Nuk ka personalitet më të padiskutueshëm dhe më frymëzues për ne, bullgarët, se Apostulli i Lirisë Vasill Levski. 150-vjetori i vdekjes së tij tragjike është një rast për të nderuar këtë ikonë të ndritshme bullgare duke vizituar disa nga vendet më emblematike që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e tij revolucionare-arsimore.
Le të fillojmë me vendlindjen e tij Karllovo
Në zemër të këtij qyteti të shtrirë në rrëzat jugore të malit Stara Pllanina, gjejmë një ndërtesë të vogël njëkatëshe të vendosur në një oborr të mbushur me lule. Këtu më 18 korrik 1837 lindi Vasill Kunçev, me nofkën Levski. Shtëpia është ndërtuar në shekullin e 18-të nga gjyshi i tij Kunço Ivanov dhe përbëhet nga një dhomë gjumi, sallon, bodrum, punëtori dhe punishte për bojatisjen. Në vitet pas Çlirimit, ndërtesa u braktis dhe u shemb. Më vonë ajo u restaurua, së bashku me oborrin e kalldrëmuar, çezmën dhe murin e gurtë. Sot, çdokush mund ta vizitojë këtë vend të shenjtë, të shikojë dhomat e vogla me dollapë druri dhe stola me tre këmbë ku Apostulli kaloi vitet e tij të hershme dhe të njihet me fotot e tij origjinale, sendet personale dhe dokumentet.
Lloveç - një ndalesë e detyrueshme nëpër gjurmët e Levskit
Ky është “kryeqyteti” i Organizatës së Brendshme Revolucionare që ai krijoi. Këtu Dhjaku kalonte kohën më të gjatë, së bashku me shokët e tij, prandaj prania e tij ndihet kudo në qytet. Në ditët e sotme, turistët ndalojnë në Qendrën e Informacionit Turistik ku marrin një hartë “Nëpër Gjurmët e Apostullit”.
“Në qytetin Lloveç është muzeu më i madh i Vasil Levskit, me numrin më të madh të sendeve të tij personale, si dhe monumenti i tij më i madh me një lartësi prej 14 metrash - shpjegon Stanisllav Stojçev nga komuna e Lloveçit. - Dhe në urën e mbuluar ka një model të qytetit, ku do të shihni monumentin më të vogël të Apostullit. Në kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, pikërisht pranë muzeut, Levski këndonte në kor. Këtu janë edhe shtëpitë e revolucionarëve bullgarë Hristo Conev-Llatineca, Marija dhe Nikolla Sirkovi, ku Dhjaku fshihej nga turqit.”
Vizitoni Manastirin e Trojanit dhe qelinë - vend fshehjen e Levskit
Apostulli shpesh qëndronte në manastirin e shenjtë, ku themeloi të vetmin komitet revolucionar të murgjve në Bullgari. Sot në katin e dytë të manastirit mund të shihni një koleksion muzeor kushtuar Lëvizjes Nacionalçlirimtare Bullgare, dhe jo vetëm.
“Fshehtësira e Vasill Levskit ishte në këtë kat, pasi që nga këtu mund të shihej e gjithë rruga në distancë, kështu që nëse do të vinin zaptije apo kishte ndonjë kërcënim, mund të reagohej me kohë” - thotë Desisllava Doçeva, punonjëse në Manastirin e Trojanit.
Në ditët para kapjes së tij, vëllezërit murg më kot e këshillonin Apostullin të qëndronte në manastir, për shkak të kërkimit intensiv të tij nga pushteti osman, por Levski ishte i vendosur.
Hani Këkrinsko, ku u kap Levski, u kthye në muze
Më 27 dhjetor 1872, pas një prove për të thyer pritën e zaptijeve, Apostulli u plagos dhe u kap në Hanin e Kakrinës. Prej andej, i lidhur me zinxhirë, ai u çua në një karrocë me kuaj deri në vdekjen e tij. Hani më vonë u braktis, dhe më pas u dogj dhe u asgjësua. Por në dekadat e para të shekullit të 20-të, bullgarët patriotë e rivendosën atë. Në oborrin e muzeut ata vendosën edhe një pllakë përkujtimore kushtuar Apostullit.
Shihni zinxhirët origjinalë me të cilët ishte prangosur Dhjaku
Pas kapjes së tij nga turqit, Levski u dërgua në burgun e qytetit Veliko Tërnovo ku qëndroi në izolim katër ditë. Gjatë kësaj kohe ai u mor në pyetje tri herë nga një gjykatë e jashtëzakonshme turke. Sot burgu u shndërrua në muze. Turistët mund të shohin qelinë në të cilën u burgos Dhjaku, zinxhirët origjinalë në të cilët ai ishte i prangosur, si dhe objekte të çmuara që lidhen me veprimtaritë revolucionare dhe edukative të heroit më të dashur kombëtar bullgar.
Publikimi është në kuadër të një projekti të realizuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, sipas Programit Kombëtar për përkujtimin e 150 vjetorit të vdekjes së Vasill Levskit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: bulgariatravel.org, vlevskimuseum-bg.org, Muzeu „Vasill Velski” - Lloveç, BGNES, museumvt.com
Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas tij, ky është një gjetje jashtëzakonisht e rrallë. Koka ndodhej pranë foltores së tempullit dhe..
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata Bullgare e Hoteleve dhe Restoranteve për partneritetin më të mirë mediatik në vitin 2024. Çmimin..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe vendpushimet e skive të klasit botëror të mbuluara me borë.Në territorin e tij nga 111 000 kilometra..