Në vendin tonë janë 133 245 persona që posedojnë armë, pak më shumë se 55 600 prej tyre janë punonjës aktualë dhe ish-punonjës të të gjitha organeve të ndërhyrjes së shpejtë në Bullgari - sipas të dhënave nga fundi i vitit 2022. Kohët e fundit, krimet e shkaktuara nga posedimi i ligjshëm i armëve në vendin tonë janë rritur, ku një vëmendje të veçantë iu kushtua një rasti ku një ish-polic ka qëlluar fqinjin e tij, me të cilin kanë qenë në një konflikt prej vitesh - psikologu i njohur Ivan Vlladimirov. Ndaj ish-oficerit të policisë rezultoi se janë bërë kallëzime të shumta për kërcënime ndaj fqinjëve, të cilat kanë mbetur pa pasoja dhe prandaj u arrit edhe drejt kësaj finaleje tragjike. Vetë psikologu në një intervistë televizive një muaj më parë shprehu frikën se sistemi ligjor në vendin tonë nënkupton një fund fatal në rast përplasjesh.
Rasti zgjoji interesin e njerëzve dhe ngriti një sërë pyetjesh - si është e rregulluar me ligj dhënia e lejes për armëmbajtjen në Bullgari dhe a është e nevojshme të vështirësohet aksesi i tyre; Çfarë mbrojtjeje mund të kenë njerëzit që janë të nënshtruar ndaj ngacmimeve të fqinjëve të tyre?
Rezulton se nëse dikush dënohet në aspektin penal duhet të ketë një dënim të vlefshëm ndaj tij. Në të gjitha rastet e tjera, personi i nënshtrohet masave ndëshkimore – paralajmërimeve ose gjobave. Reagimi më i zakonshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme ndaj konflikteve ndërmjet fqinjëve është lëshimi i protokolleve paralajmëruese. Megjithatë, një masë e tillë mund të ketë një efekt thjesht fiktiv kur ndaj personit regjistrohen kallëzime të shumta, pa reagim nga institucionet:
“Nëse mendojmë mirë, vendosja e sanksionit mbi pasurinë – gjobë – mund të ketë një efekt shumë më të mirë parandalues në situata të caktuara – shpjegon juristi Dimitër Stojanov. – Ekziston një veçori e psikologjisë njerëzore që lidhet me faktin se dëmi material i shkaktuar nga gjoba është një mekanizëm parandalues shumë efektiv. Në shoqëritë perëndimore, gjoba zbatohet si masë në situata të shumta dhe të ndryshme.“
Në Bullgari, rrethi i personave që kanë të drejtën për të mbajtur armë, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë, rregullohet me Ligjin për armët, municionet, eksplozivët dhe produktet piroteknike.
“Për të pasur një armë duhen plotësuar disa kërkesa – nuk duhet të kesh qenë i dënuar më parë, nuk duhet të kesh detyrime tatimore, nuk duhet të kesh një procedim penal dhe duhet të jesh i shëndetshëm mendërisht, të kesh kryer trajnime për përdorimin e armëve dhe të kesh kushtet përkatëse për ruajtjen e saj - shpjegon Dimitër Stojanov. - Kërkohet gjithashtu edhe të raportohet sasia e municioneve. Përveç plotësimit të këtyre kushteve, personi duhet të japë një arsye të vlefshme mbi dëshirën për të zotëruar një armë personale.“
Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, punonjësi me uniformë ka të drejtë të përdorë armën nëse është dëshmitar i një krimi që kërkon ndërhyrjen e tij. Ai nuk ka të drejtë të mbajë armë në dy raste - kur përdor lejen nga puna ose kur udhëton jashtë vendit, kur nuk ka kushte për ruajtjen e armës së shërbimit. Megjithatë, sipas ekspertëve, një problem serioz në sistemin e Ministrisë së Punëve të Brendshme është mungesa e psikoekzaminimeve periodike për punonjësit, pas atij të detyrueshëm kur ata fillojnë punën.
Punonjësit e organeve të ndërhyrjes së shpejtë kanë të drejtë të posedojnë armë edhe pas përfundimit të shërbimit të tyre, por tashmë si personat e tjerë u nënshtrohen kontrolleve në një periudhë të caktuar kohore, në bazë të të cilave përcaktohet nëse ata mund të vazhdojnë të mbajnë armën. Dhe për shkak se përfundimi fatal i mosmarrëveshjes mes fqinjëve në fillim të shkurtit i bëri njerëzit në komplekset e banimit të ndihen të frikësuar, ekspertët shohin nevojën e një mekanizmi me të cilin, në rast të shkeljeve sistematike të rendit publik nga pronari i një arme zjarri, ai të ndëshkohet – heqja e lejes dhe armës përkatëse.
Megjithatë, sipas juritit Dimitër Stojfanov, përballja me lloje të ndryshme krimi nuk do të jetë veçanërisht efektive derisa legjislacioni të rishikohet.
“Ne nuk mund të shqyrtojmë një problem, si vjedhjet e zakonshme apo dhunën në familje, dhe të përpiqemi ta zgjidhim si qëllim në vetvete. Ne duhet të rishikojmë mangësitë dhe pikat e diskutueshme, me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara - prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë, organizatave civile dhe të gjejmë një qasje legjislative për zgjidhjen e problemeve së bashku. Është e nevojshme të përditësohet ligji për Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe nenet e Kodit Penal, në mënyrë që sistemi, i financuar nga taksat e njerëzve, të përmbushë pritshmëritë që ata kanë prej tij për sigurinë dhe drejtësinë e tyre”, tha juristi në mënyrët kategorike.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: BGNES
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
Në vitin 2023 në Shqipëri u zhvillua regjistrimi i parë i popullsisë pas njohjes zyrtare të pakicës kombëtare bullgare në vitin 2017, sipas të cilit 7057 persona janë vetëdeklaruar bullgarë. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë bullgarë “Dy javë më parë,..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..