Javën e kaluar, Komisioni Evropian njoftoi propozimin e tij për direktivën e re të skualifikimit të shoferëve - duke e bërë skualifikimin e një shoferi në një shtet anëtar të vlefshëm në të gjithë BE-në. Megjithatë, kjo do të zbatohet për shkelje jashtëzakonisht të rënda.
Plastikat që kemi aktualisht si shoferë do të bëhen histori nëse propozimet e Komisionit pranohen. Ato do të ngarkohen në celularët tanë siç ndodhi me certifikatat e COVID-19. Si një hap i parë në paketën e re të sigurisë rrugore, Komisioni propozon një element pozitiv. Kjo u bë e ditur nga Komisionerja Evropiane për Transport, Adina Vălean:
“Shpresoj që shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit tuaj të rinj të jenë të kënaqur me propozimin tonë për uljen e moshës minimale për testet e drejtimit dhe drejtimin e automjeteve me shoqërim në moshën 17 vjeçe. Por, kjo do të shoqërohet me një periudhë prove dyvjeçare, si dhe me një ndalim total për përdorimin e alkoolit gjatë ngasjes brenda kësaj periudhe.”
Mirëpo, pastaj vjen shkopi. Për shkak se shkeljet e trafikut të kryera jashtë vendit llogariten në miliona, sipas Komisioneres Evropiane Vălean:
“Aktualisht, 40 për qind e shkeljeve të kryera nga njerëzit që jetojnë në një vend tjetër shlyhen pa u paguar gjobat. Kjo për shkak se shkelësi ose nuk mund të identifikohej ose sepse pagesa nuk kërkohej me ligj. Propozimi ynë e trajton këtë çështje dhe bazohet në përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar. Ata që ngasin në mënyrë të rrezikshme duhet të ndëshkohen.”
Dhe tani vjen momenti më i vështirë - heqja e lejes së drejtimit në një shtet anëtar të vlejë për të gjitha vendet e BE-së. Në cilat raste do të ndodhë kjo?
“Ne u fokusuam në shkeljet më të rëndësishme dhe më të rënda të drejtimit të automjeteve. Domethënë përdorimi i alkoolit dhe drogës, shpejtësia e madhe në rast se shkaktohet një aksident me vdekje apo dëmtim të rëndë. Nëse kjo ndodh në një vend ku këto akte janë arsye për pezullimin e licencës për më shumë se një muaj, atëherë shteti ku ka ndodhur incidenti e dërgon këtë kërkesë në vendin ku është lëshuar.”
I kërkova Komisioneres Evropiane Vălean të specifikonte rastet në të cilat vendi që e ka lëshuar patentën mund të refuzojë skualifikimin e shoferit. Ja se çfarë u përgjigj ajo:
“Shteti që e ka lëshuar licencën mund të refuzojë ta skualifikojë atë nëse shkelja nuk çon në një masë të tillë brenda kufijve të tij. Në rastin e dytë, kjo mund të ndodhë nëse shpejtësia e lejuar tejkalohet me më pak se 50 km., dhe së treti, nëse për një shkelje të tillë certifikata revokohet për më pak se një muaj dhe nuk është raportuar me kohë.”
Mirëpo, ajo saktësoi se vendi nuk do të ketë të drejtën të refuzojë një skualifikim nëse shpejtësia e lejuar është tejkaluar për më shumë se 50 km.
Si do të ndikojnë propozimet e reja në vendet si Bullgaria dhe Rumania, të cilat kanë treguesit më të këqij përsa u përket aksidenteve dhe viktimave në rrugë në BE, e pyeta Komisioneren Evropian Vălean:
“Rumania dhe Bullgaria kanë tregues të dobët, domethënë lëndime të rënda dhe vdekje në rrugë. Të gjitha këto sugjerime kanë të bëjnë me sjelljen e shoferit. Për shembull, së bashku me këtë ne propozojmë që përgatitja dhe provimi për marrjen e lejedrejtimit të bëhen më serioze dhe më të përshtatura me rreziqet e rrugës, si dhe të ketë një kujdes më të madh ndaj përdoruesve të tjerë të rrugës. Dhe kjo do ta përgatisë më mirë shoferin për marrjen e patentës dhe sjelljen e tij në rrugë.”
