Bashkimi Evropian pret të intensifikohen përpjekjet për ndërhyrje të huaja dhe manipulimin e informacionit përpara zgjedhjeve evropiane në qershor të vitit të ardhshëm. Parlamenti Evropian miratoi një raport që kërkon masa urgjente mbrojtëse kundër sulmeve hibride dhe dezinformimit. Ka shqetësime serioze për ndërhyrjet ruse dhe kineze dhe sulmet kibernetike.
Si rezultat i dezinformatave dhe sulmeve kibernetike, demokracia është në rrezik, paralajmëroi Sandra Kalniete, eurodeputete nga Partia Popullore Evropiane dhe raportuese për ndërhyrjen e jashtme:
“Shpesh dëgjoj se demokracia në mbarë botën është në tërheqje. Kjo është një deklaratë e pasaktë. Demokracia nuk është thjesht në tërheqje. Demokracia është nën sulm. Duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme evropiane në 2024, ne duhet të insistojmë për masa më të ashpra dhe një koordinim më të madh për të mbrojtur demokracinë evropiane.”
Raporti përmban një sërë rekomandimesh, një prej të cilave është ndalimi i përdorimit të platformës kineze të shkëmbimit të videove TikTok në institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes në shtetet anëtare.
Eurodeputetja Kalniete e përkufizoi inteligjencën artificiale si sfidën e re në luftën kundër dezinformimit dhe theksoi se legjislacioni nuk është adekuat për realitetin që ndryshon vazhdimisht:
“Për momentin ende mund të identifikojmë lajmet e rreme, por inteligjenca artificiale do ta bëjë gjenerimin e dezinformatave shumë më të lehtë, më të lirë dhe shumë më të vështirë për t'u zbuluar. Duhet të kuptojmë se legjislacioni aktual në lidhje me efektet e revolucionit digjital trajton problemet e së djeshmes. Kjo nuk është vetëm një sfidë për BE-në, është një problem global.”
Një tjetër parakusht serioz për ndërhyrje të jashtme në Komunitet janë transaksionet financiare nga vendet jashtë Bashkimit Evropian ndaj politikanëve dhe partive në Evropë. Për ta ndërprerë këtë financim të paligjshëm, eurodeputetët po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që ta bëjë më të lehtë monitorimin e donacioneve dhe që të gjitha shtetet anëtare të adresojnë urgjentisht këtë çështje në nivel kombëtar.
Dylan Macchiarini Crosson nga Qendra Evropiane për Studime Politike na kujton se sfidat e luftës së informacionit nuk janë të reja:
“Koncepti i taktikave hibride ka ekzistuar për aq kohë sa vendet janë përpjekur të destabilizojnë vendet e tjera. Dhe me të vërtetë, tani e gjithë kjo po del në pah, sepse BE-ja zhvillohet si një lojtar ndërkombëtar me objektivat e veta për të garantuar sigurinë e qytetarëve të BE-së.”
Një pikë tjetër e rëndësishme është mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe e sektorëve strategjikë. Rreziqet e varësisë ekonomike, spiunazhit dhe sabotimit krijohen kur kompanitë e huaja fitojnë ndikim mbi infrastrukturën kritike të BE-së.
Kërcënimet virtuale kanë objektivat e tyre reale, vëren Chris Kremidas-Courtney nga organizata joqeveritare “Miqtë e Evropës:
"Ajo që ne kemi parë ndryshim që nga fillimi i luftës në Ukrainë është se sulmet kibernetike tani po synojnë gjithashtu infrastrukturën kritike. Dhe këtu shfaqet cenueshmëria e vërtetë. Ka një numër ekspertësh në Evropë që thonë se duhet ta mbyllim këtë boshllëk."
Lufta në Ukrainë hapi Kutinë e Pandorës për sa u përket sulmeve kibernetike, komentoi eksperti i sigurisë kibernetike Ljubomir Tulev për BNR:
“Mund të themi se sulmet hibride i kanë rrënjët pikërisht në këtë - të jenë një përzierje e aktiviteteve të ndryshme për të arritur një qëllim të caktuar. Kjo nënkupton sulme në fronte të ndryshme, si në botën kibernetike, ashtu edhe në aspekte thjesht ekonomike, politike, si dhe veprime thjesht fizike, agresive. Vetëm atëherë konsiderohet se sulmi hibrid mund të çojë në qëllimin e tij të dashur, për të arritur qëllimin specifik të vendosur nga ata që e organizojnë atë.
Nëse mund ta përfytyrojmë këtë në perspektivën, e cila, për fat të keq, ndodhi vitin e kaluar me veprimet ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022, ne e pamë pikërisht këtë - një kombinim i luftimeve aktive në frontin fizik dhe i sulmeve kibernetike në të njëjtën kohë në botë, së bashku me përdorimin e sferave të ndryshme të ndikimit në veprimet ekonomike dhe politike në vende të ndryshme që duken të cenueshme.
