu edhe si burim natyror i nxehtësisë. Banjat minerale ishin gjithashtu një qendër e vërtetë kulturore, ku vlonte jeta shoqërore. Nuk është rastësi që qysh në lashtësi qytetet dhe vendbanimet janë ndërtuar pikërisht rreth burimeve termale. Sa i përket Bullgarisë, sipas disa burimeve, në vitin 681 shteti ynë u krijua në këto gjerësi gjeografike pikërisht për shkak të burimeve shëruese pranë Anhiallo (sot qyteti Pomorie), të ndërtuara në shekullin IV nga perandori Justiniani i Madh.
Sot mbi gjysma e 6000 burimeve minerale në Evropë ndodhen në territorin e Bullgarisë, por ndryshe nga vendet e tjera, vendi ynë nuk i shfrytëzon ato plotësisht. Sipas këtij treguesi, kryeqyteti ynë Sofja është ndër vendbanimet më të pasura në botë, me 31 vendburime të veçanta dhe 75 burime minerale me ujëra termale.
Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, një pjesë e madhe e ujërave minerale të njohura shëruese në vendin tonë filluan të përdoren intensivisht. Për ndërtesat emblematike të banjave, shteti nuk kursen shpenzime dhe zhvillon konkurse për projektet e tyre arkitekturore:
„Këto janë pallate të ujit - vëren arkitekti Ivajllo Zahariev nga Shoqata Bullgare për Trashëgimi Termale në një intervistë për BNR. – Janë ndërtesa të mrekullueshme të krijuara për të bashkuar njerëzit. Për shembull, Banja Qendrore Minerale në Sofje është ndërtesa më e madhe e ndërtuar gjatë kohës së Mbretit. Është ndërtuar në sheshin qendror, sipas shembullit të shumë vendeve evropiane që kanë banja të tilla.“
Dhe nëse vite më parë banjat minerale në lagjet aktuale të kryeqytetit, si Knjazhevo, Gorna Banja, Ovça Kupell, vepra e arkitektëve të famshëm bullgarë si Jordan Millanov, Petko Momçillov dhe Georgi Ovçarov, pasqyronin frymën dhe dinjitetin e epokës, sot këto xhevahire arkitekturore po shpërbëhen ngadalë nën peshën e kohës dhe pakujdesisë së pushtetarëve tanë.
I tillë është fati i Banjës Qendrore të Sofjes, një pjesë e së cilës është kthyer në muze. Është prashikuar që Krahu Verior të restaurohet si banjë, por ende nuk ka një vendim përfundimtar. Sipas arkitekt Zahariev, për banjat në Ovça Kupell dhe Gorna Banja po bëhen edhe projekte për harmonizimin e burimeve minerale me një lloj tjetër aktiviteti, në vend që të rikthehet funksioni i tyre kryesor. Çfarë i pengon ato të kthehen në një vend ku banorët e kryeqytetit dhe mysafirët e qytetit të kenë mundësi të pushojnë në kohën e tyre të lirë dhe të përfitojnë nga dhuratat e natyrës, në vend që të udhëtojnë kilometra të tëra për në Velingrad apo Hisarja?
„Këto banja janë të ndërtuara mbi burime, me të gjithë pasuritë natyrore. Muzeu i Sofjes mund të vendoset në Pallatin Mbretëror, i cili tani është pjesë e Galerisë Kombëtare. Koleksioni kryesor në Muzeun e Sofjes është nga pallati, ku do të ishte e mrekullueshme të strehohej historia e kryeqytetit, ndërsa banja të ngelet si e tillë. - propozon arkitekti Zahariev. – Nëse ruhet funksioni i saj origjinal, do të ruhet edhe kultura termale që po vdes. Në vend të kësaj, në një nga pishinat e Banjës Qendrore janë vendosur ikona dhe një ikonostas. Është e dyshimtë se sa është ky një qëndrim korrekt si ndaj ikonave ashtu edhe ndaj vetë banjës.“
"Banjo e mrekullueshme! Kjo duhet të jetë një banjë!", thirri pak kohë më parë, arkitekti japonez me famë botërore Kengo Kuma, i cili vizitoi vendin tonë me rastin e Ditëve të Kulturës Japoneze në Bullgari në vitin 2019.
Dhe si do të dukej kryeqyteti ynë sot, nëse të paktën një pjesë e këtyre burimeve termale do të përdorej, përveç nevojave të balneoterapisë dhe ujit të pijshëm dhe për ngrohjen e banorëve të Sofjes? Sidomos tani, kur flitet gjithnjë e më shumë për shfrytëzimin e burimeve natyrore të energjisë – për llogari të lëndëve djegëse të nëntokës, vetëm 15-20% e burimeve totale të ujërave minerale të Sofjes po përdoren.
Sa për krahasim, në 25 vjet përdorimi i burimeve minerale është ulur me më shumë se 50%, dhe pothuajse të gjitha banjat minerale janë mbyllur. Sa i përket ngrohjes me ujë termal, ajo nuk praktikohet prej kohësh.
Teksti: Darina Grigorova / Intervista e Bozhidar Aleksandrov, BNR-
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: BGNES, Darina Grigorova, Facebook / @thermalassociationbg, arkiv
Iluministët janë individët për të cilët ndjejmë jo vetëm mirënjohje dhe admirim, por edhe i perceptojmë si disa nga figurat më domethënëse të historisë sonë, sepse na zgjojnë ndjenjën e bashkimit kombëtar. Megjithatë, çfarë fshihet pas konceptit të..
Persona me aftësi të kufizuara mendore ndajnë këndvështrimin e tyre unik mbi trashëgiminë arkitekturore të Sofjes në ekspozitën fotografike "Histori arkitektonike nga Sofja e Vjetër". Ekspozita u rregullua në Hapësirën Kulturore të Kompleksit..
Më 31 tetor festojmë Ditën Ndërkombëtare të Detit të Zi. Qëllimi i saj është të tërheqë vëmendjen e shoqërisë për problemet e detit dhe mënyrat për ta mbrojtur atë, për të siguruar një të ardhme më të mirë për 16 milionë njerëz nga gjashtë vende që..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..