Na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Bullgari. Një votim që po zhvillohet sërish në sfondin e një lufte në Evropë, mosmarrëveshjeve për ndihmën ushtarake që vendi ynë duhet ose nuk duhet t’i japë Ukrainës, ndonjëherë edhe deklaratave ekstreme për të ardhmen gjeopolitike të vendit. Por edhe inflacioni, i cili po rezulton gjithnjë e më shumë i tepërt për një familje mesatare. Sociologët raportojnë për një fushatë të plogësht që ka ndikuar vetëm në 4 për qind të votuesve në vend, me komponentë kryesisht negativë. Alarmet për bomba në një sërë shkollash në vendin tonë gjatë javës, i bëjnë disa persona të hezitojnë të shkojnë për të votuar të dielën. Frika do të ndikojë edhe më tej në pjesëmarrjen e ulët të pritshme të votuesve, tha për BNR Elena Darieva nga Agjencia Sociologjike “Nasoka”.
“Dhe e gjithë kjo ndodh në sfondin e një situate jashtëzakonisht interesante - ne kemi barazi në krye. Një diferencë prej më pak se një për qind midis dy forcave kryesore politike në praktikë do të thotë një barazim. Ne kemi një pjesë jo aq të vogël të votuesve të pavendosur se për kë të votojnë, edhe në mesin e atyre që kanë vendosur të votojnë. Dhe përvoja jonë nga zgjedhjet e fundit në vjeshtë tregon se çdo i dhjeti që doli për të votuar merrte një vendim për kë do ta bënte atë ose ditën e zgjedhjeve, ose ditën e mëparshme të reflektimit.”
Pjesa e këtyre të ashtuquajturave “votues spontanë” është nga 7 deri në 14 pikë, theksoi Elena Darieva, dhe kjo mund të ketë një ndikim serioz në rezultatin e votimit.
“Ka lodhje dhe mbingopje te qytetarët nga pesë fushata radhazi për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha për BNR sociologu nga “Market Links” Dobromir Zhivkov. Sipas tij, është gjithnjë e më e vështirë për njerëzit që të merren me tema politike dhe natyrshëm pasoi apatia politike. Madje, ai parashikon që nja 10-15 për qind të votuesve do të vendosin votën e tyre në ditët e fundit. Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht një shenjë e keqe:
“Pothuajse gjysma e këtyre njerëzve kanë të ardhura mesatare dhe të larta, jetojnë në Sofje, Plovdiv dhe qytete të tjera të mëdha të vendit. Ata e ndjekin më aktivisht situatën politike në vend dhe deklaratat politike, dhe kjo është shenjë e një kulture më të lartë politike. d.m.th. nuk e ndiqnin dikë verbërisht.”
Të dielën, pyetja e madhe duket se nuk është kush do të jetë i pari, por kush do të jetë forca e tretë politike. Partia “Vëzrazhdane” nga njëra anë është formacioni që rriti më shumë elektoratin e saj. Nga ana tjetër, DPS-ja ka pozitat më të qëndrueshme në votimet e fundit, thotë Elena Darieva.
Në të njëjtën kohë, Prof. Çollakov tërheq vëmendjen për praktikën e “sëmurë” zgjedhore - blerjen e votave:
“Tregtimi i votave do të ketë një ndikim veçanërisht kur rezultatet midis të parit dhe të dytit janë shumë afër. Me një fletë votimi në letër, manipulimi është shumë më i mundur sesa me një votë makinerie.”
Një temë kryesore për ata që marrin pjesë në fushatën aktuale zgjedhore është padyshim lufta në Ukrainë.
“Lufta në Ukrainë është një test lakmusi që vitin e kaluar zbuloi se kush është kush në politikën bullgare. Dhe në këtë drejtim, pajtohem me presidentin Rumen Radev se palët duhet të shprehin qartë qëndrimin e tyre për këtë dhe mendoj se kjo ndodhi në muajin e fundit” - mendon Petër Çollakov.
Dhe pavarësisht bindjes së tyre të qartë se të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, të dy sociologët janë të bindur se zgjedhjet e ardhshme të së dielës nuk do të jenë të fundit. Për momentin jeta politike bullgare është në paritet, thotë prof. Çollakov. Shoqëria nuk ka marrë ende një vendim nëse “të ecë përpara, në mënyrë më progresive” apo “të kthehet te stabiliteti”, siç janë propozimet e dy formacioneve kryesore politike që luftojnë për vendin e parë, beson Dobromir Zhivkov. Vetë shoqëria është e copëtuar dhe politika është një projeksion i asaj shoqërie, shpjegon ai dhe shton:
“Votimi i 2 prillit do të jetë një tjetër rezultat i ndërmjetëm që do të masë se cila nga dy rrymat në shoqërinë bullgare fillon të fitojë epërsi.”
Dhe bullgari nuk është një person ekstrem, shton politologu Dimitër Ganev:
“Nga sot duket se kriza politike nuk do të zgjidhet më në këto zgjedhje. Vendimi do të vijë pas votimit lokal në vjeshtë” - beson Ganev.
Dhe ndërsa nga të gjitha llogaritë duket se politikanët po shohin përpara - te Legjislatura e 50-të e Kuvendit Popullor, me shpresën të jetë një terren më i mirë për idetë e tyre, qytetarët e lodhur do të shkojnë drejt qendrave të votimit më 2 prill, duke shpresuar rrethin vicioz të mungesës së stabilitetit të ndërpritet tashmë me zgjedhjen e Legjislaturës së 49-të të Kuvendit Popullor.
Sepse zgjedhjet kanë rëndësi. Kështu është në demokraci.
Teksti: Vesella Krësteva (bazuar në intervistat e Diana Jankulova, Sillvija Velikova dhe Petër Vollgin, BNR “Horizont”)
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BNR, arkiv
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..
Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..
Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..