Cilat vende janë të cenueshme? Ato që, për fat të keq, janë të humbur në mendimin e tyre se ku të shkojnë dhe ku të orientohen. Ato vende, popullsia e të cilëve nuk mund të gjykojë siç duhet se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Këto vende janë shumë të ndjeshme, të pambrojtura ndaj dezinformatave. Më duhet të them se jo vetëm për mendimin tim, por edhe sipas një studimi të bërë në BE rreth 3 vjet më parë, popullsia bullgare është më e rrezikuara për sa i përket mosvlerësimit të asaj që është e vërteta në hapësirën e internetit.”
Përmirësimi i mbrojtjes kibernetike dhe mësimi i njerëzve se si të dallojnë lajmet e rreme është formula për sukses në luftën kundër dezinformimit dhe sulmeve hibride, beson eksperti:
“Veprimet duhet të përqendrohen në dy drejtime. Njëra anë, sigurisht, është sigurimi i vetë sistemeve, vetë faqeve të internetit, platformave që do të përdoren për të shpërndarë informacion. Një pjesë e madhe e sulmeve të suksesshme, shumica dërrmuese - ndoshta 90% e këtyre sulmeve, ndodhin sepse këto praktika shumë të mira nuk zbatohen.
Më vjen keq që ta jap si shembull "Postat Bullgare" - diçka që e pamë vitin e kaluar. E dini se çfarë ndikimi pati në Bullgari. Brenda 2-3 muajve pati vështirësi në pagimin e pensioneve për të moshuarit. Në fakt, nga analiza rezultoi se aty ishin bërë një sërë gabimesh, lidhur me sigurinë. Nëse i ndjekim praktikat më të mira që njihen prej kohësh, nëse investojmë në sigurinë kibernetike, shanset që kjo të ndodhë janë minimale.
Sa për drejtimin e dytë, atje ka më shumë vështirësi. Ndikimi mund të ushtrohet pikërisht nëpërmjet njerëzve. Kjo është arsyeja se pse përpjekjet tona duhet të jenë drejtuar ndaj edukimit të mëtejshëm dhe mësimit të shoqërisë sonë se si të dallojë informacionin nga dezinformimi. Një nga shembujt më domethënës të ndërhyrjes në vitet e fundit që kemi parë, megjithëse jo ende 100% i konfirmuar, i ndërhyrjes nga regjimi rus, ishte lidhur me zgjedhjet në SHBA kur Donald Trump u zgjodh president. Provat e deritanishme tregojnë se Rusia, përmes një numri të madh profilesh të rreme në rrjetin social Facebook, për shembull, ka qenë në gjendje, përmes fermave të saj të dezinformimit, të publikojë dhe promovojë informacione që diskreditojnë një kandidat në dobi të një tjetri.
Imagjinoni se çfarë do të ndodhë kur 4 milionë përdorues fillojnë të nxjerrin të njëjtin informacion, i cili synon pikërisht mbështetjen e njërit kandidat dhe në dëm të tjetrit. Atëherë kur një person është i pambrojtur, i pavendosur dhe i ndjeshëm ndaj një ndërhyrjeje të tillë, atëherë pikërisht ky lloj sulmi do të kishte ndikim dhe ai do të ndryshonte mendje.”
Për rolin e rrjeteve sociale në luftën kundër dezinformimit:
“Facebook është një platformë që është më e popullarizuar ndër popullatën më të moshuar. Mosha mesatare e përdoruesve të Facebook është 47 vjeç. Për momentin, mes adoleshentëve, mastodoni absolut është Tik Tok, në një moshë adoleshente pak më të avancuar është Instagrami. U mësuam vitet e fundit vazhdimisht të ankohemi për Facebook-un. BE-ja dhe SHBA-ja, më tepër BE-ja, kritikojnë vazhdimisht se çfarë nuk ka bërë Facebook, çfarë mund të bëhet më shumë. Nuk po i mbroj, mos më keqkuptoni. Sigurisht që ka shumë për të dëshiruar, por edhe Facebook ka bërë mjaft.
Ata filluan të kërkojnë informacion për këdo që publikon të ashtuquajturat “mesazhe të sponsorizuara”. Më parë, nuk kishte asnjë problem - secili përdorues thjesht paguante dhe postimi i tij fillonte të përhapej. Tashmë nuk është kështu. Tani Facebook kërkon informacion të qartë se kush qëndron pas kësaj pagese.
Së dyti, Facebook punësoi një numër të madh inxhinierësh për të monitoruar dhe analizuar përmbajtjen. Në momentin që zbulojnë një postim që është në kundërshtim me rregullat e përdorimit të rrjetit social, ata thjesht e heqin atë përmbajtje. Fatkeqësisht, jo gjithçka është perfekte. Ekziston gjithmonë një rrezik dhe ne shohim postime të tilla që ende përhapen. Dhe pikërisht këtu vjen hapi i fundit – faktori njerëzor. Njeriu si shtresa e fundit e mbrojtjes së vetvetes, për të qenë në gjendje të kuptojë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, por përsëri e them këtë, sigurisht që duhet kohë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës..