Qyteti Tvërdica nuk është i vetmi në Moldavi ku jeton një popullsi kompakte bullgare. Banorët këtu flasin kudo bullgarisht, gjithashtu kanë ruajtur edhe traditat e të parëve tanë në një formë autentike. Vendbanimi u shfaq dy shekuj më parë, kur gjatë luftës ruso-turke të viteve 1828-1829, aty u vendosën refugjatë nga qyteti bullgar Tvërdica /Novozagorsko/. Qyteti ndodhet në Moldavi vetëm 3 km nga kufiri me Ukrainën. Në vitin 1996, Bullgaria dhe Moldavia nënshkruan një marrëveshje për themelimin e një dege të Kolegjit Muzikor "Shtefan Njaga" në Tvarditsa (që atëherë ka qenë fshat). Dhe sot ajo është e vetmja shkollë muzikore për valle popullore bullgare dhe instrumente muzikore tradicionale jashtë vendit tonë.
Jo më kot u zgjodh pikërisht ky vend për institucionin arsimor të specializuar. “Studentët e kolegjit janë fëmijë me origjinë bullgare, me vetëdije bullgare dhe të rritur në frymën e traditave familjare bullgare” - thotë drejtuesja e tij, Alla Kara. Sipas saj, vetëdija përcakton dashurinë e adoleshentëve për folklorin, gjuhën, letërsinë dhe traditat e Bullgarisë.
“Ne si filial kolegji na lejohen shumë pak vende të lira pranimi dhe çdo vit ato pakësohen. Tani jemi 22 veta të cilët po mundohemi të ruajmë atë që kemi arritur - shpjegon Alla Kara për Radio Bullgarinë. - Fëmijët te ne aplikojnë pas klasës së 9-të. Para kësaj, ata nuk kanë studiuar më parë tambura, gëdullka apo ndonjë instrument tjetër tradicional. Po, kemi ende grupe kërcimesh ku koreografët mund të shfaqin talentin e tyre, por për sa i përket shfaqeve me instrumente muzikore, ato janë më të vështira për t’u realizuar. Ja, tani kishim një koncert në Silistra dhe në Sofje, ku morën pjesë nxënës të vitit të dytë dhe të tretë, mësuesit tanë i ndihmojnë, sepse ne duhet t'i stimulojmë fëmijët, ata duhet të vazhdojnë të mësojnë. Na gëzon fakti që në vitin e 4-të ata bëhen profesionistë të vërtetë. Mësuesit që punojnë me ne bëjnë mrekulli. Ata përzgjidhen me konkurs të posaçëm dhe Ministria e Arsimit zgjedh më të mirët.”
Ministria e Arsimit në Bullgari dërgon çdo vit katër mësues të fushave të ndryshme, në mënyrë që banorët e qytetit moldav të dëgjojnë më shpesh gjuhën letrare bullgare dhe të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me vendlindjen stërgjyshore. Popullsia e Tvërdicës aktualisht është rreth 6 mijë njerëz. "Njerëzit edhe sot e kësaj dite respektojnë traditat dhe ruajnë me fanatizëm sistemin e tyre të vlerave bullgare" - thotë Alla Kara.
“Festohen të gjitha festat bullgare, respektohen të gjitha ritet e kishës ortodokse. Edhe sot e kësaj dite, gratë e moshuara vishen me kostum tradicional bullgar për të shkuar në kishë, të rejat më rrallë, por pavarësisht gjithçkaje, tradita respektohet. Ne jemi një popullsi kompakte bullgare dhe tradita dhe gjuha janë trashëguar në familje. Gjuha bullgare dëgjohet gjithandej”.
Një nga të diplomuarit e kolegjit në qytetin e Tvërdicës është Petër Paskallov. Ai ishte në Sofje gjatë vizitës së trupës koreografike të kolegjit "Shtefan Njaga", e cila mbajti koncerte në Sofje dhe Silistra me titullin "Bullgaria është përgjithmonë brenda nesh".
“Ne interpretojmë valle popullore autentike dhe të përpunuara, koreografi ynë është Valentin Vasilev. Këtu /në Tvërdica/ ka një folklor të ruajtur që e kanë sjellë emigrantët nga Bullgaria, paraardhësit tanë. Mua personalisht më pëlqejnë shumë vallet bullgare. Në Bullgari ndihem si në shtëpinë time, sikur të isha në Moldavi, kam një ndjenjë të mirë kur jam mes bullgarëve. Në lidhje me të ardhmen time - dua të hyj në Akademinë Sportive në Sofje, sepse kam kohë që bëj stërvitje volejbolli. Dhe shpresoj që Akademia Bullgare të më japë arsimin më të mirë. Koreografia do të mbetet një hobi - tregon Petër Paskallov pa i fshehur ëndrrat e tij.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Kolegji i Muzikës "Shtefan Njaga", Gergana Mançeva
Këngët dhe vallet popullore mbledhin dashamirët e folklorit bullgar në edicionin e radhës të Festivalit të Kostumeve Popullore në Zheravna. Këtë vit aktiviteti do të zhvillohet nga 23 deri më 25 gusht. "Pasi visheni me kostumet popullore dhe..
Holandezja Esther Willems vazhdon të tërheqë njerëz nga qytete dhe kombësi të ndryshme në klubin e saj për vallet popullore bullgare, i krijuar në Hagë dhe i quajtur "Zora". Klubi u themelua në vitin 2017 dhe në të u regjistruan edhe atëherë 13..
Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë edhe në muajin gusht. Shfaqjet e para ishin në qershor, kur grupe folklorike nga Bullgaria prezantuan kostume, valle dhe këngë popullore bullgare para teatrit "Aleksandër Moisiu" në qytetin e..