Vera është stina e ecjeve malore, kur nëpër shtigje me shkopinj bëjnë shëtitje qindra turistë entuziastë bullgarë dhe të huaj. Megjithatë, për shkak të pranverës jashtëzakonisht të ftohtë, në pjesët më të larta të maleve Rila dhe Pirin ka ende borë, si dhe vende-vende në Centralen Ballkan (rajonin qendror të malit Stara Pllanina). Në malet e tjera, shtigjet janë të kalueshme dhe kasollet janë gati për të pritur turistët për sezonin e verës, mësojmë nga Vencisllav Venev, kryetar i Bashkimit Turistik Bullgar (BTS). “Si çdo pranverë, ne pastrojmë dhe përgatisim shtigjet për sezonin, duke përfshirë rinovimin e shenjave”, thotë ai dhe shton:
“Duhet të paralajmëroj të gjithë turistët se ekziston një standard i saktë i shënimit të Bashkimit Turistik. Është një katror 10x10 centimetra me dy vija të bardha dhe një me ngjyrë në mes. Ngjyrat janë të verdha, blu, e kuqe dhe jeshile. Çdo shenjë tjetër nuk është nga bashkimi. Kjo është shumë e rëndësishme për sigurinë e njerëzve që shëtisin nëpër këto shtigje.”
Tre nga autostradat kryesore trans-evropiane të këmbësorëve kalojnë nëpër territorin e Bullgarisë - këto janë E3, E4 dhe E8. Më e njohura është rruga E3, e cila lidh majën e malit Stara Pllanina Kom me Kepin Emine në Detin e Zi. E4 fillon nga mali Vitosha afër Sofjes, kalon vendet më të bukura të maleve Rila dhe Pirin dhe çon në malin kufitar Slavjanka për të vazhduar në territorin e fqinjit tonë jugor, Greqisë. E8 është për turistë me më pak përvojë. Ajo gjarpëron nëpër shpatet e buta të malit Rodopa dhe vazhdon në territorin e Greqisë. Megjithatë, sa të aksesueshme janë këto shtigje për turistët?
“E3 (Kom – Emine) dhe E4 janë shënuar mjaft mirë. E8 është një itinerar jashtëzakonisht i gjatë dhe në vende-vende humben shenjat, ndërsa në vende të tjera ka devijime shtesë, pasi shtegu klasik është i pakalueshëm ose me shtigje të vjetruara. Kjo është arsyeja pse u krijuan versionet e dyfishta të E 8. Është mirë që njerëzit të njihen paraprakisht me këto detaje dhe të mbajnë pajisje GPS” - këshillon Vencislav Venev.
Shumica e itinerareve janë të pajisura shumë mirë me kasolle dhe strehimore. Megjithatë, në disa vende nuk ka bazë akomodimi dhe është mirë të sillni një tendë ose të kërkoni mundësi të tjera për qëndrime gjatë natës. Përgjatë rrugës E 3, për shembull, në zonën e qyteteve Sliven dhe Kotell, turistët rekomandohen të kalojnë natën në Aglikina Poljana.
Aktualisht, Bashkimi Turistik Bullgar, së bashku me partnerë nga organizata të tjera, po punon për krijimin e një faqe interneti me informacione të përditësuara mbi statusin e shenjave dhe kushteve në kasolle. “Njerëzit gjithashtu mund të na kontaktojnë drejtpërdrejt, pasi ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me 135 shoqatat tona në të gjithë vendin që kujdesen për infrastrukturën”, theksoi Venev para Radio Bullgarisë.
Sipas tij, kohët e fundit është i përhapur i ashtuquajturi “variant radial” i turizmit. Njerëzit qëndrojnë në një vendbanim të vogël dhe bëjnë udhëtime ditore në zonat malore aty pranë. Itineraret e kombinuara po fitojnë gjithashtu popullaritet të gjerë. Për shembull, turistët hipin në trenin e hekurudhës me binarë të ngushtë dhe arrijnë stacionin më të lartë në Ballkan në fshatin e malit Rodopa - Avramovo, nga ku vazhdojnë më këmbë përgjatë një rruge që i çon në majën Velijca dhe fshatin Orcevo. Ata kalojnë natën atje, më pas arrijnë në qytetin e bukur Jakoruda dhe kthehen në shtëpi me trenin me binarë të ngushtë.
“Shpesh të huajt mbërrijnë shumë mirë të përgatitur. Edhe më shumë se turistët tanë. Ata e dinë me detaje se çfarë i pret në Bullgari, si akomodim, itinerare, shënjime etj., por telefonojnë edhe në Bashkimin Turistik, për çdo rast. Interesi është kryesisht për malet Rilla dhe Pirin dhe pak më pak për Stara Pllanina. Madje do të thosha se në malin e lartë ke më shumë gjasa të takosh të huaj sesa bullgarë”, përfundon Vencisllav Venev.
Shikoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA
Turizmi rural po bëhet një formë e preferuar rekreacioni, veçanërisht ndër familjet dhe të rinjtë që zgjedhin një mënyrë jetese miqësore me mjedisin dhe duan të minimizojnë gjurmën e tyre të karbonit. Dhe nëse disa vite më parë një pushim në fshat..
Sofja doli sërish në qendër të vëmendjes. Një artikull i gjerë i revistës Vogue hedh dritë mbi zhvillimin dinamik dhe hijeshinë unike të kryeqytetit bullgar, duke e quajtur atë "qyteti më i gjallëruar në Evropë për momentin". Kryeqyteti bullgar..
Për të katërtin vit, një nga vendet më të bukura për të fluturuar në botë – Shkëmbinjtë e Bellogradçikut , do të presë Festën e Balonave. Pilotë nga vende të ndryshme evropiane do të marrin pjesë me balonat e tyre në eventin, i cili do të..
Në Ekspozitën Botërore të Turizmit WTM në Londër, Bansko u dallua si një nga destinacionet më të dëshirueshme në botë. Qyteti turistik hyri në top..