Eurodeputeti bullgar nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve Petër Vitanov, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Transportit të Parlamentit Evropian, ka qëndrim krejtësisht pozitiv ndaj këtyre propozimeve.
“Është e panevojshme të komentohet situata në Bullgari dhe Rumani – dy “delet e zeza” në BE. Gjithsesi, kjo duhet të rezultojë në më pak incidente në rrugë. Edhe pse shoferët e rinj përbëjnë vetëm 8 për qind, ata janë përgjegjës për mbi 40 për qind të aksidenteve me fatalitet. Me këtë direktivë, 17-vjeçarët do të mund të pajisen me patentë shoferi, të kenë të drejtën ta drejtojnë mjetin me shoqërues dhe që nga mosha 18-vjeçare të jenë të pavarur. Kështu ata do të mund të fitojnë njëfarë eksperience dhe më pas të jenë aktivë në tregun e punës, pasi kemi një mungesë prej 500 mijë shoferësh të maunave në Evropë. Kjo do t'u jepte atyre mundësinë që në moshën 18 të aplikojnë për këtë punë. Nuk ka se si në moshën 18 vjeçe të drejtosh një aeroplan me 200 pasagjerë në bord, por kjo nuk i përket drejtimit të një kamioni.”
Mbledhja më e mirë e gjobave në BE në raste shkeljeje në një shtet tjetër anëtar do të kishte një efekt parandalues dhe edukues, beson eurodeputeti Vitanov. Problemin me përqindjen e lartë të aksidenteve të rënda në rrugët në vendin tonë ai e cilëson kompleks:
“Direktiva trajton një pjesë shumë të vogël të masave që duhen marrë. Gjendja e rrugëve, shenjat dhe trotuaret e cilësisë së dobët, mungesa e kontrollit efektiv, korrupsioni janë të gjitha nga legjislacioni vendas që duhen ndryshuar. Po, ka edhe mekanizma evropianë për fondet evropiane të shpenzuara për infrastrukturën rrugore dhe Prokuroria Evropiane mund të ndërhyjë. Por shumica janë të lidhura me pajtueshmërinë efektive të legjislacionit ekzistues dhe pashmangshmërinë e ndryshimit të tij. BE nuk mund të zgjidhë çështjet tona thjesht të brendshme me shkopin e Harry Houdinit.”
Vitanov beson se Parlamenti Evropian do të mund ta përmbyllë çështjen me miratimin e kësaj direktive deri në fund të mandatit të tij, përkatësisht për më pak se një vit, dhe se për dy vjet e gjysmë ajo të hyjë në fuqi.
“Ndryshimet më të shpejta janë karakteristikë e legjislacionit kombëtar. Shumë gjëra mund të bëhen në nivel shtet-komb. Ndryshimet evropiane ndodhin ngadalë, thjesht sepse përfshijnë 27 shtete anëtare.
Meqenëse unë punoj në Belgjikë dhe udhëtoj me shoferë belgë, i pyeta: "A keni korrupsion në rrugë?" Ata më thonë: "Korrupsioni në rrugë ishte një problem i madh në Belgjikë, veçanërisht në Bruksel, sepse policia rrugore atje ishte në dy nivele - federale dhe lokale. Në nivel lokal njerëzit njiheshin me njëri-tjetrin dhe shumë shpesh bëheshin kompromise me shkelësit. Procesi i luftimit të korrupsionit në rrugët belge zgjati 20 vjet. Por tani nuk mund të shihni një polic të korruptuar belg. Bullgaria duhet të fillojë nga diku. Për mua, kjo ka të bëjë me kontrollin efektiv të legjislacionit, me ndëshkimin për të dyja palët, që marrin pjesë në procesin e korrupsionit, me ndërrimin e personelin administrativ. Kjo nuk do të ndodhë brenda disa ditësh, por rruga është kjo. Në Itali gjithashtu kishte një nivel të lartë korrupsioni në policinë rrugore. Por kjo tashmë është çrrënjosur. Sigurisht që ka raste të izoluara, por nuk ka natyrë pandemike siç është në Bullgari. Kjo dukuri mund të kapërcehet vetëm me vendosmëri dhe vullnet, si dhe me normalizimin e shpërblimit të njerëzve që punojnë në rrugë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal nga eteri në bullgarisht KËTU.
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..