Udhëtimet e verës dhe gastronomisë po fitojnë popullaritet të madh në mbarë botën, duke përfshirë dhe në Bullgari. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, ky lloj udhëtimi po bëhet një faktor kyç në eksplorimin e plotë të një destinacioni të caktuar për gjithnjë e më shumë turistë nga Evropa, Azia dhe SHBA-ja. Për ta vera, gastronomia, kultura dhe natyra shkojnë dorë për dore.
Bullgaria mund të ofrojë një gamë të pasur përvojash autentike nëpërmjet aromës së verës. "Për 5 mijëvjeçarë, është prodhuar verë në tokat tona, kështu që vendi ynë ka një potencial të madh" - thotë Ivajllo Katerski, Kryetar i Bordit Drejtues së Shoqatës Bullgare të Profesionistëve të Verës, gjithashtu i licencuar për guida turistike dhe me certifikatë nga organizata ndërkombëtare Wine & Spirit Education Trust. Sipas tij, para pandemisë, më shumë se 95% e udhëtarëve të turizmit të verës në vendin tonë ishin të huaj. Tani, megjithatë, edhe bullgarët filluan të shfaqin një interes të madh për të.
"Përveç të ardhurave, turnetë e verës përshtaten shumë mirë me konceptin e qëndrueshmërisë, përkatësisht ekskluzivitetin, çmime më të larta, grupe më të vogla, përvoja të nivelit të lartë," thotë Ivajllo Katerski. Një person mund t'i drejtohet një operatori turistik të specializuar për ndihmë, i cili do të përgatisë rrugën e tij nga fillimi deri në fund. Ai gjithashtu mund të organizohet edhe vetë. Për këtë qëllim ka informacion të mjaftueshëm në internet, si dhe harta të shumta online të bodrumeve në rajonet individuale të verës në vendin tonë.
“Është mirë që gjërat po zhvillohen. Lugina I hapi rrugë lumit Struma dhe bodrumeve rreth qytetit Mellnik. Ata u pasuan nga rajoni i Pllovdivit, Bullgaria Verilindore, Sakari Jugor... Edhe prodhuesit e verës në veriperëndim po ecin përpara, thotë Katerski. Në këto harta mund të gjeni bodrume për të vizituar, disa nga hartat janë online, disa jo. Një vit më parë, me urdhër të bashkisë së Sofjes dhe qytetit të Sofjes, ne përgatitëm një hartë të verërave të Sofjes me vende që paraqesin verërat bullgare sipas kritereve plotësisht objektive”.
Mbi 70 bodrume në Bullgari po zhvillojnë turizmin e verës dhe kuzhinës, sipas të dhënave të Shoqatës Bullgaretë Profesionistëve të Verës. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre kantinave kanë një bazë hotelerie. Në shumë vende organizohen eksperienca të tjera, si çiklizëm, rrugë kulturore, etj. Varietetet vendase të verërave janë si një kartolinë reklamuese të një destinacioni të caktuar. "Ashtu si kur një person shkon në Toskanë dhe dëshiron të provojë Chianti dhe Sangiovese, kështu 99% e të ftuarve tanë duan të provojnë një varietet vendas bullgar" - thotë Ivajllo Katerski dhe shton:
“Nëse do të jetë Dimjat, apo Mavrud, apo Shiroka Mellnishka Lloza, kjo varet nga rajoni dhe bodrumi. Çdo varietet individual është interesant, i çmuar dhe i bukur në mënyrën e vet. Si reagojnë të huajt? Ata janë më tepër aventurierë, njerëz që kanë udhëtuar shumë. Ata kanë qenë në Francë, Australi, Kili, Spanjë, Itali dhe tani duan të provojnë dhe të përjetojnë diçka të re. Ata kanë dëgjuar pak për Bullgarinë, vijnë me shqisa të mprehura. Sidomos amerikanët e veriut - ata janë pa rezerva apo paragjykime. Dhe ata janë jashtëzakonisht të kënaqur dhe të befasuar për mirë si nga vera ashtu edhe nga ushqimi që u ofrohet në bodrumet familjare, në bujtinat e vogla dhe restorantet në mbarë Bullgarinë. Efekti është vërtet mbresëlënës”, përfundon Ivajllo Katerski.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Facebook / Ivaylo KaterskiVendi ynë është organizatore e Takimit Vjetor të Komitetit Evropian të Shoqatave të Operatorëve Turistik dhe Agjentëve të Udhëtimit - aktiviteti më i madh i institucionit që bashkon operatorët turistikë të Evropës. “Mikpritja e këtij takimi është një..
Në kërkim të besueshmërisë shkencore, studiuesit e qytetërimeve dhe kulturave të lashta hasin edhe lajme të rreme të krijuara nga të lashtët. Gjëja më kurioze është se edhe atëherë e kanë bërë... në emër të turizmit kulturor. Një nga këto lajme të..
Në fshatin Pçellarovo, i fshehur mes shpateve të Rodopeve Lindore, tregojnë një legjendë se në këtë zonë lulëzuan pyjet shekullore të lisit dhe arra, në zgavrat e të cilave jetonin bletë të egra. Bletaria ka qenë mjeti i jetesës së njerëzve që nga..